Mehmet Bislimi: KËNGËN QË NUK E MUNDI VAJI!

ë sfondin e përtej reales mbijeton diçka e pashpjegueshme, diçka e padukshme e paprekshme, diçka e papërshkueshme, diçka që na mban gjallë e të papërkulur para sfidave të rënda që jeta na i vuri në rrugët tona si para sprovës së një kandari të madh, me të cilin në mënyrë tejet të vrazhdë, por tepër burrërore matet morali dhe pesha e burrave të dheut. Para besëtytnive dhe imagjinatave, para hekurave dhe mureve të ftohta, para ndarjeve të dhimbshme nga përqafimi i nënave, nga përqafimi i nuseve, nga loti i fëmijëve, ndarje këto që rëndojnë, por si shkëmbi ballërrudhur mbi majat e maleve me borë. Ndarje nga ajri e shija e tij, nga blerimi i pranverës, nga cicërima e zogjve, nga bulimi i gemit në degë, për nga një copë këngë, për nga një copë liri, për një peshë fuqie të fjalës së pathënë, me dëshirën e madhe për ta thënë të vërtetën e fuqishëm me zë kumbues edhe përmes këngës, pavarësisht nga haraçi që duhet paguar me këtë rast: …. ooo, ne e duam lirinë mbi të gjitha ooorrrreee… Kështu dëshiroi dikur Naimi, kështu dëshiroi dikur brezi i tij, kështu dëshiruan dhe bënë dikur pararendësit tanë, kështu na mësuan dhe na edukuan ata, që me këngë dhe krenari të triumfojmë mbi robërinë shekullore, kështu bënë Oso Kuka, Jakup Ferri, Mic sokoli… ngadhënjyen mbi vdekjen duke u futur në këngët e përjetësisë së atdheut tonë.
Naim Shala, së bashku me gjeneratën e vet, edukuar dhe frymëzuar nga lashtësia e rrënjës së tyre, vazhduan këngën në shkollë, në demonstrata, në burgje, në rrugët e ilegales, në rrugët e vetmisë, në rrugët e zhuritura të atdheut tonë duke çarë drejt lirisë së nesërme, stoikë përballë sfidave të jetës – kështu i kishte edukuar bacë, Hazir Shala bijtë e vet: që me këngë ta ndrydhin dhimbjen e po me këngë ta përbuzin pushtuesin!
Edhe Naimi, si çdo i ri, kishte ëndrrat e veta rinore, por pushtuesi ynë gjakatar ëndrrat e rinisë sonë të bukur i kishte goditur rëndë, me shpatë në mes.
Naimi qysh si i ri e kishte dashur këngën shumë, dhe nuk ishte ndarë nga tingulli magjik i saj për asnjë çast, madje as brenda mureve të ftohta të burgut ai këngën e kishte mbajtur të fshehur thellë në gji duke e ngrohur kështu shpirtin e tij liridashës. Kur ne, shokët e tij, për një çast humbitnim në mugëtira të mjegullnajave të përmallimit që gërryenin përbrenda mushkërinë… Naimi i jepte zërit të tij të bukur prej bilbili:
…Euuu, nuk po muj o shokë me folë, se m’ka ra gjaku në gojë!… dhe ne bëheshim tok e ia shtonim fuqinë shpirtërore këngës së bukur shqipe që kumbonte aq fuqishëm nga goja e Naim Shalës…
Që nga atëherë kaluan vite e vite deri në prag të shekullit të ri, ëndrrat dhe dëshirat me punë duhen bërë realitet, ndryshe ato mbesin në përqafim të gjumit të parë, dhe zhduken pa lënë gjurmë, nëse këngëtari nuk i jetëson ato, nëse poeti nuk i vë në letër ato, nëse piktori nuk i vë në bezen e bardhë ato, nëse skulptori nuk i zbraz në bronz ato, nëse luftëtari nuk i var si stoli në gjoksin e atdheut ato, prandaj…
Naimi, këto ditë, po realizon njërën nga ëndrrat e tij të kamotshme, për t’i lënë ato në luadhin e blertë të trojeve shqiptare si tinguj të larmishëm përjetësie.
Ai ka bërë gati albumin e tij me titull: “Jeta ime”, i cili ngërthen në vete 10 këngë të reja, kryesisht të zhanrit të lehtë. Nëntë nga të cilat i ka kompozuar, kompozitori i shquar, Edmond Zhulali, ndërsa një Sami Piraj. Promovimi i Perlës muzikore të Naimit me këngë “Jeta ime” do të bëhet më 5 qershor në “Salle Communale” ( komuna ONEX-së ) në Gjenevë të Zvicrës, në orën 20.°°.
Është në shpirtin e dëgjuesit që ta thotë fjalën dhe vlerësimin e tij kritik për “këngët e pakënduara” të Naim Shalës, të cilat këto ditë do të shpërthejnë në mijëra ngjyra e që në fund të fundi ato nuk i ngulfati as vaji që ishte imponuar nëpër rrugët e jetës së tij dhe të kombit tonë në përgjithësi për vite me radhë.



