Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Londër, ka zbuluar për herë të parë detaje nga bisedimet që kishte pasur me Nismën Socialdemokrate pas zgjedhjeve. Ai ka treguar se kishte qenë i gatshëm t’i ofronte këtij subjekti disa pozita të rëndësishme institucionale. Sipas Kurtit, oferta për Nismën e Fatmir Limajt kishte përfshirë një post ministri, një pozitë të nënkryetarit të Kuvendit si dhe dy zëvendësministra, pavarësisht se partia kishte vetëm tre deputetë në Kuvend. “Kam qenë i gatshëm Nismës me ia dhënë me tre deputetë një ministër, nënkryetarin e Kuvendit dhe dy zëvendësministra. Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj ka mundur të bëhet nënkryetar, pasi kryetari dhe nënkryetari duhet të jenë të gjinive të ndryshme. Paramendojeni këtë situatë Albulena kryetare, Fatmiri nënkryetar, edhe pse ajo ka pesëfish më shumë vota”, është shprehur Kurti. Kreu i Qeverisë tha se kjo ofertë kishte qenë një përpjekje për të krijuar balancë institucionale dhe bashkëpunim politik, por, sipas tij, Nisma nuk e kishte pranuar. Deklarata e Kurtit është pritur me interes të madh, pasi zbardh për herë të parë detaje të panjohura nga përpjekjet për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
