Ish-njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Lahi Brahimaj, ka kujtuar 22 janarin e vitit 1998 si një nga ditët më domethënëse të historisë së rezistencës shqiptare, duke e cilësuar atë si ditë kujtese, krenarie dhe mobilizimi për Luftën Çlirimtare. Në një shkrim përkujtimor, Brahimaj rikujton se në atë ditë, kur forcat serbe sulmuan familjen Jashari në Prekaz, ai ndodhej në Bajram Curr, në shtëpinë e Besnik Krasniqit, e cila shërbente si strehë e UÇK-së. Sipas tij, aty ishin të pranishëm edhe figura kyçe të luftës çlirimtare si Mujë Krasniqi, Ilir Konushevci, Qerim Kelmendi, si dhe bashkëluftëtarë të tjerë, ndër ta Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj dhe Xhabir Zharku. Brahimaj thekson se lajmi për sulmin ndaj Jasharajve i vuri menjëherë në lëvizje, pa asnjë hezitim, duke i shtyrë të përshpejtojnë përgatitjet për përballjen e madhe që po afrohej. Ai nënvizon se, teksa familja Jashari po i zmbrapste forcat armike në Prekaz, bashkëluftëtarët e tij arritën të fusin në Kosovë 96 armë, si pjesë e përgatitjeve për luftën çlirimtare. “Sot një pjesë e tyre nuk janë më, por lavdia e tyre jeton përjetë. Lavdi Dëshmorëve!”, ka shkruar Brahimaj, duke nderuar të rënët për liri dhe duke rikujtuar sakrificën e atyre që hodhën themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo datë, sipas tij, mbetet një simbol i vendosmërisë dhe unitetit të luftëtarëve të lirisë, që shënoi kthesën drejt rezistencës së armatosur dhe rrugës së pakthyeshme drejt çlirimit të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
