Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi në një postim të tij në facebook, ka kujtuar 147-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, duke kërkuar ta mbajmë gjallë e të kapemi fort për LIDHJEN dhe për idenë e saj, për ta jetësuar sepse ashtu si dikur, edhe sot dhe nesër, i ka bashkuar dhe i bashkon shqiptarët si komb.
Postimi i kryetarit Latifi:
147 vjet më parë, lindi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, organizim politik dhe ushtarak me karakter kombëtar.
Më 10 qershor 1878, u mbajt kuvendi themelues që i dha emër Lidhjes Shqiptare, lidhje që iu dha grusht armiqve dhe luajti rol historik në rrugëtimin e popullit shqiptar. Kjo organizatë politike-ushtarake, bëri që ky popull, jo vetëm të jetojë në këto troje dhe të luftojë për to, por edhe të përballojë me dinjitet rrebeshet e shumta.
Shqiptarët, të bashkuar me LIDHJEN dhe rreth qëllimit kombëtar të saj, ruajtën emrin, lartësuan idealin dhe me gjakun e derdhur në çdo cep të truallit të vet, dëshmuan se sa të lashtë janë në këtë truall. Shqiptarët kurrë nuk u thyen, edhe pse u goditën pandërprerë nga armiqtë grabitqarë. Lufta jonë për liri, pavarësi kombëtare dhe bashkim, asnjëherë nuk pushoi, por rrugëtuam pa u ndalur për të ardhur deri këtu ku jemi sot.
Edhe pas 147 vjetësh, kemi detyrim ta mbajmë gjallë e të kapemi fort për LIDHJEN dhe për idenë e saj, për ta jetësuar sepse ashtu si dikur, edhe sot dhe nesër, i ka bashkuar dhe i bashkon shqiptarët si komb.