Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për mënyrën se si është menaxhuar buxheti në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke theksuar se niveli qendror ka shpenzuar mbi 1 miliard euro, por vetëm një përqindje minimale ka shkuar në investime kapitale. Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, Bajrami ka theksuar se nga gjithsej 1.412 miliardë euro të shpenzuara në këtë periudhë, 1.021 miliardë janë shpenzuar nga niveli qendror dhe vetëm 391 milionë euro nga komunat. Ajo shprehet e shqetësuar për strukturën buxhetore që, sipas saj, vazhdon të përkeqësohet vit pas viti. Sipas saj, komunat kanë investuar rreth 27% të buxhetit të tyre në projekte kapitale (105 milionë euro nga 391 milionë), ndërsa qeveria qendrore vetëm 138 milionë euro nga 1.021 miliardë, që përfaqëson rreth 13% të buxhetit të shpenzuar. Bajrami e ka quajtur këtë një dëshmi të mungesës së vizionit zhvillimor dhe të paaftësisë për të lënë gjurmë në infrastrukturë apo sektorë strategjikë. Ajo ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se në pesë vitet e qeverisjes nuk ka lënë “asnjë shenjë pozitive”, duke përmendur mungesën e rrugëve, urave, hekurudhave apo kapaciteteve të reja energjetike. “Trashegimia e tij qeverisëse është baras me zero”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook, duke shtuar se edhe investimet kapitale për vitin e ardhshëm janë të planifikuara në vlerën 931 milionë euro, por në gjashtë muaj janë realizuar vetëm 243 milionë, prej të cilave 105 milionë nga komunat.