Migjeni, poeti e prozatori i madh shqiptar, që nuk u kuptua si duhet asnjëherë

Njëri ndër poetët më të shquar shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla, ashtu sikur pati fatin e keq në jetën e tij të shkurtër, ashtu vazhdon ta ketë fatin e keq jo vetëm krijimtaria e tij e shkëlqyer, por edhe bustet dhe emri i tij. Indiferenca, keqinterpretimet dhe satanizimi që po i bëhet Migjenit dhe krijimtarisë së tij, nga disa qarqe në Shqipëri dhe në Kosovë, vë në pikëpyetje të madhe ndërgjegjen intelektuale shqiptare në përgjithësi e në veçanti papërgjegjësinë e organeve relevante shtetërore, arsimore dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat po anashkalojnë manifestimet në përvjetorët e lindjes apo vdekjes së këtij poeti dhe intelektuali ndër më të shquarit të kombit shqiptar.

Nuk ka faj Migjeni pse kishte emrin Millosh dhe për shkak se ishte pjesëtar i fesë ortodokse, sikur komentohet në disa qarqe të mjera intelektualësh sidomos në Kosovë por edhe në Shqipëris. Nuk mund t’i vihet faj sot, sepse paska qenë ateist, kur nuk dihet mirëfilli se a ishte i tillë në jetë, dhe për më tepër kishte mbaruar një shkollë fetare ortodokse. Nuk ka faj Migjeni pse ishte keqinterpretuar poezia dhe proza e tij nga disa kritikë të realizmit socialist apo pse keqinterpretohet sot nga kleri katolik dhe “demokracia” në stilin dhe kuptimin njëdimensional të politikanëve të Shqipërisë
Mjerisht, “Migjeni duket shumë fatkeq vetëm sepse ka lindur shqiptar”. Po të kishte lindur në Hungari, do të ishte si Shandor Petëfi, ose Adi Endre. Po të kishte lindur në Rusi do të ishte i njohur si Jesenini apo Majakovski. Po të kishte lindur në Greqi do të ishte një Janis Ricos. Mirëpo fakti se ai ishte shqiptar, ortodoks me përkatësi fetare, tash në periudhën e këtij farë pluralizmi pa fre, ka bërë që të sulmohet nga të gjithë, e sidomos nga kritika fundamentaliste fetare në përgjithësi, e në veçanti nga disa fundamentalistë krishterë të Shkodrës.

Migjeni, dikur i interpretuar me të drejt si poet uragan i papërmbajtur, tash duket edhe më fatkeq, sesa ishte realisht në jetë. Padrejtësia që po i bëhet këtij gjeniu të letrave shqipe është një damkë e madhe në ndërgjegjen e vërtetë intelektuale, sepse letërsia shqiptare njeh një Migjen, një poet e prozator realist, që barazohet me të drejtë me poetët më të mëdhenj të letërsisë botërore, të periudhës së realizmit. E tërë krijimtaria e Migjenit është krejtësisht e angazhuar dhe në shërbim të njeriut, në shërbim të shqiptarit të kohës, kur jetoi poeti. Vepra dhe jeta e tij ishte njëzuar në një protestë të mirëfilltë shoqërore, protestë e cila nuk e bëri më të mirë Shqipërinë e kohës së regjimit të Ahmet Zogut, por diagnostifikoi sëmundjen e vërtetë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të asaj kohe, të asaj Shqipërie aq të vockël, sa nxënësit e tij mezi e gjenin në hartën e botës.

