Rrustem Geci

Rrustem Geci: Epika e Brezës kryengritëse

 ( Në Brezë të Ilirisë, në veri-perëndim të Shkupit, në lartësinë mbidetare 1500 metra, tek vendi i quajtur “Livadhi i madh”, po ndërtohet Memoriali i Dëshmorëve dhe Martirëve të Kombit, për 62 të rënë të atdheut për çlirim! Historia kurrë s´mund të jetë e vdekur, nëse ne jemi në hap me kohën dhe historinë. Historinë e bëjnë të përjetshme të gjallët, ata që do të dinë ta ruajnë, dhe ta mbrojnë! Një arsim i mirëfilltë historik është i domosdoshëm, dhe siguron një të ardhshme të sigurtë, për të gjitha pjesët e atdheut tonë, më thotë mësues, Arbri! )

Fshati Brezë ( i Karadakut të Shkupit ) i takon vendbanimeve të lashta para historike, dhe ndodhet në një lartësi mbidetare, mbi 1500 metra. Breza dhe fshatrat përreth janë shqiptar autokton. Breza, dhe Tanusha, janë tip i fshatrave me mëhalla të shpërndara nëpër gryka malesh dhe rrafshnalta. Breza e Ilirisë së alpeve, bashkë me Tanushën kanë rreth 280 shtëpi, dhe shtrihet në një sipërfaqe toke prej 300 km katror. Bukuritë natyrore të Brezës Iliriane janë të padiskutueshme. Ujërat e bollshëm, livadhet e pafund, blektoria, dhe kultivimi i patates bio, janë pasuri të çmuara të Brezës. Breza aktualisht ka 3 shkolla fillore dhe tre shkolla të ulta. Brezjanët nuk janë më malsor të paarasimur. Në të gjitha luftat Ballkanike dhe në 2 Luftat Botërore, Breza mori pjesë dhe dha dëshmorë në këto lufta. Brezjanët janë luftëtarë të zot edhe me pushkë të vogël, edhe me pushkë të madhe. Në 100 vitet e fundit për mbrojtjen e dheut të atdheut të vetë, Breza i dha luftës për liri, 100 burra betejash. Perandoria Osmane, më gjakatarja e popullit tonë, në Brezën  Iliriane kurrë s´ arriti të marrë tatimet. Arsyeja, të gjithë tagrambledhsit, Breza ia vrau me shpatë dhe me pushkë. Në Brezë kurrë këmbë turku s´u lejua të hyjë. Kot pyeste Sulltani ku gjendet Breza, por përgjigjjen Brezjanët Stambollës ia dhanë me 1912 në Kaçanik, në krye me Idriz Seferin. Brezjani me vete përherë, ka 3 armë dhe një rrip mish mbështjellur në shokë.

Është interesant të thuhet se në Luftën e dytë Botërore, Lufta me Jugosllavët në Brezë zgjati deri në vitin 1949, sepse Breza ishte kështjellë e pamposhtur. Dhe Ushtria Jugosllave u detyrua që me Marrëveshje të arrihet armëpushimi me Brezën. Breza Iliriane as në ish Jugosllavi nuk iu nënshtru kolektivizimit, dhe as nuk pranoi që prona e tyre të transformohet në pronë shoqërore. Brezjani nuk e ka fort dëshirë të vdes me kokë në jastek. Ai do që jeta dhe trimëria e tij të hyj në këngë. Populli ynë më thotë qytetari nga Breza, Osman Afizi, ka përvojë të qytetërimit. Qytetarët e Brezës kanë një krenari autoktone dhe të veçantë. Gjuha që e flasin qytetarët e Brezës është e pasur me leksik, dhe me figura metaforash të letërsisë. Përballja e Brezjanëve me kohën dhe historinë aspak nuk ishte e lehtë. Prandaj në nderim të të rënëve për liri, në Brezë këto ditë ka fillu ndërtimi i Qendrës Memoriale për Dëshmorët dhe Martirët e Kombit. Qendra Memoriale për Dëshmorët dhe Martirët e Kombit, po ngritet tek vendi, “Livadhi i madh” aty ku Brezjanët gjatë gjitha kohërave kanë vendosur për fatin e tyre, për luftë, apo për paqe. Memoriali i Brezës do ngritët ngjashëm me kullat shqiptare.

