E saktë, ne jemi qenie të gjalla, i takojmë botës shtazore, jemi gjitarë, pra nuk i takojmë botës bimore, dhe si të tillë edhe kemi veti e veçori të ndryshme. Krejt natyrshëm, janë në pyetje gjenet, pra ana gjenetike, edukimi familjar, përgatitja shkollore, ngritja individuale, vetëdija që të kompleton, ambienti që na rrethon e kështu me radhë.
Neve, shumë herë edhe na pëlqen të ndajmë ndjesitë me të tjerët, ndjesitë imponuese, epërsitë individuale, egoizmin dominues primitiv, të jemi të pëlqyer nga të tjerët, pavarësisht mendimit të tyre për ne, mjafton që dikujt t’i imponohemi me paraqitje, me fuqi aktuale të pozicionit në shoqëri, si: pushtetarë, gjykatës, avokat, mësuese, krijues, por edhe me arrogancë e vrazhdësi, me vulgarizëm, egoizëm, makutëri, injorancë, hipokrizi, imoralitet, fodullëk etj. për faktin e vetëm që pala tjetër të na pranoj si të duhurit për ta, qoftë edhe për një qëllim të çastit shfrytëzimi, smirëzie, thash e themagjije, gjithmonë prapa kurrizit të të tjerëve!
Por a mund të kthehet krejt kjo në një relacion njerëzore racionale, që realitetin te themi pa ndrojtje, që dëshirat t’i shfaqim pa frikë e keqkuptim, që shoqërinë ta shohim dhe ndjejmë sinqerisht, që të mos ndruhemi nga miqtë, që të mos shikojmë çdo hap të jetës vetëm për mes portave të interesit material e personal, që t’i ndihmojmë njerëzit dhe të mos i pengojmë ata qëllimisht me sjelljet tona vulgare, arrogante, injorante, që të mos jemi kaq egoist e të tjera gjëra që shpijnë në përgjegjshmëri etike, filozofike dhe shoqërore.
Në fakt ne, nuk jemi të detyruar t’i kënaqim dhe plotësojmë dëshirat shumë ngjyrëshe të tjerëve. Jo, por të paktën do duhej që të sillemi modest, shoqërues, njerëzor, pa imponime dhe prapaskena tjera të pista prapa kurrizit të tjetrit. Sa ndryshim i vogël ky, është krejt i mundshëm: mos i mendo tjetrit të ligën, ashtu siç nuk dëshiron që të tjerët të mendojnë të ligat për ty!, kaq e thjeshtë, kaq njerëzore është kjo dhunti e cila ka vetëm madhështi njerëzor.
1). Më tha një shok imi:
– Para disa kohesh, isha në vendlindje, dhe me këtë rast takove disa miq të vjetër. Pa dyshim se u gëzova ngase nuk i kisha takuar për sa kohë. Shkuam për të ngrënë një vakt dreke, dhe filluam të bisedojmë për jetën, natyrën, për gjërat e bukura, për të kaluarën e tonë të hershme etj. Njëri nga ata, tërë bisedën e solli se; ai do të më rregullonte gjithçka që kam nevojë, si pasojë e mungesës sime fizike në vendlindje! Sa mirë, por për krejt këto shërbime ai kërkonte lek dhe vetëm lek! Sa më erdhi keq, dhe kjo më krijoj një shije të hidhur, ai, shoku im i dikurshëm pra; çdo gjë e kishte kthyer në LEK!
Më shumë se barra e peshës së gurit, më rendoj ku kishte rënë ndërgjegjja e tij e turpit, ndërgjegje kjo që kishte rënë në kandarin e pusisë, jo nga nevoja e domosdoshmërisë, por nga llumi i ulët i lakmisë!
2). Më Tha një shoku im:
– Takova një shokun tim, dhe sinqerisht u gëzova, e ftoha për një kafe, për një bisedë të thjeshte njerëzore, për një çmallje me të bërat dhe të pabërat e kohës që ka ikur tani më. E ftova gjithë sinqeritet e respekt, pa asnjë fije interesi tjetër të ndërthurë. Në fakt ndonjëherë edhe keqkuptohesh pa fajin tënd, ngase njerëzit të shohin si të huaj, si Auslander, si të kamur, si të tjetërsuar! Ai më tha, pa vrarë mendjen (shpresoj nga injoranca e tij), mbase edhe nga fudullëku që e kishte mbuluar:
– Eja ti këtu, ngase unë jam më i madhe se ti!, kjo nuk me vrau shumë, ngase i tillë ka qenë ai prej kohesh, injorant i llojit të vet!
– I thash, unë desha vetëm të të respektoj, asgjë më tepër, dhe mbaje mend: Njerëzit në mesin e shokëve dhe miqve, nuk duhet të hiqen të mëdhenj, sa më modest që hiqesh në shoqëri, aq më i madh je shoku im!, në fakt unë mendova së koha të ka gdhendur injorancën tënde, fatkeqësisht, kjo vetëm sa ta paska trashur jorganin e injorancës stinore!
3).Më tha një shoku im:
– Shkova enkas në një Institucion të një Radioje, shkova me plot dashuri e ndjesi, pa dyshim edhe me plot druajtje emocionale se si do ta përballoje takimin me stafin, pasi që miku im, atdhedashësi dhe intelektuali i pa përsëritshëm, nuk jeton më, ai iku në përjetësi!
E njerëzishmja mbetet e tillë- e njerëzishme, pa dyshim sjellja e tyre e në veçanti, sjellja njerëzore e vajzës së mikut tim… e cila na priti aq mirë, me aq respekt e përkushtim, me aq madhështi njerëzore, po aq sa edhe miku im. Madje ajo edhe na përcolli deri tek rruga, eh rrugë kjo e jona (nuk po guxoj të them rrugë e pa kthim!), ajo i dha fund, ndonjë herë tundimit tonë drejt zhgënjimit.
– Jo, populli ynë nuk shuhet kurrë, populli ynë është human, i mirë, liridashës, mikpritës, zemërgjerë e bujar. Ani pse nëpër këmbët tona sillen edhe të tillë, ashtu siç sillet edhe lirimi i gazrave nëpër të linta. Por që të gjitha ato gazra që ne i lirojmë, nuk janë më tonat, nuk janë më shumë se jashtëqitje, si tek çdo popull tjetër. Pra krejt natyrshëm, ato janë pjesë përbërëse e jashtëqitjes sonë kombëtare.
Rroftë populli shqiptarë kudo që është, populli ynë është ndër popujt më bujar, më mikpritës dhe më atdhedashës në tërë këtë dhe që i thonë glob tokësor. Pa çka se intrigantët, injorantet dhe smirëzinjtë na marrin ca kohë, por koha me kohë do t’i gdhendi edhe ata, ani pse me shumë vështirësi.
CH-10-06.2025