Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së shtunës, duke theksuar se vota e secilit qytetar është vendimtare për të ardhmen e vendit. Përmes një videomesazhi të publikuar në profilin e tij zyrtar në Facebook, Gjini ftoi qytetarët të mbështesin vizionin e Aleancës për më shumë siguri, energji dhe zhvillim ekonomik. “Të dashur qytetarë, gra e burra, të rinj e të reja, nesër me votën tuaj ju përcaktoni të ardhmen e Kosovës. Gjithçka përcaktohet prej secilit prej nesh. Sado që duket e vogël, vota e secilit ka rëndësi të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Gjini. Ai theksoi se zgjedhjet janë një mundësi për qytetarët që të ndikojnë drejtpërdrejt në drejtimin që do të marrë vendi në vitet e ardhshme, duke shprehur besimin se mbështetja e tyre mund të sjellë ndryshimet e nevojshme. Sipas Gjinit, Aleanca ofron një alternativë të bazuar në siguri, zhvillim dhe perspektivë për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Vota juaj do ta ndryshojë vendin. Dilni sa më shumë dhe votoni”, ishte mesazhi përmbyllës i kandidatit për kryeministër nga Aleanca. Mesazhi i tij vjen në prag të ditës së zgjedhjeve, kur qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar përbërjen e re institucionale të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
