leoni

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Burrëri e lagur

Parandjenjë

armiqtë nuk po na shajnë sa duhet
miqtë po na lavdërojnë
më shumë se ç’duhet
si me të pabesë
se ç’po më gërryen një ndjenjë
një ndjenjë
ogurzezë

Dikur

rojat viheshin tek kullat
nga mali
kur zbrisnin burrat

vdisnin për atdhe
burrat
dikur

vdesin atdheun
burrat
sot

mashkull e burrë
nuk qenka njëjtë
as atëherë
as sot
as kurrë

Ka burra

ka burra
që as para plumbit
nuk e hanë fjalën e dhënë

ka burra
që lumi nuk i lanë
si qentë fjalën hanë

ka burra
që gënjejnë shoqi- shojnë
për dallim nga qentë
ata nuk lehin
kur të tjerët i shkelmojnë
ka burra
e burra

Pritje

kjo kohë e lazdruar
shumëllojshmërinë e pritjes ta ofron
përtej hijeve te tejdukshmërisë
si të vjen për së mbari
ulur a në këmbë
në luadhe mbi bari
në radhë
në zyrë
në Parlament
në rrugë e trotuar
pritje shtrirë
i plogësht nën jorgan
pritje fytyrëvrarë
ngazëllyer herë hijerëndë
pritje fytyrëshëmtuar e dhëmbërënë
dehur e tymosur me çaj e duhan
pritje

të gjithë ata që presin
janë të vonuar
si të vonuar në jetë
në dyert e mbyllura të botës
trokasim kot
trokasim me vonesë
tash e sa vjet
të vonuarit kush i pret
më thoni
se më luajtën mend e kresë

Larje duarsh

llogarit shpenzimet miku im
blije një sapun në të mjafton
unë do kujdesem për larjen tënde
sot do ta nënshkruajmë moratoriumin
mbi orën e vdekjes
se i erdhi fundi lojës disfatiste
me ujin e ftoftë të burimit
larje duarsh nga qëllimi final
rrëshqitje në kohë
me duar të palara
sa afër burimit
sa larg pastërtisë

Gënjeshtar

prapë
gënjeve shokët e idealit
në rrugët e rrëpira të faqes së malit
faqe nxirë
fjalë ngrënës e i paburrë
i vetëm po
me shokë
jo
më kurrë
jo

Pa dashje

ia këputa telin çiftelisë
pa dashje
nuk ia mësova notat melodisë
kurrë
e melodinë e desha aq shumë
djalli ta marrë

për ty më kënga
nuk do këndohet
as vaj s’do bëj kush
vrave këngën me dorën tënde
në rrugët e harrimit
makthi që po rritet
miqtë të thanë
kujdes këngën se vritet

Me keqardhje

dikur
mendimet i kishim të njëjta
për njeri tjetrin
kishim nevojë

përditë po largohesh
vërtetë më vjen keq
jo edhe aq për ty
sa
për mangësinë që nuk t’u heq
ves ky
që të ka stërkeq
sa keq

CH-19-11-2025

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: PËRJETËSIA E SHPIRTIT SHQIPTAR NË TREGIMET E BEDRI TAHIRIT

Zymer Mehani: PËRJETËSIA E SHPIRTIT SHQIPTAR NË TREGIMET E BEDRI TAHIRIT

Vëllimi me tregime të zgjedhura nga Bedri Tahiri, i titulluar “Përjetësia”, është një pasqyrë e …