leoni

Majlinda Rama: “Hireve letrare” të Nasho Jorgaqit

Nasho Jorgaqi njihet si një ndër autorët më në zë të letërsisë shqipe, si shkrimtar e studiues shumëplanësh. Ai ka gjallëruar kulturën letrare si një paramodel dhe është bërë udhërrëfyes i shkencës së letrave. Dhe, pikërisht, si një mjeshtër i shkrimit shkencor dhe artistik, ai studion, qëmton e  hulumton deri në detaje ngjarje e dukuri letrare e kulturore në kohë të ndryshme, ndërsa hedh dritë edhe mbi  letërsi dhe autorë të panjohur ose më pak të njohur, tregues i një misioni ky që vetëm studiuesit e mirëfilltë e posedojnë.

 

Pas një sërë veprash studimore e dokumentare, si: “Silueta letrare” (1976), “Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944” (1979), “Poetika e dokumentit” (1987), “Estetika e fjalës shqipe” (1996) etj., Nasho Jorgaqi vjen sërish me një kontribut të vyer studimoro-analitik, “Hire letrare dhe shpalime poetike”.

 

Qysh në hyrje të librit, autori depërton në lirikën shqiptare, duke marrë në shqyrtim  krijime përgjatë brigjeve vjetore 1914-1944.  Hapësira kohore mes këtyre dy kufijve, siç e prek autori, kaloi me ngjarje të shumta historike të cilat do të reflektoheshin edhe në letërsi. Poetët e traditës, si: Fishta, Mjeda apo Asdreni, janë paraqitur nga studiuesi si poetë që dëshmuan lirikë të suksesshme, edhe pse Fishta shfaqet se e lëvronte lirikën në mënyrë honorifike. Por, studiuesi shkon edhe më larg, deri te “Meshari” i Buzukut, duke sjellë elemente të lirikës në të.

Po ashtu, lirika e Konicës, edhe pse episodike, sipas studiuesit, “tregonte se muza e këtij poeti rilindës këndonte prore”, duke cituar vjershën antologjike “Helena e Trojës”, ndërsa ritmika e lirikës së sjellë në këtë botim, kap, padyshim, emra të tjerë të njohur të poetikës shqipe, si: Poradeci, Ali Asllani, për të vijuar më tej me vokacionin e Ernest Koliqit apo Mitrush Kutelit.

 

Është interesante pikëpamja gjithnjë më konstante dhe stabile e studiuesit Nasho Jorgaqi. Me një metodologji dhe këndvështrim empirik, autori paraqet një panoramë atraktive edhe të prozës së shkurtër shqipe, duke u ndalur në prozën e viteve 1685-1944. Si një njohës gjithëplanësh i letërsisë dhe shkencave rreth saj, autori, në këtë sekuencë historiko-letrare, kujdeset që t’u japë lexuesve inspirim deri në motiv, nëpërmjet një pasqyre të qartë të autorëve të këtij plani zhanror letrar, duke sjellë studime e artikuj të qartë, pa tepri, me bosht estetik.

Paraqitja e e elementeve prozaike këtu, është  një vështrim profesional, depërtues, që zgjon lexime të reja të prozës së shkurtër, por edhe sjell qasje të rrallë  lakuara më parë, sepse kjo është e veçanta e prof. Nashos: rrëmon, shpalon, duke i dystuar ato në nivele të larta ligjërimi.

 

Po ashtu, autori skanon “Rubairat” e Omar Khajamit nën shqipërimin e Sejfulla Malëshovës, për të mbërritur te Muhamed Ademi, një autor nga Shkodra i panjohur në letërsi për nga paraqitja, por jo për sa u përket vlerave. Dhe, janë pikërisht dalje të tilla, kërkuese e këmbëngulëse, me zbërthime dhe zbulime të skutave për periudha e protagonistë të lënë në hije të letërsisë që e kanë bërë Nasho Jorgaqin të ketë gjithmonë produksione e punime letrare, që kalojnë në zgrip të jetës kulturore e artistike.

 

Autori vjen më tej me një udhëtim specifik në “Dëshmitë e panjohura të Sami Frashërit”, për të kaluar te rrugët plot ngjarje të emigrantit shqiptaro-amerikan, Nelo Drizari dhe “Kënga e Irenës” së tij, për të zhbiruar mandej ulluqeve të kujtimeve të Nikolla Lakos. Por lupa studimore e Nashos kërkon tej territoreve shpifolëse. Ai, me kujdes sjell atin e haikut, siç e quan autori,  duke nxjerrë në dritë pinjollin e samurajve nga Japonia e largët, Macuo Basio, haikutë e të cilit i artikulon si miniaturë lirike, vizatime monokrone, të cilat janë të vetëtishme, sipas tij.

 

Gjithashtu, me rëndësi e qasje tejet interesante vijnë edhe vështrimet e thelluara për “Kontributin arbëresh për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë”, apo  “Miqësia e hershme e L. Pirandelos me Xh. Skiroin”. Padyshim që ato prezantohen përmes një gjuhe letrare të skalitur, me të vërteta historike që dëshmojnë seriozitetin me të cilin punon studiuesi edhe si hulumtues, edhe si letrar, edhe si historian. Stëralli i Nashos ndez shkëndija zjarri në shkencën letare, të cilat përcjellin dije përmes trinomit profesionalizëm-pasion-zell, simbiozë që lë pasuri të çmuara në trashëgiminë studimore të këtij studiuesi.

 

Por, siç dihet, Nasho Jorgaqi është paraqitur në komunitetin e kritikës dhe studimeve letrare shqipe, si një studiues që dashuron fort veprimtarinë e Nolit, të cilin e sjell këtë herë  nëpërmjet imazhit të jashtëm fotografik, duke e lidhur këtë pjesë me botën e brendshme, si një personalitet që arriti të kryente gjithfarë punësh e detyrash, pasi, sipas tij, “prapa imazhit fotografik… fshihet jeta e personazhit, janë fiksuar sekuenca të një realiteti jetësor”.

 

Autori, me një perfeksion sintetizues, krijon kështu një tjetër përmbledhje të qëndrueshme, dominante, të rëndësishme në kalendarin studimor e letrar, duke përfshirë sisteme zhanrore, trajta të qenësishme, të gjitha sipas një vëzhgimi me origjinalitet të spikatur. Interpretimet në këtë libër janë të një influence të veçantë në interkomunikimet letrare kombëtare.

 

Duhet thënë se Jorgaqi, edhe më herët, ka arritur të realizojë studime të vlefshme nga më të veçantat, duke u dalluar për fuqi hulumtuese-interpretive, të paraqitura këto me gjuhë të ngritur në art, ku gërshetohet padiskutim formimi i gjithanshëm i tij, si një figurë poliedrike.

 

Prurjet e Nasho Jorgaqit janë bërë një portë e hapur që lexuesi dhe studiuesi ta gjejë rrugën të shtruar për t’u njohur me vise letrare, sepse ky inkorporim është  një vetëdije mes palësh për  një komunikim integral.

Në botimin “Hire letrare, shpalime poetike”, Nasho Jorgaqi, dukshëm ka sjellë një pamje koherente të artit shkrimor-studimor bashkëkohor, si studiues që e njeh “thembrën e Akilit” në gjithë universin e gërmimeve në letërsinë shqipe, porse, po të vëmë re, në paraqitjet që bën në këtë libër, autori ka një përshkrim specifik, ku ndërthur kontekstin e botës letrare me studimin e thelluar dhe elementeve historike apo historiko-letrare.

Studiuesi vjen me një koncept të qartë, me performancë të shkëlqyer estetike e studimore, me rreze të gjerë ndikimi.

 

Rrafshi gjuhësor, skema strukturale dhe tematika, parashfaqin një  dimension të shumëllojshëm. Ai njeh dhe krijon kategori letrare të një raporti fenomenal. E, natyrisht, merita e padiskutueshme i takon autorit për gurët që ka ngjitur në themele të kulturës sonë kombëtare, duke na paraqitur në kohë të ndryshme vepra studimore të një lloji të veçantë, me interpretime substanciale.

 

Nasho Jorgaqi është dhe mbetet një ndër studiuesit më të kompletuar, i cili i ka dhënë një status më të lartë shkencave të kritikës letrare. Me punë insistuese, sistematike, misionare, ai ka avancuar fushën e studimeve, prandaj meriton të çmohet dhe admirohet nga kombi shqiptar, si një majë Olimpi i dimensioneve të larta, i cili i ka dhënë vulë identitare artit, kulturës e letërsisë sonë.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …