Marrëveshja në Uashington: Jo njohja e Kosovës nga Serbia, jo shkëmbim territoresh, por status-quo dhe fitore për Amerikën

Marrëveshja në Uashington: Jo njohja e Kosovës nga Serbia, jo shkëmbim territoresh, por status-quo dhe fitore për Amerikën

Askush që ka njohuri mbi zhvillimet e pas luftës në Kosovë, nuk ka pritur ndonjë marrëveshje me rëndësi dhe kurrsesi njohjen e Kosovës nga Serbia, në takimin e 4 shtatorit, në Uashington. Vetëm ata që ushqehen me iluzionet mund të kenë pritur më shumë, ndërsa marrëveshja e arritur ekonomike, nuk është më shumë as më pak se një karrem i Uashingtonit zyrtar për të dyja palët. Amerika ka interesim të madh ta shkëput aq sa është e mundur ndikimin rus në Serbi, ndërsa Beogradi zyrtar përfiton favore të shumta, sepse Serbia është unike në qëndrime,  ndërsa Kosova dhe “shqiptarët e vilajeteve” jo vetëm që nuk janë unikë,  por edhe të  armiqësuar mes veti. Nuk thuhet kot se bashkimi i bën të mundshme  gjërat e pamundshme, ndërsa përçarja edhe të mundshmet  i bën të pamundshme. Kjo ka ndodhur me ne gjatë tërë shekullit 20-të dhe po ndodh edhe tani. Fajin për të gjitha dështimet nuk e kemi vetëm ne, sepse duke qenë të ndarë e të përçarë në pesë shtete, me bekimin e Evropës,  ne nuk përbëjmë një faktor, nuk jemi faktori shqiptar, sikur është ai grek apo serb, por jemi faktori i ndarë në tresh, një të Tiranë, tjetri në Prishtinë i fundit në Shkup.

Duke mos arritur të ndërtojmë një qëndrim unik, por duke u udhëhequr secili nga partia e mendësia e vet, ne vendnumërojmë dhe vazhdimisht i bëhemi pengesë njëri tjetrit, ndërsa të tjerët na vjelin e na shkelin secili sipas kutit të vet.

Tani po shihet fare mirë se opsioni i ndarjes së Kosovës apo i shkëmbimit të territoreve me Serbinë  ka qenë vetëm sugjerim, alternativë, opsion dhe jo projekt i fshehtë i konstruktuar nga Thaçi dhe Vuçiqi, sikur thonë miqtë e deridjeshëm të Serbisë.  Po ashtu u pa fare qartë se me nënshkrimin e marrëveshjes, nuk u bisedua si Shtet me Shtet, jo si Kosova e pavarur  me Serbinë, por si Prishtina me Beogradin dhe kjo e ka kuptimin e vet, që nuk është vetëm formal, nuk është vetëm shpikje e medieve. Këtë e tha edhe Vuçiqi, madje me gojën plotë se në marrëveshje nuk ka pasur palë të tretë, pasi Kosova nuk është subjekt ndërkombëtar i pranuar në OKB, nuk është shtet i pranuar as nga BE-ja. Në një pozitë të tillë, Kosova nuk mund ta ushtrojë veto, as mund të mos i pranojë marrëveshjet që i shtrohen para, sepse është në pozitë inferiore, në pozitë vasale dhe kushdo që do të kishte shkuar në Uashington nga pala shqiptare, do të kishte shkruar vetëm për të nënshkruar dhe kurrsesi për të rrahur tavolinën, sikur bëri Enver Hoxha, në Moskë në vitin 1961.

Krejt mbështetjen paria e Kosovës, prej vitit 1990 ia ka besuar Amerikës dhe tani dashur pa dashur, mirë apo keq, nuk bën dot ndryshe, sepse nuk ka një shtet tjetër që i del zot, apo që e merr besimin e shumicës shqiptare.

Në marrëveshjen e 4 shtatorit 2020, në radhë të parë fitoi Amerika, sepse bëri një potez të tërheqjes apo edhe mundësisë së prishjes sadopak të Serbisë me Kinën, lidhur me nënshkrimin e projektit për internetin, pastaj  fitoi Izraeli jo duke njohur Kosovën, por duke pranuar ta vendos ambasadën  në Jerusalem dhe me këtë irriton të gjitha vendet islame, madje edhe ato që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Po ashtu Amerika ka bindur Kosovën dhe Serbinë ta shpallin organizatë terroriste Hezbullahin, edhe pse Serbia ka marrëdhënie të mira me  Shtetin e vetëshpallur të Palestinës.

