Frank Shkreli: Një shikim prapa në histori-rivendosja e lidhjeve shqiptare amerikane


( Me rastin e 24-vjetorit të rilidhjes së Marrëdhënieve  Shqiptare-Amerikane)


 


  5 Marsi, 1991 është data kur u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike amerikano-shqiptare, pas një ndërprerjeje prej pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste.   Një javë më vonë në Tiranë arrijti delegacioni i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara, që autori i këtyre rreshtave pati nderin dhe privilegjin të ishte pjesë e tij.  Ishte kjo hera e parë në 50-vjetë që diplomatët amerikanë shkelën në Tiranë. 


Si shënim të asaj vizite prej pothuaj një muaji, po sjellë artikullin e bashkangjitur – mesa mbajë mend i vetmi artikull i një gazete shqiptare me rënëdësi të asaj kohe — botuar në gazetën Rilindja Demokratike (RD) që sapo kishte filluar të botohej si organ i Partisë Demokratike të Shqipërisë, shkrim në të cilin përshkruhet  arrijtja e delegacionit amerikan në Tiranë dhe takimi i parë me përfaqsues të Partisë Demokratike. Delegacioni amerikan kishte caktuar një ditë pas arrijtjes në kryeqytetin shqiptar, takimin e parë me përfaqsues të Partisë së re të sapo formuar.  Ndonëse, me sa u informuam në atë kohë, asnjë gazetë e regjimit dhe as radio televizioni shtetëror nuk njoftuan fillimisht arrijtjen e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Tiranë, gazeta RD e botoi njoftimin e takimit në faqën e parë të saj, të datës 23 Mars, 1991, por siç mund të shihni nga artikulli, pa ndonjë eufori dhe pa asnjë koment të drejtë për drejtë ose të tërthortë mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje – sigurisht pa shfaqje euforike që u akordohet sot lidhjes së marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane nga zyrtarët dhe nga media shqiptare.   As takimet e mëvonshme të delegacionit të parë amerikan me faktorë të tjerë politikë të vendit,  nuk u pasqyruan në shtypin zyrtar të kohës. Kuptohet se regjimi i Ramiz Alisë ishte gjithnjë në fuqi dhe duket se gjithkush ishte tepër i kujdesshëm mbi ato që shkruanin.  Por, ama mungesa e entuziazmit zyrtar për praninë e delegacionit të parë amerikan, më shumë se u trefishua nga pritja tepër entuziaste që i bënë delegacionit shqiptarët e thjeshtë anë e mbanë vendit, nga Shkodra e deri në Vlorë.


Ndërkaqë, të hënën në Tiranë, “Qendra Shqiptare e Politikave” organizoi konferencën me titull “24 vjet partner strategjik”, me rastin e 24-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike shqiptaro-amerikane ku mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu si dhe zyrtarë të tjerë, e të cilët sipas Zërit të Amerikës, në atë tubim ata theksuan marrëdhënjet e shkëlqyera që ekzistojnë tani midis Washingtonit dhe Tiranës dhe njëkohsisht u zotuan për bashkpunimin midis dy vendeve për përballimin e sfidave aktuale.


Mirëpo, nga këndveshtrimi 24-viteve më parë, si dëshmitar i atij mjerimi të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik të regjimit komunist i cili kishte kaplluar Shqipërinë e Marsit të vitit 1991, është vështirë të besohet se sot 24-vjetë më vonë, populli shqiptar, siç tha edhe ambasadori Lu të hënën, vazhdon të përballet me ose të vuaj nga trashëgimia e regjimit komunist. Por megjithkëtë, si atëherë ashtu edhe sot, siç theksoi edhe  Ambasadori Lu në konferencën e Tiranës, “Shtetet e Bashkuara besojnë në Shqipërinë”. Atë besim kishin edhe 24 vite më parë ku u rivendosën marrëdhënjet diplomatike. Besimin se duke marrë parasyshë trashëgiminë dhe pasojat e tmershme të regjimit komunist në shoqërinë shqiptare, Shqipëria do të shkundte njëherë e mirë trashëgiminë e njërit prej regjimeve më të egëra komuniste të botës mbrenda një kohe të shkurtër dhe se do të dinte të çmonte lirinë dhe demokracinë me qëllim të ndërtimit të një jete më të mirë për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve. 


