Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, u promovua libri “Hallka më e fortë” me autore Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja, libër i cili sjell një histori gojore të të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë. Ngjarja mblodhi artdashës, studiues dhe adhurues të librit, ndërsa ceremoninë e hapi Diona Budima, duke e cilësuar botimin si një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e kujtesës kolektive.
Gjatë diskutimit, Linda Gusia theksoi se libri përbën një hallkë të fuqishme në ndërtimin e narrativës të së vërtetës, pasi përfshin rrëfimet e 20 grave që shpalosin përjetimet e tyre të dhimbshme dhe traumat e luftës. Sipas saj, rëndësia e këtij botimi qëndron edhe në dimensionin etik dhe në faktin se këto histori, kur përcillen në arenën ndërkombëtare, kontribuojnë në një kuptim më të drejtë dhe më të thellë të realitetit të luftës në Kosovë.
Bashkë autorja Garentina Kraja bëri të ditur se libri është rezultat i një pune kërkimore dhe përkushtimi rreth dhjetëvjeçar. Ajo nënvizoi se qëllimi kryesor ka qenë t’u jepet zë grave që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës nga forcat serbe, duke ruajtur identitetin e tyre, por njëkohësisht duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie për krimet e kryera. Kraja shtoi se procesi i mbledhjes së rrëfimeve ka qenë i ndjeshëm dhe sfidues, por i domosdoshëm për të sjellë në dritë një të vërtetë të heshtur për shumë vite.
Në fjalën e saj, studiuesja Anna Di Lellio iu drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe, duke vlerësuar lartë rolin e grave në shoqëri dhe qëndrueshmërinë e tyre përballë traumave të luftës. Ajo theksoi se heshtja më e rëndë mbetet ajo e fajtorëve, të cilët, sipas saj, nuk duhet të gëzojnë asnjëherë falje, ndërsa heshtja e grave është një proces kompleks, i ndërlidhur me dhimbjen dhe stigmën sociale. Disa rrëfime të të mbijetuarave u interpretuan nga aktorja Rebeka Qena, duke krijuar një atmosferë të thellë emocionale dhe reflektuese tek audienca.
Në kuadër të diskutimit u prekën edhe përvojat nga drejtësia ndërkombëtare, përfshirë proceset në Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ndaj Slobodan Milosheviqit. U theksua se në dy raste viktimat janë përballur drejtpërdrejt me agresorët gjatë dëshmive, duke u përballur jo vetëm me traumën personale, por edhe me sfidat e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare.
Ky promovim u vlerësua si një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore dhe shoqërore, që kontribuon në ruajtjen e kujtesës historike dhe në fuqizimin e zërit të të mbijetuarave, duke e kthyer librin në një dëshmi të fuqishme për të kaluarën dhe një thirrje për drejtësi në të ardhmen.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
