Në Gjykatën speciale në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka kërkuar që të lejohet apelimi i vendimeve të trupit gjykues për pranimin e disa provave materiale. Sipas mbrojtjes, vendimet e fundit, përfshirë pranimin e një videoje dhe shtimin e dy faqeve në një provë ekzistuese, shkelin precedentët ndërkombëtarë dhe mund të krijojnë paragjykim ndaj të akuzuarve. Videoja dhe dokumentet, sipas mbrojtjes, nuk lidhen drejtpërdrejt me dëshmitarët dhe përdorimi i tyre rrit mundësinë e një interpretimi të njëanshëm të çështjes. “Pranimi i artikujve që Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen me dëshmitarin përbën devijim të praktikave të mëparshme dhe cenim të së drejtës për një gjykim të drejtë,” thuhet në parashtresën e mbrojtjes. Mbrojtja kërkon që Paneli i Apelit të shqyrtojë vendimet për të standardizuar procedurën dhe për të siguruar një proces gjyqësor të drejtë dhe transparent. Ata argumentojnë se vendimet e trupit gjykues mund të çojnë në rihapjen e rastit nga Prokuroria, duke krijuar mundësi për paragjykim dhe komplikim të procesit. Mbrojtja tani synon që Apeli të ndërhyjë për të siguruar që provat të përdoren në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të mos cenojnë të drejtën për një gjykim të drejtë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
