Brickos

Kujtim Gjonaj

Kujtim Gjonaj: Josif Bageri, Isa Boletini, Muço Qulli dhe Çerçiz Topulli u vranë pabesisht nga forcat malazeze

Ju tregoj për Josif Bagerin-Rilindasin e fundit i mbetur pa varr

Në Muzeun Historik Kombëtar, u shfaq filmi dokumentar për rilindësin, Josif  Bageri

(Albert Z. ZHOLI: Intervistë me “Mjeshtrin e Madh”, Kujtim Gjonaj)

Josif Bageri u lind më 15 gusht të vitit 1870 në Nistrovë të Rekës së Madhe, (asokohe Malësia e Dibrës se Madhe kurse tani i takon komunës së Mavrovës dhe Radushës) në kohën kur lëvizjet e mëdha çlirimtare kishin marrë hovin e zhvillimit, kur popullit i nevojiteshin intelektualë dhe atdhetarë të tillë. Vitet e rinisë se hershme i kaloi në vendlindje, i angazhuar si bari i varfër. Për shkak te rrethanave të prapambetura ekonomike, sociale e arsimore, Josifi nuk pati mundësi që të vijojë ndonjë shkollë, edhe pse, qysh në fëmijëri shfaqte interesim, dashuri e dhunti për arsimim. Në vitin 1887, në moshën 17 vjeçare, për shkak të varfërisë së rëndë, emigroi në Sofje të Bullgarisë. Krahas punës se rëndë fizike, u angazhua edhe në lëvizjen kombëtare çlirimtare kundër pushtuesit. Frymëzimet e para për të zënë dituri krijuese i kishte nga Dhimitër Mole i Korçës. Dhimitrin e takonte në dyqanin e tij në Sofje. Ai dyqan, njëherësh shërbente edhe si pikë takimi dhe organizimi e patriotëve shqiptarë. Ndodhte kështu sepse Dhimitri sillte libra dhe gazeta nga Bukureshti dhe mbrëmjeve u mësonte mërgimtareve të interesuar shkrim dhe lexim të gjuhës shqipe. Pra, Josifi, për herë të parë, vullnetarisht, në moshë 17 vjeçare, mëson shkrim e lexim nga Dhimitër Mole.

Krahas punës si këpucëtar Josifi në Sofje, prej vitit 1887 u inkuadrua edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në këtë kohë, Sofja ishte e stërmbushur me atdhetarë, te cilët i ndiqte pushteti osman, për shkak të veprimtarisë së tyre. Më 1 janar te vititi 1893 ne Sofje u themelua shoqëria shqiptare “Dëshira”, ndërsa Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të sajë. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh Naim Frashëri, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Takimi me Naimin i la mbresa të mëdha. Ndikimi i tij ishte jashtzokinsht i madh tek Josifi, sa që pas vdekjes se Naimit shkruajti edhe poezi për të. Gjatë periudhës së viteve 1905 – 1907 Josifi ndihmoi shumë në përhapjen e arsimit shqip ndër masat popullore. Ishte luftëtar i denjë për gjuhën dhe shkollën shqipe dhe si rezultat i saj, në shtator të vitit 1908 në fshtatin e tij të lindjes, Nistrovë hapi edhe një shkollë shqipe. Në periudhën mes viteve 1909 – 1911, në Sofje fillon të botojë gazetën me titull “Shqypeja e Shqypënis”, e cila luajti një rol të madh në përhapjen e arsimit dhe shkollës shqipe si dhe në trajtimin e çështjes kombëtare

 

Kush ishte shtysa që të merrje një nismë të tillë për një film të një figure kaq të humbur në Maqedoninë shqiptare?

Josif  Bageri me të vërtetë është një figurë që nuk është përmendur aq sa duhet, por motive nga më të ndryshmet. Është larguar nga kjo jetë 100 vjet e më parë. Por nuk mund të thuhet në kuptimin klasik të fjalës të harruar, se në vitin 1982 një autor shqiptar Rruzhdi Mata ka bërë një libër për të. Më pas rreth viteve  1985-86 regjisori i televizionit shqiptar Xhelil Aliu ka bërë një emision me titull “Heroizmi  i popullit tonë ndër shekuj”. Ndaj nuk  mund të themi fjalën i harruar, por nuk është kujtuar me vlerësimin dhe përkushtimin e duhur ndaj kësaj figure. Ishte një rastësi e pranueshme dhe e këndëshme takimi me shkrimtaren dhe me poeteshën Miradie Maliqi gjatë xhirimeve të filmit “Margarita”, ku zë fill miqësia jonë, dhe po aty zë fill edhe dëshira e saj dhe dëshira ime për të bërë një film për këtë figurë. Këtu zë fill mendimi për të realizuar një dokumentar për këtë figurë ortodokse shqiptare të  Maqedonisë. Është një figurë sa komplekse aq edhe interesante. Një figurë me jetë  mbushur plot sakrifica. Një figurë mbushur plot dëshpërime dhe hidhërime. I  vritet djali në moshën 16-vjeç në luftë kundër osmanëve, turqve nuk është e pakët, apo vështirësi të tjera që sillte jeta e trazuar e asaj kohe. Zanafilla për ta realizuar këtë film e ka te znj. Meridie në bashkëpunim dhe me një kolegen tonë  skenaristen Angjelina Xhara, ku të tre u bashkuam dhe filluam hap mbas hapi të hulumtojmë dhe të kërkojmë materiale dhe të dhëna për këtë figurë të ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare.