Memoriali i Dëshmorëve dhe Martirëve të Kombit do të ketë 2 kate; në katin e parë do të ekspozohen artefakte të së kaluarës nga treva e Brezës, ndërsa në katin e dytë do të ngrejnë një konak për kuvendime dhe takime festash, dhe me dekorime tradicionale shqiptare. Vendi ku po ngritet Memoriali te „Livadhi i Madh“, ka një histori të veten: në këtë vend burrat kanë kuvendu dhe kanë marrë vendime madhore, dhe janë bërë pajtime xhaqesh, dhe pajtime konfliktesh, jo vetëm të Brezës, por edhe të fshatrave përreth, dhe më gjerë. Tek „Livadh i madh“ ( në kohë paqe ) Breza organizon sportet e veta popullore; Vrapime kuajsh, hedhje guri, kërcim në hapa, hedhje shtizash, dy luftim, gjoks me gjoks, gjuajtje me armë, si dhe humor, dhe këngë dhe valle popullore të trevave të tyre.

Truallin për Qendrën Memoriale në Brezë, e fali Fejzi Haziri, ( i fisit të Murrizajve) i dënuar me burg të përjetshëm për rastin e sajuar “Monstra” të shtetit Maqedon. Familja e Hazirajve është familje atdhetare, dhe shumë bujare. Familja Haziri, gjatë gjithë historisë ka qenë prijëse e flamurit dhe mbrojtëse e atdheut. Mirëpo, Breza e do dhe e nderon djalin e saj. Breza ka angazhuar avokat për rishqyrtim gjygji, dhe shpresojnë që Fejzi Haziri, i dënuar me burg të përjetshëm të lirohet nga ajo akuzë e pakuptimtë.

Brezë, urime shtëpia e historisë! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit! Lavdi!

 Dortmund, 2016

Rrustem Geci: Fjala kryengritëse në televizion

E ëmbël dhe e bukur është të vdesësh për atdhe

(dhe të lirë të lësh pas vetes)

fëmijët, shtëpinë dhe çdo gjë tjetër. (Homeri)

Fjala e thënë me kohë, dhe e peshuar  mirë, forcën e saj e ka në çastin kur thuhet. Njëri nga zërat kryengritës të fjalës në Televizion, që mprehte armën e fjalës për  kryengritje të përgjithshme popullore në Kosovë, padyshim ishte, gazetari, xhiruesi, montazhieri, inxhinjeri, dhe redaktori, ata që transmetonin zemërimin e popullit shqiptar kundër pushtuesit serb. Kujtesa e asaj kohe s´guxon të mbetet  e pa thënë. Prandaj, është e nevojshme të shkruhet për atë histori të papërsëritshme të fjalës kryengritëse në Televizion. Kosova, e përgjakura e fjalës, dhe e kryengritjes, nga dita në ditë po bëhej me shumë duar. Pushtimit të Kosovës i kishte ardhur fundi. Në ato mëngjese rebelimi, qytete e fshatra nëpër Kosovë, lulëzonin me parullat „Kosova Republikë“! “Bashkim” ! „Dhe dil jashtë  nga  Kosova, Serbi“! Pushteti  i  pushtuesit dhe vegëltarët e saj, ishin të paaftë ta mbysnin vullnetin e popullit për liri dhe pavarësi. Përkundër shtypjes së egër, dhe dënimeve drakonike, bijtë e saj po ia bënin gjëmën armikut. Rrugët dhe sheshet e Kosovës kudo ishin me kryengritës, dhe të mbytura në gjak. Toka mund të frikohej nga lufta, por, njeriu për liri, kurrrë jo.

Demonstratat e vitit 1968, 1981, dhe ato mëpastaj, do t´ia shkulin rrënjët pushtimit serb në Kosovë përgjithnjë. Jeta e intelektualëve shqiptarë në ato vite ishte me plotë të papritura. Vlimet e brendshme për një Kosovë jashtë pushtetit dhe prangave të serbit zienin kudo në mesin e intelektualve të formuar. Mësuesi në shkollë nxënësit i përgatiste për beteja të reja. E vërteta për Kosovën dhe rreth Kosovës, kudo kërkonte qartësim, rrugën kah do të vejmë. Armiku dhe vegëltarët e saj nuk reshtnin të trumbetonin fuqinë e pushtuesit. Mirëpo, populli është i mençur, ai përherë ka duar dhe grushta. Populli në çdo çast, di ta hap rrugën e tij dhe ta bëj betejën.

