Krijimi i shtesave ishte hap i domosdoshëm, duke pasur parasysh periudhën e Covid-19, ikjen e madhe të rinisë dhe rënien e vazhdueshme të natalitetit në vend. Deklarimet e ditëve të fundit, të lidhura me zgjedhjet në ardhje, po krijojnë një lloj ankandi elektoral, ku secili mundohet të propozojë “më shumë, më shpejt dhe më mirë” se tjetri. Shtesat nuk po shihen si mjet për tê përmirësuar mirëqenien dhe zvogëluar pabarazitë, por vetëm si mjet elektoral. Megjithatë, cilado qeveri që do ta drejtojë vendin pas zgjedhjeve të ardhshme, do të detyrohet t’i vazhdojë këto shtesa – ndoshta edhe t’i rrisë (gjë që do të ishte e mirëpritur)në bazë të inflacionit dhe sipas targetimit që duhet të kenë (sepse për momentin është e qartë që nuk kanë). Por para se ti rrisë këto shtesa, qeveria në ardhje duhet t’i hedhë në peshore, për t’i bërë ato më të drejta e më efektive. Në mënyrë që të kuptojmë sa më mirë se për çfarë është fjala, do të fillojmë nga shkaqet kryesore deri tek nevoja dhe orientimi i drejtë i këtyre shtesave.
Ikja masive dhe rënia e natalitetit : alarm në vete
Ikja e rinisë nuk është fenomen i ri, por vazhdimësia e saj tregon shumë për të ardhmen. Një sondazh i International Republican Institute (2021) tregonte se rreth 78 % e të rinjve (18-35 vjeç) pohojnë se do të largoheshin nga Kosova nëse do të kishin mundësi. Në 2023, 28% e qytetarëve mbi 18 vjeç deklaroheshin se e kanë në plan të emigrojnë në tremujorin e parë të 2024 (GAP, 2024). Gjithmonë në 2023, 57% e të anketuarve në Kosovë tregojnë se duan të largohen nga vendi (Balkan Barometer, 2023). Kjo shifër flet për një pakënaqësi të thellë strukturore, që lidhet me mungesën e stabilitetit ekonomik, mundësive për punë dhe besimit në institucione.
Në raportin e Institutit GAP thuhet se gjatë viteve 2012-2022 mbi 338 000 qytetarë janë larguar nga Kosova, ndërsa vetëm gjatë periudhës 2020-2024 rreth 151 700 persona kanë emigruar jashtë vendit. Kjo ikje prek kryesisht grupmoshën aktive (24-35 vjeç), pra pikërisht ata që mbajnë gjallë ekonominë, sistemin arsimor dhe perspektivën e zhvillimit. Në të njëjtën kohë, Kosova po përballet me një rënie të qëndrueshme të natalitetit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2022 janë regjistruar vetëm 22 632 lindje, ndërsa norma e fertilitetit është rreth 1.55 fëmijë për grua (2023) – shumë nën nivelin zëvendësues prej 2.1. Ky trend nuk e prek vetëm Kosovën (ai shihet në shumë vende evropiane) por në kontekstin tonë, ku emigrimi i të rinjve është i lartë, pasojat janë shumë më të rënda.
Kombinimi i ikjes së fuqisë punëtore me rënien e lindjeve po krijon një bilanc negativ demografik, që nëse nuk frenohet, do të ketë pasoja të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Nevoja e ekzistencës së shtesave familjare
Në këtë kontekst, politikat familjare dhe shtesat për nëna lehona e për fëmijë janë të domosdoshme. Ato synojnë të zbusin efektet e drejtpërdrejta të kostos së jetesës, të nxisin lindjet dhe të mbështesin familjet me fëmijë pa diskriminim. Dhe këtu lind problemi, tek diskriminimi : nuk mundesh me luftu dukurinë e ikjes dhe rënies së natalitetit nëse në thelb nuk lufton pabarazinë përmes politikave “sociale”. Kur mbështetja shpërndahet njësoj për familje me të ardhura shumë të larta dhe për ato që mezi arrijnë të mbulojnë nevojat bazë, pabarazia nuk zvogëlohet – përkundrazi, ajo thellohet. Varfërinë mundesh me mat si vlerë materiale (tu e marrë shportën mesatare të shpenzimeve bazike etj.), për shembull : “nëse i fiton ma pak se 200 euro në muaj si individ, atëherë je i varfër” ; “nëse i fiton më pak se 700 euro në muaj si familje me 4 anëtarë (çift me dy fëmijë), atëherë je i varfër” etj. Ose si vlerë relative : nëse je më i varfër se grupi të cilit i përket, atëherë mundesh me u ndje shumë më i varfër sesa cili do prej kalkulimeve me vlerë absolute që përmenda më lartë. Si rrjedhojë, nëse dëshirojmë të luftojmë ikjen masive dhe të krijojmë mundësi më të barabarta që në djep, këtë shtesë e kisha shpërnda në mënyrë të diskriminuar duke favorizuar ata që kanë më pak, sipas parimit të drejtësisë sociale. Dhe gjithmonë, duke u bazuar në deçilet e të ardhurave për të përcaktuar nivelin e disavantazhit social. Ne situatën e sotshme (pa ndryshuar buxhetin e shtetit), në mënyrë karikaturale kjo do të thotë që : familjes A (një çift me dy fëmijë, 2500€ të ardhura mujore) do t’i jepja për shembull 5€ në muaj për fëmijë, dhe 15€ që nuk i jap më, prej muajit që pason do t’ia jap familjes B (një çift me dy fëmijë, 600€ të ardhura mujore) shtesë. Familja A do të kalonte prej 40€ në muaj për 2 fëmijë në 10€ në muaj kurse familja B do të kalonte prej 40€ në muaj në 70€. Kjo është veç pasqyrim se çka ngjan, kalkulimet e sakta munden me i ba mandej për me përcaktu baremin e saktë se kujt sa i takon në bazë të të ardhurave.
Edhe pse çdo subvencion që lehtëson barrën ekonomike të prindërve është hap i nevojshëm dhe pozitiv, efekti afatgjatë i këtij subvencioni/kësaj shtese nuk ka efekt pozitiv as në shoqëri, as në migrim nëse nuk zbatohet në mënyrë diskriminuese dhe duke u bazuar në të ardhura. Ky instrument duhet të kuptohet si politikë sociale afatgjatë, jo si mjet elektoral afatshkurtër.
Prandaj, politikat që diskriminojnë pozitivisht në favor të atyre që kanë më shumë nevojë nuk janë vetëm politika sociale : ato janë politika që nxisin besimin në politikë dhe dashurinë ndaj vendit. Vetëm kështu fondet publike mund të përdoren me ndikim real dhe me efekt të qëndrueshëm për barazi dhe zhvillim.
Sepse në fund të fundit, shtesat para se të jenë mjet elektoral, ato duhet të jenë mjet politik i orientuar drejtë përmirësimit të mirëqenies dhe zbutjes së pabarazisë që krijon rënie të natalitetit dhe ikje të fuqisë puntore.
PS : këtu nuk po i përfshij shkaqet e tjera të brendshme që duhet ti bëjë një qeveri sikurse reformë në arsim, hapjen e qindra çerdheve publike gjithandej Kosovës (shiko çmimin e çerdhës private në qytetin tënd, pastaj pyet veten a mundesh me ja dal me rrit fëmijë) etj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