Në konferencën kushtuar 24-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis dy vendeve, Ambasadori Lu theksoi gjithashtu të hënën në Tiranë se, “Shtetet e Bashkuara besojnë në Shqipërinë, dhe jo në ndonjërën parti politike ose udhëheqës të vetëm politik. “Ato besojnë”, theksoi diplomati amerikan, “në afëtësinë e shqiptarëve të guximshëm që të ndërmarrin bërjen e ndryshimeve të nevojshme dhe që të bëjnë sakrifica për veten dhe për fëmijtë e tyre.”  


Është ky një mesazh i rëndësishëm që duhet të përsëritet shpesh nga diplomatët amerikanë, se marrëdhënjet midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar janë midis dy popujve, dhe nuk mund të ndryshojnë, të përdoren ose të keqpërdoren si t’i teket një partie politike të rastit ose një udhëheqsi të përkohëshëm politik.  Si të tilla, ato marrëveshje duhet të bazohen jo vetëm në marrëdhënjet politiko-ekonomiko-ushtarake, por mbi të gjitha duhet të bazohen në vlera të përbashkëta, në këtë rast në vlerat perëndimore. Jo se Amerika dhe perëndimi në përgjithësi janë shoqëri të përsosura dhe pa gabime e pa probleme, por marrëdhënjet e Amerikës me shumë vende, sidomos me ato të Europës Perëndimore, janë të bazuara, mbi të gjitha, në vlerat e përbashkëta njerëzore që historikisht ndajnë me ato shtete dhe popuj, pa marrë parasyshë se cila parti ose cili udhëheqës është në pushtet në një kohë të caktuar.  Të tilla duhet të jenë edhe marrëdhënjet midis Washingtonit dhe Tiranës, të bazuara në vlerat e përbashkëta të një shoqërie e cila duhet të distancohet tanimë njëherë e mirë nga trashëgimia e tmershëme e komunizmit duke luftuar krimin, dhunën dhe korrupsionin. 


Në këtë 24 vjetor të marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane, le të shpresojmë me ambasadorin më të ri amerikan në Tiranë i cili, në emër të shtetit që ai përfaqëson, shprehu besimin e tij se më në fund, “Shumica e shqiptarëve të cilët janë të ndershëm dhe me integritet do të triumfojnë mbi ata të cilët përfaqësojnë krimin, dhunën dhe korrupsionin.”


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu u angazhua se vendi i tij do të vazhdojë t’i mbështesë shqiptarët në këtë betejë të rëndësishme. Kjo është një mbështetje e nevojshme, por kjo luftë kundër “krimit, dhunës dhe korrupsionit”, nëqoftse do të dalë me sukses, është një luftë që duhet të bëhet nga shqiptarët dhe se fitorja kundër këtyre të këqiave duhet të sigurohet gjithashtu nga vet shqiptarët, për një të ardhme më të ndritur të kombit shqiptar dhe për të mirën e marrëdhënjeve më të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, bazuar mbi të gjitha, në vlerat e përbashkëta njerëzore.


 


 


 


Frank Shkreli: Konfuzioni i pesë anarkive te shqiptarët, -në 50 vjetorin e vdekjes së Fan Nolit


 


Ish kryeministri i Shqipërisë dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Peshkop Fan Noli ndërroi jetë me 13 Mars, 1965 në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida në Shtetet e Bashkuara, nga një sëmundje e rëndë në moshën 83-vjeçare.  Ai kishte jetuar atje gjatë disa viteve të fundit të jetës së tij pothuaj i izoluar nga jeta aktive politike dhe shoqërore.


 


I përndershmi Imzot Fan Noli konsiderohet si njëri prej më të dalluarve të politikës shqiptare të shekullit të kaluar, si një ndër më të njohurit udhëheqës fetarë shqiptarë si dhe ndër më të shquarit  shkrimtarë, poetë e përkthyes, ndër të tjera.  Në moshë të re ai kishte emigruar në Boston të Shteteve të Bashkuara, ku më 1908 themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare.  Fan Noli gëzon një vend të rëndësishëm në letërsinë shqiptare dhe si përkthyes i veprave letrare me fame botërore. Talentet e Nolit në fushën e letërsisë, përkthimit dhe të poezisë njiheshin edhe jashtë botës shqiptare.  Në Korrik të vitit 1964, me rastin e 400-vjetorit  të Shekspirit, së bashku me disa personalitete të letërsisë botërore, Fan Noli ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Lyndon Johnson për të marrë pjesë në përkujtimin e rastit.


