Marenglen Kasmi

Marenglen Kasmi: Qeveria e Enver Hoxhës nuk kishte lejuar ndërtimin e asnjë varreze greke në Shqipëri

Qeveria greke, qysh në vitin 1970 kishte shfaqur interesim për varrezat e grekëve të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke. Shteti komunist i Enver Hoxhës ishte shprehur  i gatshëm për të ndihmuar në marrjen e eshtrave nga Greqia. Madje në vitin 1985, qeveria shqiptare i komunikoi Greqisë se  ishte e gatshme të merrte masa për riatdhesimin e eshtrave të 2250 ushtarëve grekë që ndodheshin të varrosur në tokën shqiptare. Qeveria shqiptare jo vetëm që ishte kategorikisht e prerë kundër  ngritjes së varrezave greke në tokën shqiptare por po ashtu, paraqiti edhe një listë të qartë me vendet ku ishin varrosur këta ushtarë, duke e hedhur poshtë ekzistencën e 12.000 varreve ushtarësh grekë në Shqipëri. Madje, Ministria e Ekonomisë së asaj kohe, njoftoi se ishin hartuar edhe planshetë për çdo varr, me qëllim që të lehtësohej prcedura e grumbullimit dhe transportit të eshtrave për në Greqi. Gjithsesi Athina zyrtare sërish i kishte kërkuar Tiranës që varreza të ngrihej në Shqipëri. Qeveria shqiptare e vlerësoi këtë kërkesë si të pamundur duke arritur në përfundimi se, kërkesa bazohej në dëshirën e palës greke për të përjetësuar dhe glorifikuar” çlirimin e vëllezërve të tyre në të ashtuquajturin Vorio-Epir”, dhe përkujtimin e kësaj ngjarje në formën e pelegrinazheve në varreza- gjë që  tashmë ndodh rëndom çdo vit dhe do të ndodhë edhe këtë 28 tetor, ka shkruar në një vështrim studiuesi shqiptar Merenglen Kasmi.

***

Lufta italo-greke u zhvillua në pjesën më të madhe të saj në tokën shqiptare. Popullit shqiptar ju desh të mbajë një barrë njerëzore dhe ekonomike të kësaj lufte, ndonëse nuk ishte palë e konfliktit. Siç u tregua edhe më sipër, në këtë luftë fillimisht morën pjesë edhe disa forca shqiptare, por gjithmonë si efektiv i ushtrisë italiane. Madje, ështe e dokumentuar nga burimet italiane që shqiptarët dezertuan në masë dhe pati prej tyre që ju bashkuan edhe ushtrisë greke. Kësisoj, mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës nga Greqia, me pretendimin se Shqipëria ka sulmuar Greqinë më 28 tetor 1940 nuk qëndron. Sigurisht që sulmi u krye nga toka shqiptare, por Shqipëria tashmë e kishte humbur sovranitetin e saj dhe ishte e pushtuar. Arsyet duhen kërkuar gjetkë dhe janë të njohura, si këndej edhe andej kufirit. Në fakt, numri i 12.000 ushtarëve grekë të vrarë nuk ka ndonjë rëndësi në aspektin e së vërtetës historike. Lufta ka ndodhur. Po kaq e vërtetë është edhe që në Shqipëri nuk gjendeshin dhe nuk mund të gjenden më shumë se 2250 varre ushtarësh grekë. Sistemin e kaluar mund ta akuzosh për plot gjëra, të bëra e të pabëra, por në këtë pikë kishte seriozitet. Pretendimi nga pala greke i ekzistencës së 12.000 varreve ka të bëjë me numrin e varrezave që do të ngrihen në Shqipëri. Përveç vëndprehjes prej 10.000 m² në Këlcyrë dhe varrezës me 59 varre në fshatin Bularat të Gjirokastrës, gjatë marrëveshjes synohej të arrihej edhe ndërtimi i një varreze madhështore në qytetin e Korçës. Koha do ta tregojë. Është e vetëkuptueshme që, në një konflikt ndështetëror ushtarakët janë viktima të politikës dhe eshtrat dhe vendprehjet e tyre meritojnë të trajtohen me respekt. Ky është akti më human që një qeveri dhe një popull duhet të kryejë ndaj tyre. Në këtë frymë janë ngritur në kodrat e liqenit artificial në Tiranë edhe vendprehjet e ushtarëve britanike dhe gjermanë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Eshtrat e tyre u mblodhën nga të gjithë anët e Shqipërisë, atje ku ata kishin rënë. Kësisoj, do të kishte qenë e udhës që edhe të rënët e Luftës italo-greke të rivarroseshin përkrah tyre, pse jo edhe përkrah ushtarëve austro-hungarezë të varrosur në Shkodër, por kurrsesi në Gjirokastër, Përmet dhe aq më keq në Korçë. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

BDI përshëndet dhe mirëpret Vendimin ekzekutiv të Presidentit Bajden për Marrëveshjen e Ohrit dhe të Prespës

Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet dhe mirëpret vendimin ekzekutiv të Presidentit të Shteteve të Bashkuara …