Blerim Kadri Spahiu (10.11.1971 – 25.12.1999)

Blerim Kadri Spahiu (10.11.1971 – 25.12.1999)

Në pjesën veri-perëndimore të Drenicës gjendet fshati Kastriot. Në këtë vend brez pas brezi kanë lindur e janë rritur bijë e bija që i kanë dalë zot atdheut. Kushtrimi i pushkës së Adem Jasharit i ngriti në këmbë dhe i bashkoj rreth tri shkronjave UÇK të gjithë djemtë e fshatit që më shumë krenari e mban emrin Kastriot. Pa dyshim së pjesë e zhvillimeve kombëtare ku do të vulosej fati i Kosovës ka qenë çdo familje duke i angazhuar të gjithë burrat në mesin e trimave çlirimtar. Prindërit Kadri e Haka Spahiu lindën e rritën më përkushtimin më të madh gjashtë djem e një vajzë: Fadilin, Naimin, Blerimin, Selmanin, Safetin, Rrahmanin dhe Sadeten.

Nga familja Spahiu Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkuan Blerimi e Selmani për t’i shtuar radhët e luftëtarëve të lirisë e për t’ia sjellë lirinë e Kosovës. Blerimi shkollimin fillor dhe atë të mesëm e ka mbaruar në vendlindje përkatësisht të fshatin Runik por pa pasur mundësi për t’i vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës për kundër dëshirës së madhe por nuk mundi për shkak të rrethanave të krijuara në atë kohë nga okupatori serb. Ai në mars të vitit 1998 pas betejës heroike të Prekazit kur tanimë lufta ishte e pashmangshme është inkuadruar në UÇK dhe ka shërbyer në roje të fshatit dhe detyra të tjera operacionale të ngarkuara Shtabi i Përgjithshëm. Ish-luftëtari Blerim Spaihu ka qenë i vendosur në njësitin e UÇK-së në fshatin Kastriot i cili komandohej nga eprori Musa Dervishaj, si pjesë e Brigadës 112 “Arben Haliti”. Ai e ka marr pjesë në stërvitje ushtarake në kuadër të Akademisë Ushtarake “Hamëz Jashari” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku është graduar me titullin komandant togu. Në verën e vitit 1998 Blerim Spahiu së bashku më disa bashkëluftëtar nisën për në Shqipëri për t’u furnizuar më armatim por në mes të rrugës urdhërohen nga eproret që të kthehen mbrapsht për shkak të rrethanave objektive të krijuara në kufirin shqiptaro-shqiptar. Por pas disa betejave të realizuara ndjehej dukshëm nevoja për furnizim më armë e municione të tjera. Kështu që fillimi i dhjetorit të vitit 1998 e gjen Blerimin në Shqipëri së bashku më një grup prej rreth 160 luftëtarëve të cilëve u printe komandanti Mujë Krasniqi.

Ata qëndruan 10 ditë në Shqipëri dhe pastaj të stërngarkuar më armë nisën nga Tropja për në Kosovë. Gjatë kalimit të kufirin ata bijën në pritë të organizuar të forcave serbe dhe në luftim e sipër përjetësohen 41 luftëtar ndër ta edhe komandant Muja. Ndërsa Blerimi merr plagë të rënda dhe mbetet i shtrirë mbi borë ku dhe zihet rob me 8 bashkëluftëtar të tjerë që shumica e tyre kanë qenë të plagosur. Ata janë burgosur e keq-trajtuar nga forcat serbe fillimisht në kazermën famëkeqe të ushtrisë serbe në Prizren nga një refugjatë serb nga Kroacia dhe një polic ushtarak nga fshati Banjë i Skenderajt e cili e ka njohur fare mirë Blerimin. Atë më shokët e tij i kanë torturuar barbarisht për 4 ditë dhe 4 netë duke i detyruar të qëndrojnë vetëm në këmbë dhe vazhdimisht duke i rrahur. Më pastaj ai është transferuar në burgun e Nishit ku as atje nuk kanë munguar keqtrajtimet më mizore ndaj tij dhe shokëve të tij për dy muaj rresht deri sa Njësia Speciale e UÇK-së e Zonës Operative të Shalës në një aksion në fshatin Studime të Poshtme të Vushtrrisë merr hak mbi forcat serbe për gjakun e derdhur në kufirin e panatyrshëm që i ndante shqiptaret por edhe arrin që t’i zënë të gjallë 8 ushtar serb që më pastaj me ndërmjetimin ndërkombëtar arrihet marrëveshja për shkëmbimin e pengjeve të luftës.

Pra Blerimi me t’u liruar nga burgu me gjithë plagët që i kullonin gjak me gjithë torturat që i kishte në trup të shkaktuara nga forcat serbe ai sërish do të bashkohej më bashkëluftëtaret e tij dhe të ishte pjesë e çdo beteje deri në ditë e çlirimit. Ndërsa vëllai i tij Selmani është plagosur rënd me 15 maj të vitit 1999. Blerimi arriti që ta shijoj pakëz liri, arriti që ta shoh Kosovën e lirë, ashtu siç kishte ëndërruar dhe për të kishte derdh edhe gjakun e trupit të tij por njëkohësisht ndjente dhembje por edhe krenari për shokët e flijuar në kufirin shqiptaro-shqiptar. Veterani i UÇK-së Blerim Spahiu e ka vdekur më 25 dhjetor të vitit 1999 si pasojë e torturave të rënda që i kishin shkaktuar forcat gjakatare serbe. Por atë e bëjnë të pavdekshëm veprat, sakrifica e tij për lirinë e atdheut. Në ditarin e luftës së tij në një fragment ai ka shkruar: “Ushtrisë Çlirimtare i janë bashkuar një numër i madh i vullnetareve, por çështja qëndron tek armatimi që nuk ka për të gjithë, por e rëndësishme është besimi i plotë ndaj UÇK-së, zgjerimi i rrethit të sajë si dhe bllokimi i rrugëve për armikun”.

Në mes rreshtave të ish-luftëtarit çlirimtar shihet morali i lartë i shpirtit luftarak të tij. Shihet vullneti i madh për të luftuar për liri, shihet dëshira e shumë ish-luftëtarëve të UÇK-së për të pasur më shumë plumba për t’i shkrepur armikut në ballë në ato çaste të luftës çlirimtare. Ai nuk ka qenë i martuar por pas vetës ka lenë prindërit, vëllezërit dhe motrën të cilët më shumë nder e kujtojnë, madje një nip në familjen Spahiu e mban me shumë krenari emrin Blerim, emrin e axhit të tij, ish-luftëtar i UÇK-së. Familja i ka ngritur një lapidar dhe si kujtim për të e ruan uniformën ushtarake si dhe ditarin e luftës më shënimet e tij. Ndërsa rruga kryesore e fshatit Kastritot është emërtuar më emrin Blerim Spahiu.

Labinot Dervishaj

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …