Bllokada politike në Kuvendin e Kosovës po vazhdon edhe pas më shumë se tre muajsh nga mbajtja e seancës së parë konstituive. As përpjekja e 48-të nuk solli ndryshim në situatë, duke dëshmuar mungesën e pajtueshmërisë ndërmjet partive politike për konstituimin e legjislaturës së re. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qasjen e saj, pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila vendosi se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij, të zgjedhur njëkohësisht deputetë, nuk mund të ushtrojnë funksione ekzekutive paralelisht me ato legjislative. Në kundërshtim edhe me vendimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese për procedurat e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vazhdoi refuzimin për ta zbatuar këtë aktgjykim. Gjatë seancës së sotme, deputetëve të opozitës nga PDK, LDK dhe AAK, iu ndërpre fjala nga ana e Deharit, ndërsa përpjekja e Vetëvendosjes për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mori vetëm 51 vota, duke dështuar sërish.
