Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Hagës, duke e cilësuar procesin në rastin e dytë për pengim të drejtësisë si thellësisht të cenuar nga shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe parregullsi procedurale. Sipas parashtresës, Thaçit i janë shkelur të drejta themelore kushtetuese, pasi vendime kyçe janë marrë nga gjyqtarë që, sipas mbrojtjes, nuk janë caktuar në përputhje me ligjin. Për këtë arsye, kryetarja e Gjykatës Speciale ka caktuar panelin e gjyqtarëve të Kushtetueses për ta shqyrtuar ankesën. Mbrojtja argumenton se si Gjyqtari i Vetëm ashtu edhe Gjyqtarët e Procedurës Paraprake kanë vepruar pa mandat të rregullt ligjor, duke nxjerrë vendime që kanë pasur pasoja të rënda për Thaçin. Këto vendime përfshijnë autorizimin e regjistrimeve të fshehta të vizitave dhe telefonatave të tij në paraburgim, sekuestrimin dhe kontrollin e kompjuterit personal, ndalimin e përsëritur dhe vazhdimin e paraburgimit, kufizimet për vizitorët personalë, si dhe vetë ngritjen e aktakuzës në të ashtuquajturin “Rasti 12”. Në parashtresë theksohet se këto shkelje nuk janë thjesht teknike, por cenojnë thelbin e procesit të rregullt ligjor dhe e njollosin të gjithë procedurën penale. Avokatët insistojnë se shkeljet e Nenit 31 të Kushtetutës nuk mund të korrigjohen në një fazë të mëvonshme të procesit, pasi provat kryesore janë mbledhur mbi bazën e urdhrave të lëshuar nga gjyqtarë të caktuar në mënyrë të paligjshme. Një theks i veçantë i jepet cenimit të së drejtës për privatësi. Mbrojtja pohon se bisedat private të Thaçit janë incizuar fshehtas dhe janë vënë në dispozicion të Prokurorisë Speciale, ndërsa pajisjet e tij personale janë sekuestruar dhe kontrolluar, duke përfshirë korrespondencën dhe shkrimet private. Me këtë ankesë, mbrojtja kërkon që Gjykata Kushtetuese të konstatojë shkeljen e të drejtave të njeriut, të vlerësojë si të paligjshme urdhrat për incizime dhe sekuestrime, si dhe të pranojë se aktakuza është e cenuar rëndë nga këto shkelje. Rasti pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kredibilitetin dhe ligjshmërinë e gjithë procesit ndaj ish-presidentit të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
