Mulla Idriz Gjilani (1901 – 1949), fetar, atdhetar dhe luftëtar për bashkimin e trojeve shqiptare

Mulla Idriz Gjilani (1901 – 1949), fetar, atdhetar dhe luftëtar për bashkimin e trojeve shqiptare

Mulla Idriz Velekinca lindi në Velekincë, fshat në komunë të Gjilanit, më 4 qershor të vitit 1901. Mësimet fillestare i ndoqi në mejtepin e Cërnicës të Gjilanit edhe i mbaroi në vitin 1911 për të vazhduar studimet e mesme në medresenë “Atik” po në Gjilan. Pas një ndërprerjeje të shkollës më 1926 arriti të diplomojë. Në moshën 25 vjeçare bëhet imam dhe merr titullin “Mulla”. Shërbeu në detyrën e Imamit në Karadak e në Hogosht, fshat në komunën e Dardanës. Më 1941 u zgjodh në postin e bashkë- ligjëruesit të Kuvendit fetar-arsimor të Vakëfit të Shkupit.

Në edukimin e tij si fetar ai u nis nga disa parime kur’anore dhe hadithore që përcaktonin vlerat e arsimit, të kulturës dhe të edukatës : “Pa shkollim – thotë ai, – nuk ka as fe të mirëfilltë”, dhe nxënësit tanë nuk duhet të mësojnë më vetëm për leximin e Kur’anit, por edhe për njohjen e mjeshtërisë së shkrimit. Ata duhet t’i nisim në rrugën për ta njohur islamin dhe jo për ta prezantuar si diçka statike”, “S’ka fe pa atdhe” , “Të ndihmojmë njëri-tjetrin me fjalë, me penë, me pasuri, të duhemi si vëllezër”, “Pa një atdhe të lirë feja nuk mund të mbahet kurrë, nuk mund të ushtrohet. Lexoni veprat e të diturve dhe të urtëve sa e mirë, për t u bindur  sa e kuptueshme është feja islame, kur shpjegohet shqip, në gjuhën e Zotit për shqiptarët”.

Gjatë kohës si hoxhë dhe bashkë-ligjërues zhvilloi një veprimtari intensive në fushën e edukimit fetar me frymë atdhetare. Hapi mejtepin e Pidicit për mësimin e djemve dhe të vajzave, organizoi ilegalisht mësimin e shkrim-leximit me alfabetin e gjuhës shqipe, futi mësimin shqip në medresenë “Atik”, ushqeu mirëkuptimin dhe bashkëpunimin vëllazëror me bazë kombëtare shqiptare në popullsinë myslimane-katolike të zonës së Karadakut. Kur qe mësimdhënës në tre mejtepe njëkohësisht, shfrytëzoi sistemin monitor: përgatiti nxënësit më të mirë dhe me moshë më të madhe për ta zëvendësuar kur ai mungonte.

Në prill të vitit 1937, në kushte ilegaliteti, themeloi në Arllat të Drenicës Organizatën e Rinisë Përparimtare “Drita” të Kosovës. Aktivitetet e tij fetare nuk dalloheshin nga ato atdhetare e humane. Kudo, kurdo e me këdo ato ishin të pranishme.

Mulla Idrizi ishte kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Në funksion të kësaj bindjeje atdhetare e humane ai programonte në xhami, në oda e në kuvende, deri edhe në ceremonitë e vdekjes. Në formë kushtrimi ai thërriste: “Jemi përgjegjës për varret e prindërve tanë para Zotit dhe para kombit. Nuk guxojmë të heqim dorë prej tyre t’i lëmë të shkreta për t’i lëvruar derrat e naçalnikëve sllavë! Jo vetëm në Turqi, por as në Shqipëri nuk bën të shkojmë. Zoti në Kur’an na ka bërë përgjegjës për vatanin dhe kombin!”

Mulla Idrizi printe në aksionet për ndërtimin e urave, rrugëve, krojeve, mejtepeve, xhamive, mirëmbajtjes së varrezave, të cilat i shikonte si mjete dëshmuese të bashkimit të popullsisë shqiptare. Uniforma e ndihmoi për të maskuar aktivitetin e tij patriotik. Mulla Idriz Gjilani ishte një “rilindës” në kuptimin e vërtetë të fjalës në kushtet që kalonte Kosova. Në kohën kur Mulla Idriz Gjilani ushtronte detyrën e ligjëruesit numri i nxënësve të “Atik medresesë” të Gjilanit arriti në 734, nga të cilët 326 ishin femra. Po ashtu i organizoi shkollat lëvizëse me mësues shëtitës. Vetëm në zonën e Gjilanit u hapën 39 shkolla të tilla fetare, që zgjuan te brezi i ri ndjenjat fetare dhe ndërgjegjen kombëtare.

