Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve të votave të ardhura nga diaspora, ku sipas të dhënave, LDK-ja ka dalë forca e parë politike. Abdixhiku falënderoi mërgimtarët për mbështetjen, duke e cilësuar këtë si rezultatin më të mirë që partia e tij ka marrë nga jashtë vendit që prej shpalljes së pavarësisë. “Ju faleminderit mërgatë! Tetë muaj pas gjithë asaj zhurme për mbështetjen e LDK-së, mërgata foli sërish – dhe foli qartë. LDK del e para me 30.25 për qind të votave nga gati 30 mijë votues jashtë Kosovës. Kjo është një fitore e qartë për punën tonë të vazhdueshme dhe lidhjen e drejtë që kemi me njerëzit tanë jashtë vendit,” shkroi Abdixhiku. Ai theksoi se ky sukses tregon se besimi dhe idealet politike e tejkalojnë çdo propagandë. “Ky është një rezultat që dëshmon se besimi mbyt zhurmën, ideali e zhbën propagandën. Jemi krenarë e mirënjohës për këtë besim që na është dhënë. Lidhja Demokratike i qëndron kohës, sepse qëndron në vlera,” shtoi kreu i LDK-së. Sipas Abdixhikut, ky rezultat është një nxitje për partinë që të vazhdojë me politikën e saj “të përgjegjshme dhe të matur”, që sipas tij, po fiton gjithnjë e më shumë besim në vend dhe jashtë tij.