Serbia ka legjitimuar eksterritorialitetin e Kishave dhe Manastireve, ka fituar të drejtën e daljes në Adriatik, projekt i Nikolla Pashiqit me Ahmet Zogun e Esad Pashën, qysh në vitin 1914 i cili nuk ishte realizuar asokohe, por ja që po realizohet në kohën tonë. Serbisë, i duhet dalja në det, madje pa kompromis për ta njohur Kosovën si Shtet. Kompromiset po ndodhin, sepse Vuçiqi ka kushtëzuar bisedimet me kompromis dhe por të mos kishte pasur premtime paraprake për këto kompromise, nuk do t iu kishte drejtuar fare Uashingtonit.

Kosova “ka fituar”, Asociacionin që do të jetë shtet brenda territorit të Kosovës, sa për fillim, ndërsa Presheva, Bujnoci e Medvegja mbesin përgjithmonë nën Serbi dhe brenda 10 vitesh  të gjithë  banorët  shqiptarë të asaj treve shqiptare do të shpërngulen në Kosovë, Meqedoni  e në Shqipëri.

Kosova ka fituar 50.000 serbë të veriut brenda territorit të vetë, dhe ka lënë jashtë 60.000 bashkëkombës të komunave  dhe fshatrave të Kosovës Lindore.

Kësaj fitoreje, në faqet e  historisë, i thuhet “Fitorja e Pirros” dhe me këtë forcohet bindja se Pirroja vërtetë ka qenë ilirian, që fitoi betejën në Romë por e humbi ushtrinë, më në fund edhe kokën,  nga një tullë  me të cilën e kishte goditur një plakë  romake.

Gjithnjë përsëritet historia, por ne shqiptarët e shohim pasi të jetë përsëritur, jo më herët.

Marrëveshja ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë në Uashington, i shërbeu në radhët të parë administratës së kryetarit amerikan, Donald Trump në prag të zgjedhjeve, duke përforcuar pozitën e vet, sidomos me përkrahjen edhe më të fortë që do ta ketë nga lobi hebraik në Amerikë.  Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur për njohje reciproke mes shtetit të tij dhe Kosovës. Netanyahu ka thënë se pas marrëveshjes, Kosova do të jetë “shteti i parë me shumicë myslimane që hapë ambasadë në Jerusalem”.  “Siç kam thënë në ditët e fundit, rrethi i paqes dhe i njohjes së Izraelit po zgjerohet, dhe shtete të tjera pritet t’i bashkohen atij”, është shprehur ai. Njohja reciproke Kosovë-Izrael vjen pas ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe pse në tekstin e marrëveshjes, Kosova ka pranuar që për një vit të mos kërkojë njohje nga asnjë shtet, dhe, shikuar realisht po bëhen gati tri vjet pa asnjë njohje, sepse procesi i njohjeve stagnoi me pranimin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë, në Bruksel, qysh në prill të vitit 2013.

Dhe për më keq, bisedimet do të vazhdojnë edhe në Bruksel, duke i thelluar humbjet e Kosovës dhe duke i dhuruar fitore të reja  Serbisë nga dy kryediplomatët, Borell e Llajçak, vendet e të cilëve, jo vetëm që nuk e kanë njohur Kosovën, por kanë paralajmëruar se këtë nuk do ta bëjnë edhe nëse Serbia do të detyrohet ta pranojë njohjen.

Krejt derisa jemi të ndarë, të përçarë, të armiqësuar mes veti, kështu do të ndodh me ne. Greqia zgjeron detin e vetduke ngushtuar detin shqiptar, Serbia del në det, nëpërmes  të Kosovës dhe Shqipërisë, Athina kërkon ta shlyejmë kujtesën kombëtare dhe  na censuron historinë, Mali i zi tani vend mik, merr  8.000 hektarë tokë, hiqet dorë nga Kosova Lindore, por nuk heqim dorë  në përpjekje për t ia nxjerrë sytë njëri tjetrit, në përpjekje për ta demonizuar luftën e drejtë të UÇK-së.

Nuk na ka fajin Amerika, sepse ne shqiptarët mikun e njohim mik sipas kanunit, “pasi shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”. Duket ironik ky pasus i Kanunit të Lekës, por është shumë kuptimplotë dhe lë vend për ta studiuar thellë, në kohë dhe hapësirë, ashtu sikur e kishte analizuar fundamentalisht,  filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku.

Ahmet Qeriqi

  1. 9. 2020

Kontrolloni gjithashtu

Populli që ka heronj e burra si Shkëlzen Haradinaj nuk njeh vdekje

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, në 25 vjetorin e rënies e ka përkujtuar …