Eshtë e ndaluar që Kosova të mos jetë e lirë, e pavarur, dhe mëvete, lexonim në traktet e asaj kohe. Në Televizionin e Prishtinës, kishte një grup gazetarësh, redaktorësh,  montazhierësh dhe teknikësh të përgatitjeve të transmetimit të emisioneve, që nuk i përfillnin urdhërat nga lart, dhe i kundëviheshin politikës gjenocidiste serbe, ata ishin; jo pakicë; Mentor Kaçi, Rexhep Kasumaj, Ismet Begolli, Sherif Konjufca, Ekrem Kryeziu, Bashkim Ramadani, Hamdi Gërvalla, Rrustem Geci, Xhavit Spahiu, Florie Veselaj, Sami Islami, Sejdi Bylykbashi, Ismail Kurteshi, Shaip Dubova, Shaqir Sadiku, Nezir Istrefi, Muhamet Mjeku, Hamdi Sopa, e të tjerë. TVP-ja kurrë s´reshti të publikonte të vërtetën, pse Kosova duhet të jetë e lirë dhe më vete. Në Televizionin e Prishtinës, rrëfen Bashkim Ramadani, ( një kryengritës i fjalës së lirë ), atë kohë, dorë më dorë ( kuptohet në fshehtësi të madhe ) lexonim trakte, broshura, dhe thirrje të grupeve Ilegale për vetëdijësim të popullatës për një kryengritje të përgjithshme. Televizioni i Prishtinës, ishte vatra, që e bëri të shuhet Lidhja e Komunistëve të Kosovës. Në ato vite të vlimeve të mëdha, Televizioni i Prishtinës, ndihmoi në pajtimin kombëtar, në faljen e gjaqeve, në zvogëlimin e mullinjëve të gjakut, në ndriçimin e vrasjeve në Armatën Jugosllave, dhe kontribuoi dukshëm, në unitetin dhe ndërgjegjësimin politik të njeriut shqiptar të Kosovës.

Në vitet 1981-1991, Kosova po kalonte një nga periudhat më kryengritëse dhe më të përgjakshme të saj. Demonstratat e studentëve, Grevat e minatorëve , Demonstratat e punëtorëve në ndërrmarrjet e Kosovës për kushte të këqija në punë, Marshi i madh i Kosovës, dhe demonstratat për rrogat e papaguara, vlonin në gjithë Kosovën. Falë grushtave dhe pikave të gjakut, Kosova po absolvonte në drejtim të shkëputjes prej Serbisë. Liria në fakt as s´falet, as s´blihet, por ajo merret dhe fitohet, këndonin rapsodët nëpër demonstrate dhe pajtime gjaqesh.

 Kosova e atyre viteve nuk frikohej as nga tymi, as nga plumbat. Në këtë tokë, 13 mijë vjet të lashtë, është lind, rritë, dhe është qytetëruar populli ynë i përvuajtur. Arbër, s´jemi mbetje pa rrënjë.  Historia jonë herët a vonë, do të shkruhet ashtu s´i është; pellazgjike, ilirike, shqiptare.

 Në vitet 1981-1990, Televizioni I Prishtinës, ishte ekrani i betejave dhe i vërshëllimave. Nga ajo dritare magjike e quajtur, Televizion, Kosova edhe qahej edhe zemërohej. Nuk ishte e lehtë  në  TVP,  t´i transmetoje lajmet me praninë e policisë në studio. Por, vullneti për liri ishte ma i madh se kërcënimi për vdekje.

 Në ngjarjet e vitit 1981 shumë nga punëtorët e RTP-së, ishin pjesëmarrës të demonstratave, në mesin e tyre patëm edhe të vrarë, të plagosur, dhe të burgosur. Komenti i RTP-së i shkruar nga Rexhep Kasumaj, i pari shkrim i hapur i këtij lloji në gazetarinë e Kosovës kundër  politikës  serbiane të asaj kohe, ishte një gjëmë për regjimin, dhe Komenti i Bashkim Ramadanit, thirrje për braktisjen e shqiptarëve nga Lidhja e Komunistëve, ishin dy maja të fjalës kryengritëse në Televizion.

