Lufta e Çanakalasë, ishte njëra prej tragjedive më të mëdha njerëzore, të cilat nuk i kanë kursyer popujt, jo për fajin e tyre por të krerëve të tyre

Lufta e Çanakalasë, ishte njëra prej tragjedive më të mëdha njerëzore, të cilat nuk i kanë kursyer popujt, jo për fajin e tyre por të krerëve të tyre

Lufta e Çanakalasë, ishte njëra prej tragjedive më të mëdha njerëzore, të cilat nuk i kanë kursyer dhe nuk i kursejnë popujt e kombet, jo për fajin e tyre por të krerëve të tyre, jo për fitoret e tyre por për  fitoret e humbjet e krerëve  të tyre,  të cilët kërkojnë nga popujt të bëhen kurban për qëllime e tyre  “të larta”. Dhe ato qëllime ndeshen e përgjaken, duke mbrojtur secili të vërtetën e vet të drejtën e vet, për Zotin, fenë dhe atdheun e vet.

Po Çanakalaja nuk ishte vetëm një tragjedi më shumë në kujtesën njerëzore, ajo ishte diçka më tepër, ishte lufta për jetë e vdekje e dy botëve, e cila kishte filluar me kryqëzatat në shekullin 12 dhe kishte marrë fund në gjysmën e parë të shekullit 20. Tetë shekuj luftë, gjak, pushtime, rënie e ngritje, ngritje e rënie. Tetë shekuj miliona krerë njerëzish të vrarë, të gjymtuar, të katandisur e të tretur. Tetë shekuj gjak, mjerim, tragjedi familjare e kolektive të dhjetëra popujve që luftonin për dominim, sundim, çlirim dhe nuk po arrinin të qetësoheshin, sepse gjaku u kishte errësuar arsyet njerëzore, sepse sapo pushonte njëri e fillonte tjetri.

Në luftën e Çanakalasë kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë pothuajse nga të gjitha viset etnike, sepse në vitin 1915, edhe pse ishte shpallur Shteti i pavarur shqiptar, nuk ishte vendosur kufiri, ndërsa forcat ushtarake të Perandorisë Osmane ishin kudo në katër vilajetet shqiptare, në luftë për të përballura aleancën e krishterë sllave dhe evropiane, e cila nuk bënte dallim mes shqiptarëve, turqve, boshnjakëve myslimanë, hebrenjve dhe të gjithë jo-krishterëve.

Është e vërtetë e pamohueshme se shumë shqiptarë ishin mobilizuar për të shkuar dhe për ta mbrojtur Turqinë, të cilën ende e konsideronin shtet të tyre, por kishte më shumë të tjerë të cilët ishin dyndur për në Turqi,  që në fillim të Luftërave Ballkanike kur kishte filluar rrebeshi i ushtrive sllave, ruse, bullgare, serbe, në luftë për ta zhbërë Turqinë dhe gjithçka që konsideronin turke, në radhë të parë duke u mbështetur mbi baza fetare. Gjatë ikjes ishin vrarë dhjetëra mijëra, turq, shqiptarë, boshnjakë, hebrenj e të tjerë.

Fushata ushtarake e Galipolit, e njohur edhe si fushata e Dardanelleve, Beteja e Gallipolit ose Beteja e Çanakkales (turqisht: Çanakkale Savaşı), ishte një fushatë e Luftës së Parë Botërore që u zhvillua në gadishullin, Gelibolu në Turqi, nga 17 Shkurt  i vitit 1915 – deri më  9 Janar 1916. Fuqitë e Antantës, Britania, Franca dhe Rusia, u përpoqën të dobësojnë Perandorinë Osmane, një prej Fuqive Qendrore, duke marrë nën kontroll ngushticat që siguruan një rrugë furnizimi për në Rusi. Sulmi i aleatëve në kalatë osmane në hyrjen e Dardaneleve në shkurt 1915 dështoi dhe u pasua nga një ulje amfibe në gadishullin Gallipoli në prill 1915 për të kapur kryeqytetin osman të Stambollit, ish-Kostandinopojës. Në Janar 1916, pas luftimeve tetë muajsh, me afro 250,000 viktima nga secila anë, fushata tokësore u braktis dhe u tërhoq forca e pushtimit. Ishte një humbje e kushtueshme për Aleatët dhe sponsorët, veçanërisht Lordi i Parë i Admiralit (1911-1915), Winston Churchill. Fushata u vlerësua si një fitore e madhe Osmane. Në Turqi, vlerësohet si një moment përcaktues në historinë e shtetit, një ngritje përfundimtare në mbrojtjen e atdheut ndërsa Perandoria Osmane kishte rënë. Lufta formoi bazën për Luftën Turke të Pavarësisë dhe shpalljen e Republikës së Turqisë tetë vjet më vonë, me Mustafë Kemal Atatürkun, i cili u ngrit si komandanti më i spikatur  në Gallipoli, dhe  si themelues dhe Kryetari i parë i Turqisë pas perandorake.( https://en.wikipedia.org/wiki/Gallipoli_campaign).

