Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka mbledhur mbi 83 mijë nënshkrime në kuadër të peticionit kombëtar që synon t’i drejtohet gjykatës speciale në Hagë. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se procesi po zhvillohet me interesim të madh dhe pritet të vazhdojë deri në fund të muajit prill. Sipas tij, përveç Kosovës, nënshkrime po mblidhen edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe në diasporë, ndërsa mbi 26 mijë janë siguruar përmes platformave online. Gucati theksoi se qëllimi i peticionit është të dëshmohet mbështetja qytetare për ish-krerët e UÇK-së dhe të kundërshtohet narrativa se ata nuk gëzojnë përkrahje publike. Ai vlerësoi angazhimin e qytetarëve dhe aktivistëve, të cilët po mbledhin nënshkrime edhe derë më derë nëpër fshatra dhe qytete. OVL-UÇK ka bërë thirrje për mobilizim të mëtejshëm qytetar, duke theksuar se nënshkrimi mund të bëhet lehtësisht edhe online. Peticioni, i nisur më 25 shkurt, synon të dorëzohet në Hagë si dëshmi e mbështetjes së gjerë qytetare për luftën çlirimtare dhe përfaqësuesit e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
