Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar me gratë aktiviste të partisë, asambleista të zgjedhura dhe kandidate për deputete, duke theksuar rolin kyç të tyre në rikthimin e shpresës dhe fuqizimin e politikës qytetare në vend. Abdixhiku ka deklaruar se në çdo bisedë me gratë e LDK-së ka vënë re dashurinë dhe vendosmërinë e tyre për ta çuar Kosovën përpara. Ai i ka përshkruar ato si gra të forta, profesioniste dhe të përkushtuara, që i japin politikës frymën e qytetarisë dhe të ardhmes. “E ardhmja që duam fillon me to! Forca që na duhet nis me to! Prandaj me gratë aktiviste zgjedhim shpresën,” ka shkruar Abdixhiku në postimin e tij. Gjatë takimit, ai ka folur për angazhimin e grave në fushata, për takime me familje dhe komunitete anembanë Kosovës, duke theksuar se ato duhet të jenë shembull për çdo vajzë të re që ëndërron një të ardhme më të mirë. “Ne do të rikthejmë shpresën bashkë; me gratë në ballë të ndryshimit,” ka përfunduar Abdixhiku, duke nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes dhe lidershipit të grave në politikën kosovare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
