Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo parti ka shënuar fitore dhe epërsi në 12 komuna të vendit, duke e cilësuar këtë si një rikthim historik të LDK-së në skenën politike komunale. Në një konferencë për media, Abdixhiku tha se “12 tetori është dita e 12 komunave të LDK-së”, duke përmendur fitoren e qartë në Istog, Lipjan dhe Junik, si dhe epërsinë në Pejë, ku pritet konfirmimi përfundimtar pas numërimit të votave të diasporës. “LDK në këtë konferencë për media konfirmon se ka fituar, prin dhe është në garë me gjithsej 12 komuna. 12 tetori është i 12 komunave të LDK-së”, theksoi Abdixhiku.cAi u shpreh se LDK pas 12 vitesh rikthehet si partia e parë në kryeqytet, duke fituar shumicën si për kryetar të komunës, ashtu edhe për Kuvendin Komunal të Prishtinës. “LDK pas 12 vitesh kthehet si partia e parë edhe për kryetar, edhe për Kuvend Komunal në Prishtinë”, deklaroi ai. Në konferencë ishte i pranishëm edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, të cilin Abdixhiku e uroi për rezultatin në garën kryesore. “Urojmë fituesin e garës kryesore në këto zgjedhje, Përparim Ramën”, tha Abdixhiku.