 

Në një luftë të tillë të pothuajse tërë botës për ta zhbërë je vetë Perandorinë Osmane por edhe të gjithë popujt e saj kanë marrë pjesë aleancat më të mëdha  ushtarake të kohës, Rusia, Anglia, Amerika, Franca, madje edhe Australia e largët, Oqeania e veçmas sllavët e vendeve ballkanike, serbët, bullgarët, moldavët, grekët e shumë të tjerë. Lufta ishte me karakter botëror dhe nuk kishte vijë kufiri deri ku duhej ndalur, por ishte luftë për ta zhbërë një popull të tërë, një perandori, e cila ishte shthurur nga brenda dhe tagrin e asaj shthurjeje, por e lanin me gjak popujt, e sidomos shqiptarët,  të cilët Evropa në vazhdimësi i ka trajtuar dhe i trajton edhe sot si mbetje turke, vetëm sepse ata nuk hoqën dorë nga identiteti i tyre fetar, sikur bënë magjarët, serbët, bullgarët e shumë nga grekët, pasi ishin çliruar nga Perandoria Osmane me ndihmën e Rusisë e të Anglisë.

Beteja e Çanakalasë, aty ku thuhet se  u vranë 25 mijë shqiptarë, është sjellë  përmes këtyre fotove. Fotografi turk, Kamil Bitis ka shkruar: “Qytete nga trojet shqiptare që morën pjesë në luftën e Çanakalasë. Shqiptarët kanë derdhur shumë gjak për Perandorinë Osmane dhe Turqinë”. Babai i Turqisë moderne, Mustafë Kemajl Ataturku, e komandonte Divizionin e 19 të redifëve shqiptarë, që ishin me shumicë nga trojet shqiptare si nga: Presheva, Kumanova, Shkupi, Manastiri, Ohri, Peja, Gjakova, Vlora, Elbasani etj. Ku e kalonte numrin prej 25.000 ushtarëve vullnetarë. (https://www.fishmedia.info)

Kënga e Çanakalasë, këngë vaji e dëshpërimi edhe për luftëtarët shqiptarë, të mbetur në Turqi

Njëra ndër krijimet më të fuqishme rapsodike të folklorit popullor shqiptar është edhe Kënga e Çanakalasë, e cila është kënduar në shumë variante po thuajse në të gjitha trevat e Shqipërisë.

Kjo këngë, e cila i përket luftës së përgjakshme të forcave aleate evropiane e Aziatike kundër Turqisë, që ishte sulmuar nga të gjitha anët me qëllim të zhdukjes së shtetit turk, por edhe të banorëve të Turqisë, përshkruan fatin e luftëtarëve shqiptarë, të cilët kishin mbetur në ushtrinë turke edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shumica tyre vazhdonin të mbaheshin nizamë e redifë, disa syrsh i kishin familjet në Turqi, shumë prej  luftonin si vullnetarë me qëllim për ta ruajtur ekzistencën e shtetit turk,  shumë prej tyre me gjithë familjet ishin shpërngulur në Turqi nga represioni fashist që ushtronin popujt sllavë gjatë luftërave ballkanike, që kishin për qëllim ta zhduknin edhe qenien shqiptare, atë turke por edhe shtetin e sapoformuar shqiptar. Lufta, që këndohet në këtë këngë,  ka të bëjë me betejën e Çanakalasë, e cila u zhvillua në Luftën Parë Botërore gjatë viteve 1915-1916, në mes forcave detare angleze të përkrahura edhe nga anijet franceze me gjithë ushtrinë dhe makinerinë luftarake të fuqive aleate të Antantës, të cilëve me potencial njerëzor u arritën ndihma me vullnetarë edhe nga vende shumë të largëta si Australia dhe Zelanda e Re.

