Mbrojtja e të Drejtës së Autorit sot, mbrojtje e Trashëgimisë Kulturore nesër

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, mori pjesë në konferencën “Të Drejtat Pronësore Intelektuale” e cila u organizua në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, nga Agjencia e Pronësisë Industriale, MTI; Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta- MKRS; Sektori i Pronësisë Intelektuale- Doganat e Kosovës, Inspektorati i Tregut-MTI; Policia e Kosovës.

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale shënohet në tërë botën me 26 prill dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e të drejtave pronësore-intelektuale, dhe rolin e tyre në mbështetjen e kreativitetit dhe të inovacionit.

Ministri Shala në fjalën e rastit në hapje të kësaj konference u shpreh: “Kreativiteti dhe Inovacioni janë dy komponentë shumë të rëndësishme të kulturës, respektivisht ekonomisë, sidomos tani kur zhvillimi kulturor dhe ekonomik është avancuar dhe ekonomia globale dhe digjitale kanë kaluar kufijtë shtetëror, ku dija e shpikjet na përcjellin e rrethojnë në çdo moment të jetës tonë.”

Më tej, ministri Shala tha se “pronësia intelektuale ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin dhe avancimin e kulturës, shkencës dhe të teknologjisë, për faktin se e drejta e autorit dhe të drejtat e tjera pronësore intelektuale janë mjet të zhvillimit kulturor, shkencor dhe ekonomik” dhe shtoi: “institucionet e Kosovës përmes avancimit dhe mbështetjes së krijimtarisë intelektuale, kreativitetit dhe inovacionit, dëshirojmë të nxisim zhvillimin ekonomik të vendit tonë.”

“Me punën që është bërë nga ana e MKRS-së në fushën e të drejtës së autorit dhe nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë në fushën e të Drejtave Pronësore Industriale, Kosova ka krijuar një sistem të konsoliduar të pronësisë intelektuale, bazuar në konventat ndërkombëtare dhe në direktivat evropiane të fushës”, vazhdoi Shala dhe bëri të ditur se Kosova tanimë është plotësisht e përgatitur për të aderuar në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Po ashtu, në fjalën e tij, ministri Shala vuri theksin te nevoja që të mbrohet krijimtaria, të drejtat e autorit, të krijuesve dhe shpikësve, sepse në këtë mënyrë mbrohet dhe nxitet krijimtaria kulturore, inovacionin, industritë kreative dhe ekonominë e vendit në përgjithësi, për të shtuar se “mbrojtja e të drejtës së autorit sot, do të thotë mbrojtje e kulturës tonë, e nesër do të thotë mbrojtje e trashëgimisë kulturore. Andaj, ne jemi të vendosur të punojmë fuqishëm në uljen e nivelit të piraterisë si dhe në krijimin e kushteve ku origjinaliteti dhe krijimtaria respektohen dhe mbrohen.”

Në funksion të vetëdijesimit për rolin dhe rëndësinë e pronës intelektuale, MKRS-ja ka ndërtuar infrastrukturën ligjore për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, është hartuar Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, i cili tani është në Kuvend në proces të plotësim-ndryshimit, me qëllim që të jetë plotësisht i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian. Po ashtu, janë aprovuar aktet nënligjore për rregullimin e menaxhimit kolektiv dhe rregullimin e procesit të ndërmjetësimit, dhe janë licencuar dy shoqatat për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit. Gjithashtu, Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka sanksionuar shkeljen e të drejtës së autorit. Së fundi, Qeveria ka miratuar Koncept-Dokumentin për rregullimin e drejtës për kompensim të veçantë.

Ministri Kujtim Shala, në fund të fjalës së tij në këtë konferencë, i inkurajoi institucionet kryesore të Pronësisë Intelektuale të vazhdojnë punën e mirë në këtë fushë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti liron nga detyra drejtorin Adnan Imeri, e falënderon për punën e tij

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, do të liroj sot nga detyra drejtorin e …