Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, tha se Brukseli po pret formimin e një qeverie të re në Prishtinë për t’u angazhuar më shumë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kos theksoi se normalizimi i raporteve është një kusht kyç për rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian. “Ne po punojmë për këtë proces, në veçanti me përfaqësuesen tonë të lartë, Kaja Kallas. Me Serbinë jemi të angazhuar vazhdimisht, ndërsa me Kosovën më pak muajt e fundit për shkak të mungesës së një qeverie të re. Megjithatë, kjo mbetet një nga prioritetet tona në gjithë procesin e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor,” tha Kos. Dialogu Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Brukselit zhvillohet që nga viti 2011 dhe ka prodhuar disa marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar të gjitha në terren. Që nga zgjedhjet e shkurtit, Kosova ende nuk ka formuar ekzekutivin e ri, ndërsa takimet në nivel të kryenegociatorëve, si ai i 11 shtatorit, nuk kanë sjellë rezultate të dukshme. Dialogu politik në nivel të lartë nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023, pak para sulmit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova fajëson Serbinë, ndërsa Beogradi e mohon çdo përfshirje.
