Kurti takon Komisioneren për zgjerim të BE-së, Marta Kos

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në margjina të Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos të Zvicrës, ka takuar Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

Në njoftim thuhet se shumë tema kanë diskutuar bashkë Kurti e Kos, derisa bëhet e ditur se kryeministri në detyrë i ka thënë Komisioneres së BE-së se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj, sipas tij, edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status.

“U diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të vendit të cilat janë kyçe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 dëshmoi se Kosova ka vazhduar progresin në integrimin evropian. Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status”.

Bëhet e ditur se është diskutuar edhe situata gjeopolitike, Plani i Rritjes, bashkëpunimi rajonal dhe aktualiteti.

“Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin për media, nga qeveria e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Osmani merr ftesë nga Presidenti Trump për Bordin e Paqes

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesë nga presidenti i SHBA-së …