Kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi të martën ka pritur në takim z. Visar Hasi, drejtor teknik i K.R.U. “Gjakova” dhe z. Hamid Mullabazi, menaxher i njësisë së K.R.U. “Gjakova” – dega në Rahovec.
Sipas postimit në profilin e tij në facebook, kryetari Latifi me zyrtarët e lartë nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Gjakova” ka diskutuar për problemet serioze që po shkakton keqpërdorimi i ujit në komunën e Rahovecit.
Keqpërdorimet janë të mëdha, të vazhdueshme dhe krejtësisht të papranueshme.
Larja e asfaltit me ujë të pijshëm nga amvisëritë, bizneset apo nga kushdo tjetër, ndalohet kategorikisht. U pajtuan që inspektorët komunalë të përfshihen në aksion për të parandaluar dhe për të ndaluar çdo formë abuzimi me ujin. Do të gjobiten të gjithë ata që e keqpërdorin këtë resurs jetik, ka shkruar ndër të tjera kryetari Latifi.