 


Fan Noli diplomohet në njërin prej universiteteve më të dalluar të Amerikës dhe të botës, në Universitetin Harvard. Ai zhvilloi një aktivitet të ngjeshur politik dhe shoqëror në komunitetin e atëhershëm shqiptaro-amerikan në Boston të shtetit Masaçusets, ku shërbeu si President i Organizatës Pan-Shqiptare Vatra dhe organit të saj gazetës Dielli, duke e bërë atë de fakto udhëheqësin kryesor të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. 


 


Si njëri prej arkitektëve të një partie politike shqiptare të tipit perëndimor, ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë në fillim të 1920-ave. Me përpjekjet e tija diplomatike në mbështetje të Shqipërisë dhe të sovranitetit të saj, ai mundi të siguronte përkrahjen e Presidentit amerikan të kohës së tij, Woodrow Wilsonit për shtetin e ri shqiptar dhe me zotësitë e tija politike dhe falë rolit të tij diplomatik, Fan Noli siguroi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve — para-ardhësen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara – duke i siguruar vendit të tij njohjen ndërkombëtare brenda kufijve të sotëm, njohje që i mungonte deri atëherë shtetit të ri shqiptar.


 


Me ardhjen e Mbretit Zog në fuqi, Fan Noli detyrohet të arratiset në Evropën Përendimore, duke i dhënë fund një eksperimenti politik shqiptar që konsiderohet nga disa si periudha e lirisë së vërtetë dhe e një parlamentarizmi të pashoq të në jetën politike shqiptare gjatë viteve 1921-1924.


 


Gjendja e kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar ishte e mjerueshme. Ndërkohë që popujt ballkanikë po i jepnin grushtin e fundit sundimit shekullorë të perandorisë otomane, shqiptarët të ndarë e të përçarë në krahina e besime të ndryshme dhe me paragjykime dhe inate ndaj njëri tjetrit, po kalonin nepër një konfuzion dhe njëkohsisht po përballeshin me një anarki politike, shoqërore dhe morale. Ndër shqiptarët, sundimi otoman kishte lënë gjurmë prapambeturie mjesjetare që nuk do të fshiheshin kollaj. Ishte kjo një periudhë kur populli shqiptar rrezikohej nga armiqtë shekullorë të kombit shqiptar, ndërsa vetë shqiptarët kërcënoheshin nga një anarki politike e brendshme, e cila rrezikonte jetën e përditshme dhe sado pak pasuri që posedonin shqiptarët e thjeshtë.  Ishte kjo gjendja e vërtetë me të cilën përballej Fan Noli në fillim të 1920-ave, një errësirë kombëtare dhe morale kjo e cila, për fat të keq, do të afektonte të ardhmen e kombit dhe fatet e tija për dekada me radhë. 


 


Ishte ky një realitet që i tronditi shpirtin dhe zemrën Fan Nolit, një aktualitet i shoqërisë shqiptare që Noli ndjeu thellësisht për popullin e tij shumë të vuajtur, i lënë në mëshirë të Zotit nga të huajt dhe nga udhëheqësit e tij. Siç duket, i lodhur shpirtërisht dhe politikisht dhe i vetëdijshëm ndaj asaj që ai ka cilësuar si anarki politike dhe morale të asaj kohe, Fan Noli i bën një analizë — mund të thuhet një analizë të qëlluar të politikës shqiptare të afër një shekulli, ndërkohë që i mbetet lexuesit ta vlerësojë se sa krahasuese është analiza e Nolit e shkruar me 27 shtator, 1923 me gjendjen e sotme të aktualitetit politik, jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.   Në analizën e tij, Fan Noli deklaronte në vitin 1923, me një ton dëshpërimi se:


 


“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive. 


 


E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan. 


 


E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve.


 


E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. 