Ushtria Osmane zhvilloi operacion të jashtëzakonshëm, që përfundoi me fitoren e ushtrisë Osmane, përkundër viktimave të mëdha në të dy anët. Autori turk,  Mehmet Nijazi Ozdemir, në veprën e tij për Çanakalanë thekson se përveç forcave detare dhe ato këmbësore turqit kishin humbë 210.000 njerëz, duke përfshirë këtu edhe mijëra kuadro intelektuale.  Sipas përqindjeve jo zyrtare viktima të mëdha kishte në mesin e mësuesve, studentëve të mjekësisë, përgjithësisht nga mesi i njerëzve të arsimuar, në mesin e tyre edhe mijëra shqiptarë sidomos nga Kosova dhe viset shqiptare të mbetura nën Serbi e Bullgari.  Sipas një versioni kjo betejë u zhvillua me motivin që Forcat e Antantës me çdo kusht dëshironin dominimin dhe pushtimin e tyre në Bosfor dhe Dardanele, qëllimi i të cilëve ishte ta merrnin Stambollin nën kontrollin e vet, sipas skenarit të përgatitur që më parë nga vetë fuqitë aleate të Antantës për t’i ndarë territoret e mbetura të ish Perandorisë së fuqishme Osmane. As një ushtri tjetër në botë kaq gjatë nuk do të mund të qëndronte mbi këmbët e veta.

Në disa raporte të Fuqive të Mëdha lidhur me këtë  ditor të Betejë, thuhet: Vetëm sot kemi hedhur mbi 1800 granata. Anijet tona  me muaj të tëra i bombardojnë pozitat e tyre. ( Komandanti suprem i forcave aleate: gjenerali Xhon  Hamilton)…

“…Nuk më ka rastis të shoh ende asnjë popull sikurse këta luftëtarët tanë  të cilët duke qeshur krah për krah shkojnë drejtë vdekjes…” (Komandanti i ushtrisë pestë osmane: mareshali Liman von Sanders).

“Ne na mundi jo forca materiale e turqve, por forca moralo-shpirtërore e tyre! Sepse atyre s’u pati mbetur as barut për të qëlluar! Kurse ne i vëzhguam forcat që zbrisnin nga qielli!” (Komandant anglez, historiani Hamilton i cili kishte marrë pjesë në luftën e Çanakalasë).

Me këtë rast është interesant të theksohen edhe deklaratat e ish ministrit anglez të luftës Vinston Çerçil, i cili gjerë atëherë ua kishte mbushur mendjen aleatëve, veçanërisht qeverisë angleze që lëkundej, për ta marrë vendimin e sulmit, duke u dhënë garanci pas garancie duke iu shprehur atyre që të mos bëhen merak “se pikërisht me ato rrobe marine që kishte mbi trup do të ulej mbi fronin e turqve”, ndërsa ishte nxjerrë para gjykatës pas disfatës, në një çast kur ishte vënë shumë ngushtë nga pyetjet e rënda e qortuese të trupit gjykues, bërtiti kështu: “A nuk e kuptoni se në Çanakala ne luftuam jo me turqit, por me Zotin? Dhe, natyrisht që do të mundeshim!…”

Në versionin shqiptar të këngës së Çanakalasë  përshkruhet fati i një populli të mbetur nën kthetrat e ushtrive të krishtera, ruse, serbe, bullgare, greke, franceze, angleze që bënin përpjekje ta zhduknin Turqinë.

Shtrohet pyetja përse shqiptarët ndihmuan turqit në çanakala?.

