Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë fitues bindshëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit, me mbi 51 për qind të votave brenda Kosovës, duke siguruar një mandat të fuqishëm politik për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, përveç konsolidimit të institucioneve të brendshme, Qeveria e ardhshme pritet të përballet edhe me një sfidë të rëndësishme në raportet me aleatët perëndimorë. Mandati i ri vjen pas një periudhe marrëdhëniesh të tensionuara me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të shkaktuara nga një sërë veprimesh të Qeverisë së kaluar, përfshirë zhvillimet në veriun e Kosovës dhe mbylljen e institucioneve serbe, të cilat partnerët ndërkombëtarë i cilësuan si të njëanshme dhe të pakoordinuara. Këto tensione kulmuan në vitin 2023 me kritika të drejtpërdrejta nga administrata amerikane dhe me pasoja konkrete, përfshirë përjashtimin e Kosovës nga stërvitjet “Defender Europe 2023” dhe pezullimin e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA. Kurti ka deklaruar se, pavarësisht kritikave, marrëdhëniet me aleatët mbeten miqësore dhe se normalizimi i kritikës është pjesë e një partneriteti të sinqertë. Megjithatë, qëndrimet kritike ndaj Qeverisë së tij janë reflektuar edhe në Kongresin amerikan, ku Kurti është përshkruar si faktor pengues në avancimin e disa proceseve. Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka shprehur gatishmëri për të forcuar partneritetin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe për të rifilluar Dialogun Strategjik, duke theksuar se kjo do të varet nga veprime konkrete që promovojnë paqen rajonale, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të përbashkët. Në këtë kontekst, dialogu Kosovë–Serbi mbetet një prej çështjeve kyçe. Vizita e fundit e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ka rikujtuar rëndësinë e rifillimit të bisedimeve në nivel të lartë, në një kohë kur Kosova pritet të dalë nga masat ndëshkuese të BE-së. Kurti ka përsëritur gatishmërinë për dialog konstruktiv, duke mbetur në qëndrimin e tij për dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të arritura. Edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada gjermane kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut, ndërsa analistët vlerësojnë se mandati i fortë zgjedhor e forcon pozitën e Kurtit përballë partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tyre, ai mbetet aktori politik dominues në Kosovë, me hapësirë të konsiderueshme për të ndjekur kursin e tij politik në raportet ndërkombëtare dhe procesin e normalizimit me Serbinë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
