Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar Aktgjykimin e plotë lidhur me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Ky Aktgjykim hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare, nga e cila nis edhe rrjedhja e afatit ligjor. Sipas vendimit, Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit që përfaqëson komunitetin serb. Gjykata ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit. “Të konstatojë që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kushtetueses. Po ashtu, Gjykata ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues “në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës” dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Në dispozitivin e vendimit, Kushtetuesja thekson se seanca konstituive duhet të përfundojë brenda afatit 12-ditor, sipas nenit 66 të Kushtetutës dhe në harmoni me aktgjykimet e mëparshme të saj në rastet KO193/25 dhe KO196/25. Ndryshe, Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, në seancën e 30 gushtit kishte shpallur të përfunduar seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Ky aktgjykim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përfundimin e procesit të konstituimit të legjislaturës së re, që ka mbetur i papërfunduar për shkak të mosmarrëveshjeve politike rreth përfaqësimit të komunitetit serb.
