Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, priti sot në takim përfaqësuesit e Caritasit të Zvicrës.
Në këtë takim u diskutua rreth fillimit të një projekti të rëndësishëm që synon nxitjen e bashkëpunimit mes bizneseve vendore dhe atyre të mërgatës sonë.
Ky projekt pritet të krijojë mundësi të reja zhvillimore, të fuqizojë ekonominë lokale dhe të forcojë më tej lidhjet mes komunës dhe mërgatës, e cila vazhdimisht ka dhënë kontribut të çmuar për Vitiën.
Kryetari Haliti falënderoi përfaqësuesit e Caritasit të Zvicrës për vizitën dhe gatishmërinë e tyre, duke theksuar se komuna do të mbështesë gjithmonë iniciativa që sjellin përfitime konkrete për qytetarët.
Përfaqësuesit e Caritasit përgëzuan kryetarin Haliti për mbështetjen e madhe ndaj bizneseve vendore dhe shoqatave të grave, të cilat tashmë kanë hapur edhe fabrika prodhimi në sektorin e agro-kulturës, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.