Albin Kurti pritet t’i rikthehet edhe një herë Kuvendit të Kosovës për të kërkuar votëbesimin e kabinetit të tij të ri qeveritar, tashmë të etiketuar si “Qeveria Kurti 3”. Por atmosfera politike mbetet tejet e tensionuar dhe plot pikëpyetje. Burime brenda Kuvendit bëjnë me dije se deputetët kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, ku pika qendrore e rendit të ditës do të jetë formimi i qeverisë së re. Për ta quar këtë proces përpara, Lëvizja Vetëvendosje duhet të bindë presidenten Vjosa Osmani se disponon votat e mjaftueshme për krijimin e kabinetit, një detyrë që duket gjithnjë e më sfiduese. Seanca, sipas raportimeve, pritet të mbahet gjatë kësaj jave ndërsa skadimi i afateve kushtetuese po afrohet me shpejtësi. Megjithatë, vetë kryeministri në detyrë nuk është shfaqur optimist. Një ditë më parë, Kurti deklaroi para mediave se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, duke lënë të kuptohet se matematika parlamentare mund të mos i shkojë në favor. Kështu, përpjekja për të mbijetuar në pushtet rrezikon të shndërrohet në një humbje politike me pasoja të gjera për vendin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
