Malisheva ndër komunat më të mira në realizimin e buxhetit

Komuna e Malishevës, radhitet në mesin e komunave më të mira në vend, për realizimin e buxhetit komunal gjatë vitit 2016. Duke u bazuar në raportet përfundimtare të Drejtorisë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Komuna e Malishevës, e ka realizuar buxhetin, në shkallën 96.39 për qind. Sipas drejtorit të kësaj drejtorie, Vesel Krasniqi, është shënuar rritje edhe në inkasimin e të hyrave vetanake.

Sipas drejtorit Krasniqi, gjatë vitit 2016, ka pasur ngritje të investimeve kapitale dhe ulje në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, përkatësisht zvogëlim të shpenzimeve të “lluksit”. Komuna e Malishevës, në vitin 2016, ka pasur një buxhet prej 12.822,677.14 €, ndërsa buxheti i realizuar është 12,359,739 €, apo shprehur në përqindje, 96.39 % e buxhetit është realizuar.

“Në kategorinë e investimeve kapitale, krahasuar me vitin 2015, kemi pasur një ngritje të investimeve, për dyqind mijë euro më shumë, ndërsa kjo ngritje është edhe si rezultat i zbritjes së shpenzimeve në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, si zë buxhetor, pasi gjatë vitit 2016, Komuna e Malishevës, ka ulur shpenzimet për 108 mijë euro në këtë kategori”, tha drejtori Krasniqi. Sipas tij dhe sipas raporteve të nxjerra, ka ulje të dukshme të shpenzimeve në udhëtimet brenda dhe jashtë vendit, pastaj ka ulje të shpenzimeve të derivateve.

“Ka ulje të shpenzimeve të “lluksit”, siç janë zvogëlimi i shpenzimeve të reprezentacionit për drejtorët e drejtorive, heqja e shpenzimeve të karburantit për drejtor dhe zvogëlimi i shpenzimeve tjera” tha Krasniqi, duke i treguar me shembuj, zvogëlimin e shpenzimeve të kategorisë për mallra e shpenzime.

Edhe në grumbullimin e të hyrave vetanake, Komuna e Malishevës, ka shënuar rritje. “Përkundër pragut të lartë të përcaktuar nga ana e ministrisë, dhe kërkesës sonë të vazhdueshme për uljen e këtij pragu, por që nuk ka ndodhur, ne kemi realizuar 73 për qind të këtij pragu (pragu i përcaktuara ishte një milion e dhjetëmijë euro, të realizuara 740 mijë euro), ndërsa në raport me vitin paraprak, kemi realizuar 153 mijë euro më shumë”, ka sqaruar drejtori Krasniqi.

Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, ka thënë, se “përkundër bojkotit të vazhdueshëm gjatë këtyre tri viteve, nga ana e qeverisë qendrore, Komuna e Malishevës, vazhdon të investoj në të gjitha fshatrat dhe të shpenzoj maksimalisht buxhetin, bashkë me qytetarët e saj, prandaj edhe radhitemi në mesin e komunave më të mira në realizimin e buxhetit komunal”.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar nga afër punimet në asfaltimin e rrugëve në fshatin Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtor, ka vizituar sot fshatin Lubishtë të …