Veprimtaria Ushtarake për çlirim dhe bashkim kombëtar

Nga prilli 1941 Mulla Idriz Velekinca iu kushtua plotësisht veprimtarisë politike. Si hoxhë me forcën e Zotit, si mësues me forcën e fjalës, si luftëtar me forcën e armës, si komandant me besnikërinë e ushtarit, ai luftoi për unitetin territorial të trevave shqiptare, luftoi kundër gjenocidit serb e bullgar, kundër komunizmit. Në qershor të 1944 -ës drejtoi betejën e Kikës, ku shqiptarët e udhëhequr prej tij dolën fitimtarë kundër ushtrisë sllavo-komuniste. Veprimtaria e Mulla Idriz Gjilanit është heroike. E tillë është edhe periudha 1944-1949 dhe kallja e tij në zjarr më datën e 25-26 nëntorit 1949.

Ishte intelektual i kohës, i cili zotëronte shumë gjuhë orientale, gjë që e mundësoi të njihet me arritjet shkencore të kohës, në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë, astronomisë, etj. Botoi punimet fetare “Lindja e pejgamberit”, dhe “Vëllazëria Islame’, të cilat përshkoheshin nga mesazhi i paqes, vëllazërimi, bashkimit kombëtar, etj. Mulla Idriz Gjilani: “Liria e vatanit nuk fitohet me parti e me tarafe, me të pafe e me shkije të veshur si shqiptarë”.

Si komandant i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare në Nënprefekturën e Gjilanit, rojeve të kufirit në viset Prapashticë–Bujanoc-Preshevë-Kumanovë u la amanet se “Njeriu ka një nënë, ka një babë, ka një Zot, ka një Vatan që i detyrohet jeta… Pa vatan të lirë, nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as xhenet”. Ishte njeri i penës dhe i pushkës, i cili dijen dhe guximin për veprim e pati në proporcion të barabartë. Luftën për komunizëm e cilësonte tradhti dhe mashtrim. Shikuar nga aspekti i mënyrës së martirizimit, Mulla Idris Gjilani e mbylli jetën në mënyrën që ia preferonte vetes dhe bashkëluftëtarëve, i pamposhtur për lirinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Pas sulmit në Gjilan, që u bë pa pëlqimin e Mulla Idrisit, ai strehohet në fshatin Tugjec e pastaj te familja patriotike Sadiku në Gjyrishec. Aty qëndroi pesë vjet me popullin dhe në kontakt të përhershëm me Lëvizjen e Rezistencës. Një ditë, pas shumë kërkimesh, zbulohet dhe arrestohet. Djali i tij, Isa i kishte vetëm shtatë vjet, kur babanë e tij e sollën të prangosur në burgun e Gjilanit, natën e 22-23 nëntorit 1949. Lajmi për arrestimin e Mulla Idrizit u përhap me shpejtësi. Nuk dinim se çka do të sillte e nesërmja. Shkuam ta vizitojmë, por nuk u lejuam ta shohim, thotë Isa.

Pas tri ditësh, më 26 nëntor familjes ia kumtojnë lajmin për vdekjen e Mulla Idrizit. Gjatë kohës së kaluar në hetuesi, Mulla Idrizi përjetoi torturat më të tmerrshme, por s`u dorëzua. Trupin e tij, pas mesnatës së datës 26 nëntor 1949 e nxjerrin nga burgu dhe e dërgojnë në periferi të Gjilanit, në vendin e quajtur ”Gllamë”, ku e ndezin. Eshtrat që janë gjetur sivjet në këtë lokacion, nga një kompani që po kryente punime rrugësh, dyshohet të jenë të Mulla Idris Gjilanit.  ( Dr. Muhamet Pirraku, nga libri: “ Mulla Idriz Gjilani dhe Lëvizja Kombëtare e Kosovës Lindore”).

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo ka lindur në vitin 1865 në Strugë të Maqedonisë së sotme dhe ka …