Mbrëmë zyrtarisht në fshatin Dejnë të komunës së Rahovecit u shpall i hapur edicioni i 24-të i Festivalit Kombëtar të Folklorit “Anadrinia Jehon”.
Ky Festival folklorik tashmë ka krijuar profilin e vet dhe është futur në agjendën e festave të Komunës së Rahovecit. Pjesëmarrja e artistëve nga shumë vise të shqiptarisë dhe nga mërgata, përbën thelbin e suksesit të kësaj riviste kombëtare. Në këtë skenë kanë defiluar shumë artdashës dhe dashamirësia me të cilën janë pritur nga publiku i kësaj ane, na ka detyruar të jemi më të përkushtuar në mbarëvajtjen e këtij festivali. Shpresojmë që mbështetja institucionale do të shtohet, sepse tashmë ky festival nuk është vetëm i fshatit Dejnë dhe vetëm i Komunës së Rahovecit, ky është festival kombëtar.
Ju urojmë paraqitje profesionale dhe suksese pjesëmarrësve të këtij edicioni, duke shprehur bindjen se shikuesit e shumtë do të kënaqen me vlerat që do të shpalosen, ka thënë në fjalën e tij, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.