Duke parë vuajtjet e skamjen e shumicës shqiptare, duke qenë edhe vetë bashkëvuajtës e bashkëskamor, Migjeni arriti jo vetëm të identifikojë shkaktarët e vërtetë të mjerimit, por edhe t’ i satanizojë dhe t’ i diskreditojë me aq sa mund të bënte këtë punë një poet, te i cili rrihte delli i gjenit të pastër njerëzor e kombëtar.
Asnjë poet tjetër i kombit shqiptar nuk ka qenë aq diskret në përshkrimin realist të gjendjes shoqërore të Shqipërisë, në kohën kur jetoi dhe krijoi Migjeni.
Ai nuk ishte një uragan, që mund të ta bënte më të mirë Shqipërinë, nuk ishte një “Pontifex maximus”, as një Papë, sikur thotë për veten e vet, por ishte një poet guximtar, që i nxori në sipërfaqe të palarat, prapambetjen, injorancën, fudullëkun, bajraktarizmin e pse jo edhe mungesën e shprehur të qytetarisë në shoqërinë e kohës, të asaj kohe të zezë kur ai jetoi. Ishte një grusht pothuajse i vetmuar që donte ta godiste “malin që nuk bëzante”, ndërsa mali nuk tundej dot, për më keq ai heshtte ndërsa poeti vuante dhe në vuajtje do të vdiste.

Migjeni ishte i vetëdijshëm se fjala e tij e guximshme do ta dëmtonte dhe do ta rrezikonte, por ai nuk e tradhtoi ndërgjegjen, sikur bënë shumë poetë të asaj kohe, veprat e të cilëve nuk prekin dot nivelin artistik dhe përmbajtjen e fuqishme të krijimtarisë së Migjenit, edhe pse kritikë të ndryshëm mundohen t’i paraqesin si vepra të arrira.
Migjeni ishte një gjeni tipik shqiptar, ndoshta edhe me tipare tipike të intelektualit ballkanik, për kohën kur jetoi. Ai me kohë dhe në mënyrë autentike kishte zbuluar gënjeshtrën, që fshihnin priftërinjtë e hoxhallarët nën petkun e tyre fetar. E njihte religjionin, e njihte realitetin ekzistues, kishte lexuar veprat e shumë filozofëve të kohës, kishte të dhëna për Revolucionin socialist të Tetorit dhe për përpjekjet që po bënte bota në luftë për t’ u çliruar nga robëria e shfrytëzimi imperialist. Megjithatë, ai nuk ishte komunist, dhe nuk u anëtarësua në “Grupin Komunist të Shkodrës”, edhe pse kishte shumë simpatizantë në mesin e atij grupi. Ai ishte një simpatizues i socializmit dhe i barazisë shoqërore.

“Dielli alegorik” i Migjenit, për të cilin aq shumë është spekuluar, nuk është e thënë të ketë qenë “Revolucioni i Tetorit” i vitit 1917 në Rusi. Mund të vërehen refleksione të tilla, por nëse lexohet me vëmendje dhe nëse kuptohet drejt tërë aktiviteti i tij krijues, do të bindemi se “Dielli alegorik” i Migjenit” ishte fiksioni i tij poetik, dëshira e tij e zjarrtë për një jetë më të mirë, të cilën ai e aspironte me vullnetin e tij dhe dëshirën e madhe për zgjim, për “liri të shprehjes dhe të mendimit të lirë”, për shfrim pozitiv të vullneteve të ndrydhuna… 

“ Ndër tru të njerëzimit Zoti galuc ka ndejtun” 

