Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike po e rrezikon seriozisht produktin vendor dhe qëndrueshmërinë e bizneseve në vend. Sipas tij, nxjerrja e bizneseve në tregun e lirë ka sjellë rritje të faturave të energjisë nga 200 deri në 400 për qind, duke e rënduar ndjeshëm koston operative të kompanive prodhuese. “Ndikimi ka qenë i drejtpërdrejtë në rritjen e faturave dhe kostoja e energjisë elektrike reflekton menjëherë në çmimin e produktit. Në vend që ta stimulojmë dhe subvencionojmë produktin vendor, ne e kemi ngarkuar atë me rritjen e çmimit të energjisë”, ka deklaruar Rafuna. Ai ka theksuar se për shkak të kostos së lartë, produktet vendore po bëhen më të shtrenjta se ato të importuara, çka ka sjellë rënie të kërkesës në tregun e brendshëm. Rafuna bëri të ditur se disa kompani tashmë janë mbyllur, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së aktivitetit në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, veçanërisht në zonën e Kukësit. Sipas tij, nga të dhënat që marrin nga anëtarët e Odës Ekonomike, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë aktualisht është ndër më të lartit në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