Në periudhën 1981- 1990, po edhe në vitet e pastajme, Kosova gjenocidohej vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare. Njerëzve tanë në atë kohë u digjej shpirti për atë që po ndodhte. Sa mbyllej një varr, hapej një varr i ri. Drejtësia për shqiptarët e shtypur dhe të poshtëruar nënpushtimin serb, nuk ekzistonte. Njerëzit dënoheshin pse kishin një lope të kuqe dhe një të zezë. Shqiptarët në atë peridhë nuk gëzonin kurrfarë të drejtash. Harta e Kosovës në ato vite kudo kullonte gjak. Këtë e kemi parë dhe ndjerë të gjithë.

 Në vitet 1981-1990 i gjithë sistemi komandues në Kosovë ishte në duar të pakicës serbe. Demonstratat e pandërprera të studentëve, Grevat e minatorëve, grevat e të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet serbe, diferencimet në ndërrmarrje dhe shkolla,vrasjet e ushtarëve shqiptarë në ushtri, maltretimet e çdoditshme, helmimi i nxënësve, dhe poshtërimi i shqiptarëve vetëm pse ishin shqiptarë, bën që zëri i fjalës kryengritëse dhe fotografisë në Televizion të jetë më i hapur dhe më i drejtpërdrejt.

 Marshi i madh i popullit, ose bashkimi i popullit për të mbijetuar në trojet e veta, ishte një heroizëm i paparë i popullit tonë, dhe një paralajmërim për kalim në Luftë. Ato pamje epiko-tragjike mbeten të papërsëritshme, dhe të pashprehshme. Televizioni i Prishtinës në atë kohë kudo ishte me popullin. Ekipet e televizionit brenda dhe jashtë studios në teren, bënin punën e duhur. Punonim ditë dhe natë. Koha s´priste për asgjë. Jugosllavia në çdo çast pritej të shpërbëhej. Çarja dhe thyerja e Jugosllavisë ( u pa ) ishte e përgjakshme. Inflacioni, nacionalizmi serbomadh dhe luftat nga ato çarje e thyerje, do ta shuanin përgjithmon Jugosllavinë, atë krijesë të komanduar nga serbët hegjemonist.

 Në gjithë atë katrahurë, Kosova do paguaj çmimin më të lartë; 20 mijë të vrarë, mbi 1 milion të ndjekur dhe të dëbuar, mbi 1 qindmijë shtëpi të djegura, 25 mijë vajza e gra të dhunuara, dhe një popull i tërë i plaçkitur dhe i poshtëruar, nga ata që vrasjen kishin mësim. Në tërë atë ndodhje, TVP-ja bëri atë që duhej bërë, u mbështet fort në krahët e popullit. Kontributi i Televizionit të Prishtinës, dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, është për t´u vlerësuar. Ne s´bëmë asgjë më shumë se sa kërkonte vullneti i popullit,  TVP-ja ra dëshmor si gjithë dëshmorët e kombit. TVP-ja u rrah, u ndëshkua, u vra, dhe u burgos, dhe më në fund u mbyll për veprimtarinë e saj patriotike, nga një desant që i bëri Ushtria Jugosllave. Prandaj, Unë kujtoj se TVP-ja dhe rreth 500 punëtorët e saj, e meritojnë një vlerësim institucional dhe një pllakë përkujtimore për kontributin e TVP-së, dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Publik i nderuar, rrugën nga kemi ardhur deriu këtu, askush s´ka forcë që ta mbyllë. Ajo rrugë e bërë me vuajtje jete, dhe dhimbje burgu, me ekzekutime aty për aty, me ndjekje dhe dëbime, me poshtërime e mërgime të detyruara, ngre pyetjen; sa thellë i ka hyrë plagës në trup njeriut tonë, popullit tonë. Gjenocidi i padënuar serb në Kosovë, le të hapur konfliktin me serbët gjenocidistë.

Unë kujtoj shprehet Rexhep Kasumaj, se ka një heshtje të çuditshme kombëtare për atë  periudhë të lavdishme të rezistencës sonë. Vërtet, harrimi i asaj rruge, nga kemi ardhur, nuk i bën nder, as RTK- së, as udhëheqjes së saj “harruese”. Deshën apo s´deshën RTK-ëistët, RTK-ja, rrënjët i ka në RTP, në dëshmoren e fjalës kryengritëse. Duhet thënë, se brenda RTK-së është një arkiv i tërë, i trashëguar nga TVP-ja, e që i jep frymëmarrje çdo televizioni!..Këtë ese për Fjalën Kryengritëse në Televizion e kam bërë si përgjigje kundër harresës. Eseja vazhdon!..

Dortmund, 2016

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …