Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas konstituimit të Kuvendit, duke e quajtur të paarsyeshme vonesën mbi njëmuajshe për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Abdixhiku tha se Kuvendi dhe institucionet kanë rënë në “një nivel të ulët intelektual dhe institucional”, duke vlerësuar se një pozitë, siç e cilësoi ai “e parëndësishme”, nuk do të duhej të bllokonte funksionimin e vendit për 35 ditë. “Kur erdhëm në këtë pikë të rënies kaq të madhe intelektuale, republikane dhe institucionale? Për një pozitë kaq të parëndësishme me u vonu vetëm një ditë është shumë, e lëre më 35 ditë. Partia fituese ka thënë se i ka numrat, le ta shohim a i ka vërtet”, deklaroi Abdixhiku. Kreu i LDK-së tha gjithashtu se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të reja, duke lënë të hapur mundësinë e një procesi të ri elektoral në rast të mungesës së stabilitetit politik. “Me siguri do të shkojmë në zgjedhje të reja, por të shohim”, shtoi ai.
