Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj zërave për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shantazh politik”. Sipas tij, shpërndarja nuk mund të ndodhë vetëm pse Kuvendi nuk po arrin të konstituohet, por vetëm në rast se dështon zgjedhja e Qeverisë. “Ky është problem i partisë së parë, jo i deputetëve individualë”, tha Haziri, duke kritikuar mungesën e përpjekjeve nga ana e Vetëvendosjes për të arritur një marrëveshje politike. Ai shtoi se ftesat ironike dhe cinike për koalicione nuk ndihmojnë situatën dhe theksoi se “marrëveshjet politike bëhen me mirëbesim dhe në përputhje me frymën kushtetuese”. Haziri përmbylli duke thënë se në Kosovë nuk ka fitues absolut, por parti që duhet të ulen me të tjerat për të gjetur zgjidhje.