Kjo ndodhi me faktin se qindra mijëra shqiptarë jetonin në Turqi dhe qindra mijëra të tjerë u shpërngulën nga trojet e Shqipërisë, qysh në fillim të vitit 1912, për shkak se llava shtazarake  sllave po derdhej si lubi shumëkrerëshe kundër shqiptarëve, turqve dhe hebrenjve. Për të përkujtuar mizoritë që bënin bishat sllave, mjafton të përkujtojmë vetëm raportet e intelektualit rus, Leon Trocki, i cili duke qenë reporter lufte në frontet serbe në Kosovë, Kumanovë e Shkup ka përshkruar shumë nga mizoritë, që ushtarët serbë, rusë e bullgarë ushtronin kundër popullatës së pambrojtur shqiptare. Në një katrahurë të tillë, kur qenia shqiptare ishte sulmuar nga të gjitha anët, qindra mijëra shqiptarë ikën për në Turqi. (RKL: Leon Trocki, një personalitet jo sa duhet i njohur për shqiptarët,  5. 1. 2016).

Ata, kishin humbur Vatanin, por luftonin për ta mbrojtur vendin, që i kishte mirëpritur dhe shtetin në të cilin kishin bashkëjetuar afër 500 vjet. Këtu qëndron esenca e rezistencës heroike të shqiptarëve në Çanakala, këtu qëndron edhe motivi i kësaj kënge homerike, e cila përshkruan detale të tmerrshme të një lufte shumë të pabarabartë, por një luftë për jetë a vdekje, sikur kanë luftuar shqiptarët gjithnjë gjatë historisë së tyre.

Kënga e Çanakalasë këndohet edhe sot në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Në esencë është një këngë turke, po ashtu me melodi turke, por që është përkthyer në disa gjuhë të popujve të Ballkanit. Këndohet edhe greqisht, madje është kënduar nga këngëtarja më e njohur greke e të gjitha kohëve, Roza Eshkenazi, pastaj është kënduar dhe këndohet edhe në Bullgari e Maqedoni.

ELBASAN (AA) –  MALIK HASA/FATJON CUKA –

Betejës së Çanakalasë iu janë kushtuar shumë këngë, ku jehona e tyre ka kaluar kufijtë e Turqisë dhe këto këngë kanë depërtuar në vendet e Ballkanit. Shqiptarët, si pjesëmarrës në këtë  luftë, nuk kishin si edhe të mos këndonin dhe trashëgonin këngët për Çanakalanë. Sot një ndër qytetet në Shqipëri që e ka bërë pjesë të tij këtë këngë dhe e ka trashëguar ndër breza të ndryshëm këngëtarësh është Elbasani, ndërsa njëri prej këtyre këngëtarëve të muzikës popullore shqiptare që ka kënduar këngën e Çankalasë është Medi Zena, i cili ka lindur në këtë qytet. ( Medi Zena, këngëtari nga Elbasani që i këndon Çanakalasë në shqip)

Ahmet Qeriqi, nëntor 2008.

 

 

Variant i Këngës së Çanakalasë

 

Çanakala u nisa

Une prej Stambollit

lumja nana ku po më qon

karshi dushmanit

vaj medet për të rijtë tane

 

Çanakala mrena

një bunar midis

mos ja pini ujin o vllazen

e kanë zeherlis

 

Çanakala mrena

topi bubullon

aty ku bjer gjylja,  vlla

uji po gufon

vaj medet për të rinjtë

 

Çanakala mrena

u vrava u varrova

tre ditë pa më dal shpirti vlla

vorrin kërkova

vaj medet për të rinjtë

 

Çanakala mrena

nisi me ra shi,

ah, në atë zaman të shpirtit o vlla

m’ mur malli për shpi

 

Dola prej Stambolli

me pa selamet

nanes edhe babës,vlla

ymri ju këput krejt

vaj medet,për të rijtë

 

 

 

Literatura:

https://en.wikipedia.org/wiki/Gallipoli_campaign.

Mehmet Nijazi Ozdemir: Lufta e  Çanakalasë.

Komandanti suprem i forcave aleate: gjenerali Xhon  Hamilton.

Komandanti i ushtrisë pestë osmane: mareshali Liman von Sanders.

Komandanti anglez, historiani Hamilton i cili kishte marrë pjesë në luftën e Çanakalasë.

RKL: Leon Trocki, një personalitet jo sa duhet i njohur për shqiptarët,  5. 1. 2016.

05/01/2016 https://www.fishmedia.info

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …