Me intonimin solemn të Himnit Kombëtar shqiptar, nisi sot në sheshin “Skënderbej” protesta e madhe mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në Hagë.
Në një atmosferë të ngarkuar me emocione e krenari kombëtare, mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare etnike – nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës e diaspora – u bashkuan nën moton “Unë jam UÇK – Liri për çlirimtarët”.
Pas Prishtinës dhe Hagës, sot Tirana u bë zemra e protestës për drejtësi, ku u dëgjua zëri i bashkuar i shqiptarëve në mbrojtje të çlirimtarëve të lirisë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, iu drejtua masës me thirrjet “UÇK! UÇK!”, duke përmendur me respekt emrat e dëshmorëve dhe çlirimtarëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Ne sot po protestojmë dhe po ngremë zërin për drejtësi. Ne po mbrojmë gjakun e derdhur për liri. UÇK-ja ka dëshmuar se jemi të pastër – në Hagë po përpiqen ta barazojnë viktimën me xhelatin. Ne nuk do të heshtim kurrë! Kjo nuk është protestë politike, është protestë e popullit mbarë shqiptar”, deklaroi Gucati, i shoqëruar nga duartrokitjet e fuqishme të turmës.
Flamujt kuqezi, uniformat simbolike të luftës dhe thirrjet për drejtësi, dinjitet dhe liri shndërruan sheshin “Skënderbej” në një tribunë kombëtare të ndërgjegjes shqiptare.
Kjo protestë u cilësua si manifestimi më i madh i unitetit dhe solidaritetit shqiptar të viteve të fundit – një zë i fuqishëm që u ngrit nga Tirana për në Hagë, në mbrojtje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe të pafajësisë së bijve të saj.