Mbi 16 milionë euro për vetura luksi: Qeveria Kurti në qendër të akuzave për keqpërdorim të buxhetit

Institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë kanë shpenzuar mbi 16 milionë euro për blerje dhe marrje me qira të veturave gjatë katër viteve të fundit, periudhë kjo që përkon me qeverisjen e Albin Kurtit. Këto shpenzime janë kryer përmes vetëm dy operatorëve ekonomikë: “AutoMita” dhe “Mercom Company”, raporton FrontOnline. Sipas të dhënave të siguruara, kompania “AutoMita” ka përfituar rreth 9.3 milionë euro përmes tenderëve publikë për furnizim me vetura të markave “Renault”, “Nissan” dhe “Dacia”. Ndërkohë, “Mercom Company” ka përfituar kontrata në vlerë prej 6.8 milionë eurosh, përfshirë furnizimin dhe dhënien me qira të automjeteve, por edhe përfitimin e granteve nga Ministria e Tregtisë, e udhëhequr nga Rozeta Hajdari. Pavarësisht kërkesave për sqarime, as kompania “Mercom”, as ministria përkatëse nuk kanë dhënë përgjigje për vlerën e saktë të granteve të ndara. Këto të dhëna po nxisin reagime të forta nga opozita. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka akuzuar Qeverinë Kurti për “shpenzime skandaloze” në drejtim të luksit qeveritar. Ai theksoi se vetëm për blerje dhe servis të veturave janë shpenzuar mbi 9 milionë euro gjatë mandatit aktual, shifër që sipas tij është më e larta e regjistruar ndonjëherë në një mandat të vetëm qeverisës. “Qeveria Kurti ka përdorur në mënyrë të papërgjegjshme buxhetin e shtetit për të financuar luksin e vet. Kjo çështje është trajtuar edhe në Komisionin për Financa, ku janë paraqitur të dhëna shqetësuese për mënyrën se si po menaxhohen paratë publike,” ka deklaruar Shala në një konferencë për media.

Kontrolloni gjithashtu

Auditimi zbulon parregullsi në MPB: Pagesa të jashtëligjshme dhe emërime në kundërshtim me rregullat

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar një raport kritik për Ministrinë e Punëve të Brendshme, …