 


E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhtari bëhet patriot dhe patrioti trathëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkretuar anembanë Toskërinë; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu trathëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.


 


E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e këtyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.”


 


Fan Noli, i diplomuar nga një prej universiteteve më me famë botërore, kishte mundësinë të jetonte shumë mirë në Amerikë dhe të mos çante kokën se ç’po ndodhte në Shqipëri.  Ai mund ta bënte këtë ndoshta si një profesor në ndonjë universitet të njohur amerikan, apo në ndonjë fushë tjetër veprimtarie akademike, por jo. Ai, si edhe shumë bashkpuntorë  të tij, si Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Bajram Curri e të tjerë, vendosi që t’i dedikonte kombit të vet të gjithë energjinë mendore dhe fizike si dhe talentet e shumëta që i kish falë Perëndia. Por megjithë trajtimin që mori dhe megjithë anarkinë që la pas në vendin e tij — Fan Noli zgjodhi Amerikën, vendin e lirisë dhe të demokracisë, ku u vendos përfundimisht, për të vazhduar t’i dedikonte të gjitha fuqitë e tija për të mirën e fatit të kombit shqiptar dhe të idealeve të atdheut – drejtë një realizimi ku shqiptarët, më në fund, të gjejnë një vatër të përbashkët lirie, demokracie, paqeje dhe mirëkuptimi për bashkjetesë — veprimtari të cilat ai nuk i ndërpreu deri në vdekjen e tij 50-vjetë më parë, në mars të vitit 1965, në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara. Për kontributet e mëdha historike dhe për rëndësinë e veprës së tij, Fan Noli duhet të kujtohet në këtë përvjetor dhe përgjithmonë, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan të cilin ai e udhëhoqi për shumë vite dhe me të cilin bashkpunoi ngusht tërë jetën për të mirën e kombit të vet – por nga të gjithë shqiptarët kudo.


 


Nga Frank Shkreli


 


 


 


FAN NOLI:


 


Jepni Për Nënën


Ç’thot’ ajo e ve e gjorë, 


-Mbretëreshë pa kurorë- 


Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar, 


Shpirt e zëmër përvëluar; 


Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë, 


Nënës mos ia bëni varrë!” 


Mbahu, Nëno, mos kij frikë 


Se ke djemtë n’Amerikë. 


 


Qan e lutet Nën’ e mjerë, 


Kërkon vatrën edhe nderë, 


Do lirinë dhe atdhenë, 


Si ç’e pat me Skënderbenë, 


Bijt’ e besës thërret pranë. 


Kur i thirri dhe s’i vanë? 


Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 


Se ke djemtë n’Amerikë. 


 


Cilët jan’ ata tiranë 


Që të pren’ e që të vranë 


Që të therrë bij e bija, 


Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija? 


Derthni plumba, o Shqiptarë, 


Gjakn’ e Nënës për të marrë, 


Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 


Se ke djemtë n’Amerikë. 


 


Cilët bij të trathëtuan 


Dhe të doqnë dhe të shuan 


Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë 


Pa fole, pa zog, pa shpatë? 


Këta qena, o shok’ i mbytni, 


Mbushni gjyle që t’i shtypni. 


Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 


Se ke djemtë n’Amerikë. 


 


Sa kërkon e sa të duhen? 


Burrat nga detyra s’ndruhen! 


Trim i mirë do të japë, 


S’kursen jetën as paratë; 


Hithni, hithni tok dollarë, 


Të mos mbetemi të sharë. 


Mbahu, Nëno, mos kij frikë. 


Se ke djemtë n’Amerikë. 


 


Do të ndihim pa kursyer 


Për ty, Nëna jon’ e vyer, 


Që me drit’ e nder të thuresh 


Dhe me bijt’ e tu të mburesh. 


Cila Nënë lyp paranë? 


Cilët bij me shpirt s’i dhanë? 


Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 


Se ke djemtë n’Amerikë. 


 


Armë dhe fishekë mblithni, 


Qesen edhe shpirtin hithni: 


Për lirin’ e vëndit t’onë, 


Sot -se nesër është vonë- 


Jepni, Nënën të shpëtoni, 


Komb e vatra të nderoni. 


Mbahu, Nëno, mos kij frikë 


Se ke djemtë n’Amerikë. 


 


1917 

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …