Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka theksuar se AAK-ja nuk do ta mbështesë në asnjë rrethanë kandidimin e Fatmir Limajt për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Brahimaj ka ripërsëritur qëndrimin e qartë dhe të pandryshueshëm të subjektit të tij politik, duke përjashtuar çdo mundësi që AAK-ja të japë votën për Limajn. “E kemi thënë disa herë dhe po e ritheksoj sërish – në asnjë rrethanë nuk do ta votonim Fatmir Limajn për kryeparlamentar”, ka deklaruar Brahimaj, duke lënë të kuptohet se AAK nuk e sheh Limajn si figurë të pranueshme për këtë post të rëndësishëm institucional. Ky qëndrim vjen në një kohë kur po zhvillohen diskutime intensive për konstituimin e institucioneve të reja dhe për mundësinë e krijimit të një shumice parlamentare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për afatin 30-ditor të konstituimit të Kuvendit.
