Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka shprehur shqetësimin e tij në prag të fillimit të vitit të ri shkollor për gjendjen e rënduar të sistemit arsimor në Kosovë. Ai tha se problemet me sigurimin e teksteve shkollore vazhdojnë të mbeten sfidë, duke paralajmëruar se edhe sivjet fillimi i vitit shkollor mund të ndikohet nga mungesa e librave. Jasharaj kritikoi Ministrinë e Arsimit dhe qeverinë në largim për vendimin e tyre në lidhje me subvencionimin dhe shpërndarjen e teksteve, që sipas tij, do të bëjë që procesi i furnizimit me libra të jetë i vonuar, siç ka ndodhur edhe vitet e kaluara. Ai theksoi gjithashtu se pagat e punëtorëve të arsimit janë shumë të ulëta dhe nuk mund të krahasohen me ato në vendet fqinje si Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Për këtë situatë, Jasharaj fajësoi qeverinë e Albin Kurtit dhe ministrin Hekuran Murati, duke u shprehur se mosrespektimi i koeficientëve dhe vlera e pagave ka dëmtuar punonjësit e arsimit.
