Libri, “Dëshira” i autorit, Ibush Reçica, dëshirë e realizuar në shumë segmente të punës dhe krijimtarisë së tij

Libri, “Dëshira” i autorit, Ibush Reçica, dëshirë e realizuar në shumë segmente të punës dhe krijimtarisë së tij

Nuk janë të shumtë  ata krijues e studiues që  nga një profesion angazhohen  edhe  në tjetrin, nganjëherë duke lënë gjurmë më shumë në profesionin e dytë, sesa në të parin. E më të rrallë janë ata që lënë gjurmë në dy apo më shumë  fusha, sikur inxhinieri, por edhe studiuesi dhe lexuesi i apasionuar i psikologjisë, filozofisë, sociologjisë, letërsisë, krijuesi i veçantë, Ibush Reçica.

Krijimtaria, është një botë e tërë dhe shumë e gjerë e shprehjes së botës emocionale, individuale, e cila ka forma të shumta të qasjes dhe të paraqitjes në mënyra ndër më të ndryshmet. Duke e kuptuar me kohë,  këtë botë të shprehjes së  mendimeve ideve, dëshirave, inxhinieri dhe krijuesi, Ibush Reçica ka bërë emër me  krijimtarinë  e tij specifike, duke i realizuar synimet e dëshirat e veta edhe në lëmin e hulumtimit, studimit dhe botimit  të veprave, të cilat kanë një rëndësi të veçantë, në radhë të parë me faktin se autori e njeh botën dhe psikologjinë e njeriut, deri në nivelin të cilin e zotëron dhe e dëshmon në publikimet e tij. Kjo e begaton edhe shumëllojshmërinë e temave dhe zhanreve krijuese letrare, në radhë të parë  hulumtuese e studimore.

Trajtimi, që ai iu ka bërë disa kategorive psikologjike, sociologjike, filozofike e fetare, në radhë të parë është pasqyrim i tij subjektiv i një realitetit të caktuar, objektiv, i atij realiteti në të cilin njeriu ballafaqohet  gjatë jetës së tij, sikur është ballafaquar dhe ballafaqohet edhe autori i kësaj vepre.

Libri i tij i fundit, “Dëshira” është më shumë se një traktat unikat, në pasqyrimin e virtyteve dhe veseve  njerëzore, një libër, përmes së cilit autori rrëfen dhe e deklamon në radhë të parë, përvojën e tij të fituar nga ballafaqimi me jetën,  por edhe nga leximi e studimi i thellë dhe produktiv në lëmi të shkencave shoqërore, veçmas në psikologji e filozofi, duke  sjellë përvojën e përgjithshme njerëzore në korpusin e  botës së të mirave dhe të këqijave, të cilat janë shumë të lidhura dhe  në luftë të vazhdueshme, njëra me tjetrën. Autorit nuk i mungon as njohja e temave Biblike e Kuranore në konceptimin e trajtesave të caktuara morale, që kanë të bëjnë me urdhëresat e ndalesat, edhe pse ato nuk janë objekt i veçantë i studimit, por janë parametra ekzistues që kanë bashkëjetuar dhe bashkëjetojnë me njerëzit, natyrën, traditën dhe historinë e qytetërimit njerëzor.

Duke u nisur nga premisa se  “dëshira në fillim është nevojë, pastaj  instinkt biologjik për mbarëvajtje dhe ekzistencë të qenies në rastin e njeriut, ajo lind si motiv  për arritje të vlerave të panumërta, vlera të cilat marrin rëndësi të veçanta në vartësi nga njeriu dhe pikëpamjet  e tij ndaj objektit dhe qëllimit që dëshiron”, Ibush Reçica arrin në përfundim se: “dëshira është një tipar që më shumë anon kah ndjenja si mjaft fundamentale, e lidhur ngushtë me veprime të nxitura nga ajo, sikur janë dëshirat specifike ekzistenciale

 

Dëshira e  përkufizuar si “prirje e brendshme për të pasur diçka a për të bërë diçka, apo synim i vetëdijshëm për diçka” që e dëshiron njeriu për veten e vet, për familjen, shoqërinë, njerëzimin, humanizmin,  është dëshirë e pastër në dobi të njeriut, apo të një komuniteti të caktuar. Pikërisht në këtë segment është pasqyruar, fenomeni i “dëshirës” në këtë vepër nga autori i librit, Ibush Reçica.

 

Autori, për këtë libër  ka shfrytëzuar një literaturë të përzgjedhur dhe mjaft reprezentative të autorëve të huaj e shqiptarë, duke e kompletuar edhe me parathënie, redaktor, recensent, lektor, recensione nga një staf profesionistësh, të cilët kanë treguar vullnet e përkushtim që libri të dalë sa më i plotë dhe më i kompletuar. Libri “Dëshira” ka 278 faqe, botoi Biblioteka Pjetër Bogdani, në Prishtinë.

 

Ahmet Qeriqi 

Prishtinë

20 shkurt 2023

Kontrolloni gjithashtu

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

Para pak ditësh në një veprimtari në Tirana International Hotel, në formë ekspozeje Dr. Skёnder …