Mbrojtja e Fadil Fazliut ka njoftuar trupin gjykues në Gjykaten speciale në Hagë do të dorëzojë një njoftim mbi një “gabim faktik”, të cilin e konsideron si bazë për përjashtimin e përgjegjësisë penale të klientit të saj. Në parashtrimin e dorëzuar më 29 gusht 2025, avokati David Young tha se mbrojtja është në proces të mbledhjes së provave dhe të përcaktimit të nevojës për dëshmi nga dëshmitarë. “Mbrojtja e Fazliut synon të japë njoftim për një gabim në fakt si bazë që përjashton përgjegjësinë penale. Në këtë moment, mbrojtja është në proces të përcaktimit të nevojës për dëshmi nga dëshmitarë. Nëse përgjigjja do të jetë pozitive, ajo do të zbulojë provat përkatëse në përputhje me këtë”, thuhet në parashtresë. Avokati Young sqaroi se mbrojtja ka ndërmarrë hapat e parë të hetimeve dhe ka hartuar plane konkrete për zhvillimin e tyre. Megjithatë, sipas tij, shkalla e hetimeve të nevojshme nuk mund të përcaktohet ende, përderisa nuk është marrë parashtresa paraprake e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me listat e provave dhe dëshmitarëve. Mbrojtja e Fazliut ka paralajmëruar gjithashtu se synon të dorëzojë parashtresë paraprake, ku do të shtjellojë bazën ligjore dhe faktike që, sipas saj, e përjashton klientin nga përgjegjësia penale. Sipas njoftimit, ekipi mbrojtës pret të jetë i gatshëm për fillimin e çështjes së Prokurorisë rreth 30 ditë pas dorëzimit të parashtresës paraprake nga të gjitha palët.
