Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Dragan Ristiq, duke konstatuar se nuk është provuar fajësia e tij për veprat që i viheshin në barrë. Vendimi u bë publik të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri. Sipas aktgjykimit, mungesa e provave të mjaftueshme ka bërë që Ristiq të lirohet nga akuzat, ndërsa masa e paraburgimit ndaj tij është ndërprerë. I akuzuari nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 27 qershor 2025, Ristiq akuzohej se gjatë viteve 1998–1999, në kohën e luftës në Kosovë, në territorin e Gjakovë, kishte marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime dhe shkatërrim të pasurisë së civilëve shqiptarë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave serbe. Në aktakuzë përshkruhej edhe një nga ngjarjet më të rënda, ajo e 10 majit 1999 në rrugën “Bajram Curri” në Gjakovë, ku persona të armatosur kishin hyrë me dhunë në një shtëpi dhe kishin vrarë dy civilë, si dhe kishin plagosur e terrorizuar anëtarët e tjerë të familjes. Po ashtu, sipas dosjes së prokurorisë, viktimat e kësaj ngjarjeje u gjetën pas luftës në varreza masive në Batajnicë, ndërsa identifikimi i tyre ishte bërë përmes analizave të ADN-së. Megjithatë, gjykata vlerësoi se provat e paraqitura nuk arritën të dëshmojnë përtej dyshimit të arsyeshëm përfshirjen e të akuzuarit në këto krime, duke sjellë kështu një vendim lirues në këtë rast të ndjeshëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