Nuk është antifetare krijimtaria letrare artistike e Migjenit, ndonëse notat shpeshherë nihiliste dhe pesimiste arrijnë të shprehin efekte ankthi edhe kundër vetë krijuesit, madje edhe kundër predikuesve të feve.
Edhe pse është spekuluar me dekada të tëra, në kohën e interpretimit marksist leninist të letërsisë dhe të rrethanave shoqërore e ekonomike, si poezi ateiste, poezia e Migjenit nuk është aspak ateiste, nuk është blasfemuese, por është një kritikë e rreptë shoqërore, kritikë drejtuar klerit hipokrit, kritikë drejtuar institucioneve të mekuna dhe të zhytura në korrupsion e degjenerim, dhe kritikë drejtuar tërë një populli, i cili ishte pajtuar me mjerimin dhe me rezignatën e vet tragjike dhe bëhej sikur po priste vdekjen kolektive. 
Në një kaos të tillë, në një gjendje mjerimi ku ishte katandisur Shqipëria në vitet ‘30, Migjeni nuk shihte rrugëdalje tjetër përveç ndryshimit rrënjësor të gjendjes. Dhe, ai i besonte njeriut, i besonte madje në formë virtuale edhe “mbinjeriut”, nga i cili do të kërkonte shpëtim, edhe pse shpëtimin nuk do ta gjente dot.
Por kjo nuk është e tëra. Migjeni ishte shumë realist, për të besuar në trajtat e mbinjeriut. Ai në brendi të shpirtit të tij kryengritës, po mundohej të gjente një formulë shpëtimi për popullin, për Shqipërinë, duke harruar edhe vetveten, edhe shëndetin e dobët, edhe sëmundjen fatkobe, e cila e mori në lulen e rinisë. Dhe, në rrugë për të gjetur një formulë të tillë, ai do të kërkonte shpëtim edhe nga një “mbinjeri”, nga një “Pontifex maximus” të cilit në esencë nuk i besonte.

Migjeni nuk e qesëndis religjionin si të tillë, por i vë para sprovave të ndërgjegjes njerëzore klerikët, ata të cilët mësonin dhe interpretonin përmendsh mësimet e Biblës dhe të Kuranit, në një vend ku vdisej urie, ku foshnja ngrinte nga të ftohtit, ku malësorja tregtonte me nderin për të shpëtuar djalin e sëmurë, filizin e vetëm të qenies së vet, ku hajni i vogël, i cili kishte vjedhur vetëm aq, sa për ta bërë zap vetëm për një çast urinë, nuk gjente dot strehë as në kishë, sepse prifti predikonte dhe kërcënonte me ferr ata që vidhnin, por nuk i tregonte vjedhësit se si të jetonte ai nga lëmosha, kur po këta priftërinj e hoxhallarë nuk jepnin lëmoshë, por mjaftoheshin duke uruar gjithandej me fjalët tashmë monotone: “Zoti të dhashtë”. E Zoti ishte diku larg, ai si duket kishte harruar tërë njerëzimin se lërë më shqiptarët, konstatonte me keqardhje dhe i kapluar nga pesimizmi, shpirti shumë i ndjeshëm, dhe po aq i zemëruar, i Migjenit.
Interpretimi i tillë i plagëve shoqërore nga Migjeni, doemos se do ta konfrontonte atë, jo me Shqipërinë, por me sunduesit matrapazë dhe satrapë të saj, jo me religjionin, por me interpretuesit dhe përfituesit në emër të religjionit, jo me moralin e pastër ekzistues patriarkal, por me ata që e shalonin moralin duke u fshehur pas tij.

I tillë ishte Migjeni, të paktën i tillë del nga vetë vepra e tij, të cilën dikur e kishim edhe ushqim shpirtëror, dhe të cilën e kemi interpretuar sipas tekeve tona, për ta lënë në harresë tani, kur në disa segmente, në trojet etnike shqiptare po trashet mjerimi, po “lulëzojnë” trafiqet, degjenerimi, shfrytëzimi dhe të gjitha të ligat tok, por në forma dhe trajta të reja të botës së sotme, madje në disa segmente edhe më të çoroditura se në kohën skëterrë të Migjenit. 

Këngët e mia të pakëndueme, djepi dhe varri im 

Për dallim nga të gjithë poetët shqiptarë të kohës, Migjeni dispononte një botë të veçantë të ndjesive. Në thellësi të shpirtit të tij kryengritës jetonte Migjeni humanist, altruist, njeriu që vuante me të gjithë të vuajturit e botës, sepse në vuajtjet e tyre identifikonte vuajtjet dhe mjerimin njerëzor, vuajtjet e njerëzve që nuk arrinin t’ i shijonin të mirat dhe kënaqësitë e kësaj bote, ndërsa për botën “tjetër” nuk e çante kokën.

Migjeni vuante me vuajtjet e nxënësve, me hallet dhe brengat e punëtorëve e të fshatarëve, me afshin djaloshar, që nuk arrinte të shprehej në rrugë normale, por gjente shtigje të shprehjes së degjeneruar, të ndragët e të zvetënuar.
Përse ky krijues vuante, jo vetëm me bashkëkombësit e tij por me të gjithë të përvuajturit e kësaj bote?
Migjeni, mbi të gjitha, në jetë dhe në vepër ka qenë humanist, i gatshëm për të ndihmuar, i gatshëm kurdoherë për t’ u sakrifikuar për të mirën e përgjithshme. Po ashtu ishte i gatshëm të denonconte çdo padrejtësi dhe të stigmatizonte çdo shpërdorues të moralit, çdo mashtruese e abuzues, sepse vetë ishte njeri i drejtë, i dashur, jo vetëm sepse ishte një tip i veçantë dhe i padjallëzuar, por sepse kishte shpirt dhe bindje të intelektualit të shkolluar e të emancipuar. I vetëdijshëm se pozita e intelektualit të njëmendtë nuk është rehatia e tij shpirtërore, llokma dhe përfitimi vetjak, Migjeni kishte pranuar jetën e Sokratit të vuajtur, e jo të derrit të kënaqur.

Këngët e tij të “këndueme” e të “pa këndueme” i kushtoheshin njeriut, njeriut të thjeshtë, që përpiqej ta gjente rrugën e mbijetesës, rrugën e njerëzisë, rrugë e cila trasohej me shumë mund e sakrifica. Dhe ato këngë ishin djepi ku ai flinte dhe rehatohej për një çast, por edhe arkivoli ku do t’i pushonin eshtrat në përjetësi. 

Hesht more, hesht! por qindro o shpirt! 

Në rrugën e tij të shkurtër jetësore, por shumë të gjatë me vuajtje e mjerime, Migjeni ishte ballafaquar me grushtet e rënda të jetës. Dhe, për më keq ai vuante edhe me mjerimin e të tjerëve, vuante me vuajtjen e të gjithë të mjerëve të kësaj bote. Në një gjendje të tillë shpirtërore, i trajtuar keq materialisht dhe i sëmurë nga kushtet e rënda të jetës, ai me vizionin e tij të fuqishëm artistik krijoi një diskurs të veçantë komunikativ me lexuesin e kohës kur jetoi dhe veproi.
E dinte Migjeni se sfida kundër të ligave të shumta ishte e rëndë dhe shumë e pabarabartë, Ishte i vetëdijshëm po ashtu se nuk do ta fitonte luftën kundër të ligave, kundër padrejtësive dhe nopranive njerëzore.
Shëndeti i dobët, shokët, motrat dhe të gjithë ata që e donin ia preferonin heshtjen. Edhe regjimi kërkonte që ai të heshtte. Kishte çaste dëshpërimi kur edhe vetë Milloshi fizik i thoshte, hesht, Milloshit krijues, por nuk i bënte dot shpirti për të heshtur para tërë asaj katrahure, tërë asaj bote të zhytur në padituri, në skamje e mjerim.
Dhe poeti nuk do të heshtë deri në rëktimën e fundit të shpirtit, deri kur kishte shkruar tri radhët e fundit te shënimi “I fundi Skanderbe” “Ku janë orat dhe muzet?
Shtojzovallet e zanat ku janë?
S’ po flitet ma për vallet e tyne,
As për sytë e tyne që të shitojnë, as të bajnë fatbardhë,
S po flitet ma!”

Dhe, nuk shkroi më poeti i madh shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla, i cili jetoi vetëm 27 vjet. Kishte lindur një vit para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe vdiq një vit para pushtimit italian të Shqipërisë.
Vdiq në Torre Pelice të Italisë.
Sot shumë vjet pas vdekjes së Migjenit, Shkodra loke, të cilën aq shumë e deshi, Shkodra, “dashnorja e shekujve”, Shkodra, për të cilën thoshte se dëshirat e tij për atë qytet ishin shumë më të sinqerta e më të mëdhaja, sesa dëshirat që pati Perëndija kur e krijoi botën, nuk e përkujton dot poetin, ose e përkujton fare pak, sepse duket sikur është e sëmurë me “akrobacionin dallëndyshuer”. Shkodra, Ballkani, Evropa, Bota mbarë është sëmurë prej këtij akrobacioni, prej kësaj gare marramendëse të shfrenisë së përgjithshme dhe prej indolencës së sëmurë….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …