Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një proces i bazuar në meritë, por ka theksuar se ai duhet të jetë më i shpejtë, më i besueshëm dhe më i prekshëm për qytetarët e vendeve kandidate. Duke folur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, Von der Leyen vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe Mali i Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE. “Zgjerimi bazohet në meritë, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë i ngadaltë. Ai duhet të bëhet më i shpejtë, më i besueshëm dhe më i dukshëm për qytetarët. Tani ekziston një moment i favorshëm që duhet ta shndërrojmë në veprim konkret dhe më pas në anëtarësim. Mali i Zi dhe Shqipëria po bëjnë punë shumë të mirë dhe janë afër qëllimit të tyre”, deklaroi ajo. Ndërkohë, Gjermania dhe Franca kanë prezantuar një dokument joformal (non-paper) për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit kërkojnë një qasje më dinamike ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Dokumenti propozon integrimin gradual të vendeve kandidate në strukturat dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian përpara anëtarësimit të plotë, duke u mundësuar atyre qasje më të hershme në përfitimet e tregut të përbashkët evropian dhe pjesëmarrje më të madhe në proceset institucionale të BE-së. Sipas Berlinit dhe Parisit, samitet e këtij muaji me Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë paraqesin një mundësi të rëndësishme për t’i dhënë një shtysë të re politikës së zgjerimit dhe për ta bërë procesin më efikas, pa cenuar kriteret e anëtarësimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
