Mehmet Bislimi: Mjeshtër!

Po filloj me një qasje skofiare, me qëllimin e mirë që të mos i shqetësoi të dashurit tuaj. Miku im që fluturon hapësirave të pafundësisë se kësaj bote, dua të bisedoj sonte me ty në heshtje. Po, ditët kanë rrjedhur ngadalë e në harmoni, ashtu siç ike edhe ti i qetë dhe në heshtje, me mallin e agimit të parë, atëherë kur erdhi pranvera, dhe ti buzëqeshe me ëmbëlsi, rrethuar me më të dashurit tuaj, që sot e mot të kujtojnë, duke shtrënguar fort në gji e zemër kujtimet për ty, për frymën e fundit, për buzëqeshjen e ngrirë, me shikimin depërtues gjerë e gjatë tokës arbërore, ahë tokë, tokë… dua të të shoh, të të shoh edhe një herë!

Zemrat e tyre janë të plagosura edhe sot, plagë këto që shërohen ngadalë, ngadalë, ngadalë. Atë ditë, po përcillnim mjeshtrin e penës me pengun e fjalës së pa thënë… e ti nuk u dorëzove as atëherë, kur në fyt kishte të lidhur litarin e robërisë. Krejt natyrshëm, secili nga ne ka ardhur në jetë pa dijen e tij, pa dyshim se edhe do të largohemi nga këtej, po ashtu pa dijen tonë… sa e lehtë është kjo, kur bëhemi të vetëdijshëm se kemi përmbushur misionin e jetës. Sa e bukur është kjo, sa e lehtë është më pastaj kjo ikje, ikje me shpirt të pajtuar!

Sa herë të kujtojmë, vërtetë ta kemi zili, sa e madhe është ora e ikjes me shpirt të paqetuar drejt qiellit të kaltër shqiptar. E bukur kjo histori mjeshtër i penës dhe i fjalës, e lakmueshme kjo, si ta gjejmë edhe një figurë në të cilën ishte e ngërthyer kaq vendosmërisht; fjala, vendosmëria, besnikëria, atdhedashuria pa kushte, pa hile… misioni jetik ky, liri bashkim! Aspiratë kjo e moteve tona të rënda në ngarendje për liri e bashkim kombëtar, që tek ty ishte ndërtuar e kultivuar ndër vite. Këtë virtyt ti, na e le mbrapa si amanet neve, të gjithë brazave që do të të pasojnë; LIRI –BASHKIM.

 

24 dhjetor, 2025
Mehmet Bislimi

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Muharremi: Tingulli i lashtësisë, mozaiku i Saimir Stratit

Ilir Muharremi: Tingulli i lashtësisë, mozaiku i Saimir Stratit

I realizuar nga mjeshtri i mozaikut Saimir Strati kjo vepër arti prek thellësinë, lashtësinë, retrospektivën …