 

-Cilat janë  të veçantat e figurës?

 

E veçanta e figurës së Josif  Bagerit, duhet thënë se është një patriot, rilindas, autodidakt që me shumë vështirësi në moshë madhore mëson gjuhën shqipe, në moshën 16-17 vjeç. Kishte shumë dëshirë të shkonte në shkollë edhe pse me shumë vështirësi ekonomike dhe të zonës ku familja e tij nuk pati mundësi që ta  shkollojë. Ai arrin që të shkollohet në moshën 16-17 vjeç. Me këtë shkollim autodidakt ai arrin që të bëhet një nga figurat më qendrore të shtypit të rilindjes kombëtare, në një gazetë shqipe në Sofje. Gazeta quhej “Shqipja e Shqipnisë”, ose gegërisht “Shqype e shqypnisë” në vitin 1909 deri në vitin 1912. Në kohën kur të  gjitha territoret shqiptare ishin të gjitha të zëna nga perandoria osmane. Të arrish të  nxjerrësh një gazetë pa asnjë lloj ndihme ekonomike ishte e vështirë. Ai ditën  punonte si këpucar fitonte lekë për të mbajtur familjen dhe ndërkohë fitonte edhe të  ardhura për të botuar dhe për të nxjerrë gazetën. Ai kishte 6 fëmijë.

 

-Pas mbylljes së gazetës ku u vendos?

Më pas shtyp gazetën “Oshëtima e Krujës”, ku në atë gazetë ai ishte kryeredaktor (në vitin 1914 në Shqipëri). Josifi ka banuar kudo në Sofje, Shkup, Tetovë në vendlindje ku kishte një pjesë të vendlindjes. Një moment shumë interesant në jetën e Bagerit është takimi dhe dashuria e tij sublime për Naim Frashërin. Ai kishte dëgjuar shumë për Naim Frashërin, ishte frymëzuar nga vepra e Naim Frashërit, dhe në  prag të vdekjes së Naim Frashërit, ku Naimi ishte shumë i sëmurë ai shkon në Stamboll për ta takuar. Takimi i tyre ishte shumë mbresëlënës dhe tepër i  dhimbshëm dhe tepër emocional. Nga ky takim kur ikën nga kjo jetë mendje ndrituri Naim, ai bën vjershën e famshme “Para fytyrës së Naim Frashërit”. Bëhet fjalë nga viti 1899. Frymëzuesi i tij i veçantë është Naim Frashëri dhe  sidomos poezia e tij “Lulet e verës”. Dhe vite më pas ai në gazetën e tij dhe në  librin që botoi më pas me tregime dhe me vjersha “Kopësht malësori” ku ka disa vjersha për Naim Frashërin, për dashurinë që kisnte ky për Naim Frashërin dhe për madhështinë  e Naim Frashërit. Ndërkohë është mik dhe promovues i vlerave dhe i  veprave të gjithë patriotëve shqiptarë. Jo rrallë në revistën e tij gjen shkrime dhe  vjersha që i kushtohen vëllezërve Topulli dhe bëmave të tyre. Ka një miqësi  shumë të jashtëzakonshme dhe shumë të frytshme me figurat më me zë të  figurave të lëvizjes patriotike të kohës si Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, dhe shumë  figura të tjera të ndritura. Letërkëmbimi që ka me këta miq herë me emrin e vet dhe herë me pseudonime tregon për madhështinë, zgjuarsinë dhe mençurinë e këtij  patrioti. Në faqet e gazetës së tij “Shqypja e Shqypnisë” që u botua krejtësisht me  punën e tij dhe kontributin e tij si punëtor këpucar, gjen artikuj që ngre peshë jo vetëm gjuhën shqipe të cilën e lartësoi në maksimum, por gjen artikuj mjaft figura të ndritura të historisë së lëvizjes patriotike shqiptare. Është një lëvrues siç del edhe gjatë filmit, një lëvrues i shquar i gjuhës shqipe, një njeri i pasionuar për mësimin e gjuhës shqipe ku vrapoi në krahinën e Tetovës, Kumanovës, Shkupit, Strugës deri afër Dibrës për të hapur shkolla shqipe. Ai hapi edhe  shkollën e parë shqipe edhe në fshatin e tij në Nistrovë afërsisht nga viti 1910.

 

-Si ishte përfundimi i jetës së tij?

 

Ai është zhdukur çuditërisht në vitin 1915, një vit shumë i keq për historinë  shqiptare dhe shumë i tmerrshëm për fatet e shumë patriotëve të shquar shqiptarë. Në këtë vit ku lufta e Parë Botërore kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme. territoret shqiptare ishin të pushtuar nga ushtritë e huaja, patriotët shqiptarë ishin të  grumbulluar në Mal të Zi, Podgoricë dhe për fatin tonë të keq dhe atyre të patriotëve si Isa Boletibni, Mnuço Qulli, Çerçiz Topulli vriten pabesisht nga forcat malazeze. Në këtë vit Jusifi sapo kishte marrë porosi që të shkonte dhe të takonte  ( mbas një  bisede që kishte patur me Fan Nolin dhe me Faik Konicën) të shkonte  të  takonte Hasan Prishtinën në Prishtinë, zhduket pa lënë gjurmë, nuk arrin të  takojë. Ai humbet diku në Prishtinë (vrarë, helmuar, nuk i dihet). Është i vetmi  patriot shqiptarë që nuk i gjendet varri. Ky është motivi i filmit tonë “Në kërkim të një varri” kjo ishte ideja jonë e brendshme. Kjo ishte një figurë madhore e humbur në vitin e keq 1915 që nuk dihet as varri as ku ka përfunduar. Ne këtu morëm zanafillën për të ndërtuar historinë e kësaj figure që i kushtoi jetën atdheut, dashurisë midis shqiptarëve, në mënyrë të veçantë  ndërmjet shqiptarëve të veriut dhe shqiptarëve të jugut toskë e gegë. Ka shumë vjersha që shpreh këtë ndjenjë të  fuqishme që ne gjithmonë duhet të jemi bashkë toskë dhe gegë, i përshtatet motivit të rilindjes kombëtare, për ti shpëtuar asimilimit, poshtërimit dhe për të fituar  identitetin dhe çlirimin kombëtar. Josif Bageri ishte një njeri patriot dhe mësues i   gjuhës shqipe ku ka mjaft vjersha të bukura me shumë kuptim. I bën një paraqitje të  jashtëzakonshme Kongresit të Manastirit, lufton me të gjithë patriotët e tjerë në krahinat verilindore të Shqipërisë për të hapur shkolla shqipe. Ky njeri që e mësoi gjuhën shqipe shumë vonë, është partizani më i flaktë i përhapjes së gjuhës shqipe dhe i bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një flamur të vetëm, në flamurin  kombëtar. Ai është gazetar, publicist, poet, tregimtar, gjuhëtar dhe mbi të gjitha luftëtar i çështjes kombëtare. Ka një moment shumë tragjik siç është vrasja e të  birit Kristit 16 vjeç. Është tragjedi e madhe për një baba, për një familje i cili lufton me trupat maqedonase dhe turke dhe bie në krye të detyrës. Bageri i kushton një  himn të tërë të birit që bie në krye të detyrës. Është një figurë që ia vlente që ta  bënim këtë film, që ta vinim në një monument artistik figurën e këtij njeriu.

 

– Çfarë vendi zë në krijimtarinë tuaj të filmit dokumentar kjo figurë?

 

Në vijimësinë e filmave historikë që kam realizuar për historinë e Shqipërisë dhe të figurave historike të saj, pa asnjë mëdyshje filmi për Josif Bagerin-Rilindasi i fundit, zë një vend të veçantë në krijimtarinë time. Pse e them këtë? Të gjithë dokumentarët që kam realizuar për figurat e shquara historike kanë vlerat e tyre, por me bashkëpunimin e fundit të prodhuar me kolegë shqiptarë të Maqedonisë dhe me një financim serioz nga Qendra e Filmit të Republikës së Maqedonisë, unë si kineast plotësova një boshllëk të krijimtarisë sime.

 

– Ç’ do të thotë kjo?

Kam realizuar filma dokumentarë për të gjithë hapësirën dhe trojet, ku gjallon kombi shqiptar dhe për personalitetet e këtyre trojeve. Për hir të së vërtetës në disa filma të mi të viteve më parë, kam shumë episode të filmuara në trevat shqiptare të Maqedonisë si në Dibër, Tetovë apo Shkup, por film të realizuar të tërin në këto treva shqiptare, nuk kisha realizuar. Pra filmi për Josif Bagerin më plotëson edhe këtë boshllëk të krijimtarisë sime. Thënë në mënyrë figurative, kam plotësuar me krijimtarinë time gjithë hapësirën dhe historinë e trojeve shqiptare. Ky fakt më jep një kënaqësi të veçantë dhe më bën të ndihem krenar për punën dhe krijimtarinë time.

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …