Memfis Muça: Elezar Hebreljani, fragment nga romani në dorëshkrim “Mirush Kopiliqi”

Elezari ishte djali i vetëm e Moshe Makabeut, tregtarit të njohur hebraik, i cili qysh moti jetonte në  qytezën dardane të Artaniumit. Ai ishte tregtari më i njohur i kohës. Me karvanët e tij tregtonte nëpër Via Egnatia dhe nga limani i njohur i Selanikut depërtonte në tokën e Izraelit, ku tregtarët sillnin përthurë dhe gjësende me vlerë nga Persia dhe vendet e tjera të lindjes.


Moshe Makabeu me kalorësit, tregtarët dhe nëpunësit e vet kishte ngritur një qendër të madhe tregtare, në Artanë, por në vitin 1334 qytezën e kishin sulmuar befasisht kalorësit rashjanë dhe pasi e kishin plaçkitur të tërën, kishin vrarë banorët e pafajshëm dhe ia kishin dhënë zjarrin shumicës së shtëpive. Me rastin e sulmit, në pronat e tregtarit hebraik, rashjanët kishin marrë peng edhe Elezarin, të birin e Moshe Makabeut, nga i cili kërkonin arin, që kishin dëgjuar se ai e kishte futur në një shpellë, të cilën nuk dinte askush përveç tij.


Elezarin, asokohe katër vjeçar, komandanti i kalorësisë që kishte djegur Artaniumin, e kishte dorëzuar në Pallatin e mbretit  Dushan, i cili kishte urdhëruar, që djaloshit të mos i ndodhte asnjë e keqe, por të merrej nën përkujdesje e të rritej me përkujdesje.


Prifti Sebastije, ishte caktuar përgjegjës për arsimin fetar të hebreut të vogël, të cilin e thërrisnin me emrin Llazar, në trajtën sllave të shqiptimit. I ndarë dhunshëm nga familja, ai në fillim ishte hutuar dhe shumë kohë nuk e kishte marrë veten. Nuk dinte se ç’ kishte  ndodhur me babanë dhe familjen e tij. Në fillim nuk e kuptonte as gjuhën në rrethin e ri, por prifti Sebastije e dinte gjuhën hebraike dhe kishte filluar t’ ia mësonte gjuhën e vjetër sllave, që ishte gjuha e predikimit fetar, por edhe një dialekt i gjuhës që flitej në Pallatin e Mbretit Dushan.


Elezari kishte përparuar në mësime falë pakujdesit të priftit, i cili po ashtu ishte me origjinë nga Lindja dhe ishte përkujdesur që nxënësi i tij, të fitonte njohuri në administratë, meqë Pallati i Mbretit nuk kishte sa duhet njerëz që dinin të administronin punët e shumta e të ndryshme.


Në moshën 18 vjeçare, mbreti ia kishte besuar Elezarit, të ruante një pjesë të dokumenteve të rëndësishme të pallatit. I kënaqur me përparimin e hebreut, i cili tashmë zotëronte punët më të rëndësishme në administratë, mbreti Dushan mendonte ta martonte  me Milenën, bijën e krahinarit Fratko, i cili kishte prejardhje nga Vukani, njëri prej katër bijve të Zavidit të Nemnjidëve.


Elezar hebreu, i cili më vonë pasi ishte konvertuar në fenë e krishterë dhe ia kishin  ndërruar identitetin  do të quhej Llazer Hrebeljani. Ai dukej se nuk mbante mend  asgjë nga e kaluara.


Një ditë, në Pallatin e Mbretit Dushan, në Prizrend, kishin ardhur disa tregtarë hebrenj, të cilin kishin sjellë pëlhura, stoli të ndryshme nga ari e argjendi si  dhe veshje  të ndryshme për femra dhe meshkuj. Njëri prej tregtarëve, i cili e dinte se guvernatori i ri i Pallatit ishte hebre dhe djali i mikut të tij, Moshe Makabeut, që  kishte vdekur nga tronditja për rrëmbimin e birit të vetëm, kishte shfrytëzuar rastin dhe derisa po bisedonte lidhur me marrëveshjen tregtare,  i kishte treguar Llazarit fragmente nga e kaluara e tij. Mirëpo  bisedën e tyre, përmes shërbëtores së tij besnike,  e kishte përgjuar  Svetolik Rashjani, oborrtari i lartë i mbretit. Ai pa vonuar kishte ndaluar tregtarin hebre dhe e kishte marrë në pyetje. Në kohën kur  e kishin shtruar në tortura, ai kishte pranuar se kishte arritur të depërtonte në pallat, si tregtar edhe  me qëllim që të vërtetonte identitetin e Elezarit, meqë ashtu e kishte porosi xhaxhai i hebreut të rrëmbyer. Svetoliku e kishte ballafaquar tregtarin hebre me Llazarin. Ai ishte habitur me veprimin e dhunshëm të oborrtarit.


-Përse e mbani lidhur këtë njeri, iu kishte drejtuar atij?


-Sepse është një shpifarak i ndyrë dhe ka ardhur me qëllim për ta diskredituar Pallatin.


-Nuk po kuptoj. përse është fjala?


-Ky tregtar, duke e ditur se nëna të ka lënë vetëm tre vjeç të ka thënë se ti je biri i një hebreu dhe krejt kjo është një gënjeshtër e kulluar.


-Nuk e kuptoj përse duhet të ketë gënjyer dhe përse duhet t’i kem besuar atij?


-Këtë e ka bërë me qëllim për të përvetësuar dhe për të të nxitur kundër Mbretit, i cili të do, ashtu sikur do njeriu djalin e motrës së vet. Ajo e gjora i vdiq  në moshë të re dhe ai të mori në Pallat dhe të mban sikur djalin e vet.


Elezari e kishte shikuar me habi tregtarin hebre, i cili  po dridhej nga frika se mos do t’ ia shkurtonin kokën.


-Ju lutëm. Hirësi, lirojeni këtë njeri. Ky nuk ka bërë asnjë gabim. Unë e di se i kujt jam dhe kujt i shërbej, kishte thënë prerë.


Svetoliku kishte urdhëruar që hebreu të paguante një gjobë me një çmim të lartë dhe të shkruante një deklaratë, në të cilën do të shënonte se ai kishte gënjyer me qëllim të përfitimit, nga një hebre i pasur.


Takimi  dhe skandali që kishte ndodhur me tregtarin   hebre, kishte shtuar dyshimet në shpirtin e padjallëzuar të Elezarit. Ai, një ditë kishte ftuar në dhomën e tij të punës edukatorin dhe njeriun, të cilin e konsideronte si baba shpirtëror, priftin Sebastian dhe i kishte treguar ndodhinë me tregtarin hebre.


Prifti, ishte zënë ngushtë dhe nuk kishte arritur ta fshehte shqetësimin e njeriut, të zënë në befasi. Ai, e dinte se ishte betuar të mos tregonte kurrë për rastin, kur ishte caktuar edukator, por ndjenja e tij e pastër fetare e njerëzore, si dhe përkatësia që e lidhte në një anë me origjinën e dikurshme të njëjtë, bënë që prifti ta zbulojë të vërtetën.


-Biri, im, iu kishte drejtuar me zërin e tij të ndrojtur. Këtu përgjohemi. Eja një ditë në qelën time dhe mund të bisedojmë.


Elezari e kishte kuptuar tashmë se kishte diçka të papërputhshme në jetën e tij. Qysh moti kishte vërejtur se mocanikët e tij nuk ishin rrethprerë dhe më vonë gjatë arsimimit ai kishte mësuar se hebrenjtë, arabët e turqit rrethpriteshin, por jo të krishterët. Nuk i kishte dhënë rëndësi këtij fakti, por kishte filluar të kuptonte se kishte diçka të thyer në jetën e tij. Atij i kishin thënë se i kishte vdekur e ëma, por nuk dinte kush ishte babai, për të cilin, po ashtu kur kishte filluar të rritej  e kishin thënë se ka shkuar në Bizant dhe nuk është kthyer kurrë. Atë e pajtonin me faktin se ishte nipi i Mbretit dhe tërë kjo mjaftonte, edhe pse ai vetëm pak kohë ishte pasur rast ta takonte  e të  bisedonte shtruar “dajën” e tij, Mbret.


Duke qenë i shqetësuar dhe i mërzitur me zbulesën e tij të papritur, Elezari, një ditë kishte shkuar në qelën e priftit Sebastije. Pasi ishte betuar në emër të Atit dhe të Birit… se nuk do të rrëfente kurrë se kush i kishte treguar për familjen, prifti  i kishte rrëfyer krejt çfarë dinte për jetën dhe familjen e tij, dhe për të cilën ishte betuar se nuk do të tregonte kurrë. Ai e kishte arsyetuar zbulimin e së vërtetës, me fatin se kishte qenë i detyruar ta mbante fshehur për ta shpëtuar kokën, dhe konsideronte se mëkatin që e kishte bërë në atë kohë, po e shlyente tani duke e nxjerrë në shesh të vërtetën, para Zotit dhe atij vetë.


-Ti edhe ashtu je nip i Mbretit, me faktin se ai të ka pranuar për të tillë, i kishte thënë më në fund.


-E kuptoj, o mësuesi im i nderuar, e kuptoj, por ndiej se tani diçka është prishur në jetën time.


-Asgjë nuk është prishur. Zoti kështu ka urdhëruar të bëhet dhe kështu është bërë. Edhe të parët tu i besojnë zotit Jehova, i cili është një dhe  i vetëm. Në Torën tonë të shenjtë shkruan se me  bijtë e Izraelit Zotynë do ta ndërtojë botën, kështu që ty të ka dërguar që ta trashëgosh një mbretëri, e cila po prishet nga feja e shtrembër. E kaluara jonë nuk mund të ndreqet dhe çdo përpjekje për ta ndrequr do të thellojë në gabime të tjera. Familjen nuk e gjen dot, sepse ajo nuk ekziston më. Zoti e ka shkruar që ti të jetosh në një familje mbreti, ashtu si dikur profeti Mojsi në kohën e tij. Por një gjë duhet ta dish, historia e Mojsiut nuk mund të përsëritet më kurrë, andaj kij mendtë në kokë, sepse Zotynë është treguar shumë i mëshirshëm ndaj teje.


Elezari ishte ngritur nga qela dhe ishte nisur në drejtim të Pallatit.


Nuk dyshonte në asnjë fjalë të mësuesit, por nuk ndiente në shpirt ndenja të revoltës e të hakmarrjes. Në mendje i silleshin fjalët e atit Sebastian; “Zoti e ka shkruar të jetosh në një familje mbreti… Historia e Mojsiut nuk mund të përsëritet, por Zoti e ka shkruar që ti ta trashëgosh një mbretëri…. Edhe pse i ri, e dinte se historia e Mojsiut nuk mund të përsëritej, sepse jeta e tij ishte zhvilluar në rrethana të tjera, por po ashtu i vinte keq përse njerëzit, që e kishin rritur dhe e kishin  edukuar dhe të cilët bëheshin sikur e donin aq shumë,  nuk i kishin rrëfyer të vërtetën, por atë të vërtetë e mbanin ngujuar. Ishte i vetëdijshëm po ashtu se propozimi i Mbretit Dushan për ta martuar me Milenën, një vajzë me prejardhje nga familja mbretërore e Nemanjidëve,  ishte bërë  me qëllim për ta lidhur me fronin dhe kjo i bënte përshtypje, sepse nga vija e gruas ai mund të trashëgonte jo vetëm pronat, por edhe ndonjë post kryesor në mbretërinë,  e cila po konsolidohej dhe po i zgjeronte zotërimet mbi kurriz të Bizantit dhe të principatave të ndryshme të Ballkanit. Tani ishte rasti të kërkonte shpjegime nga vetë Mbreti lidhur me origjinën e tij. Po të kishte qenë nip i Mbretit nuk do të lejohej martesa brenda familjes, edhe pse kishin kaluar katër breza. Nga mësuesi dhe prifti i tij Sebastian, kishte mësuar se hebrenjtë lejonin  lidhjet martesore, më afër të njëjtës gjini, sesa rashjanët.


Kishte kërkuar nga oborrtari Svetoik Rashjani që të takonte Mbretin dhe të bisedonte para se të shpallej botërisht fejesa me Milenën.


Mbreti Dushan qysh moti e kishte ditur se do të vinte koha kur do të hapej për bisedë edhe kjo çështje. Ishte momenti të fliste me administratorin e tij, të cilin e lavdëronin të gjithë, meqë edhe pse i ri në moshë kishte talent të veçantë në sistemimin e punëve të administratës.


Sapo kishte hyrë në rezidencë, Elezari kishte bërë disa hapa dhe ishte ndaluar para fronit, ku edhe ishte përkulur. Froni gjithnjë i kishte ngjallë frikë dhe respekt, por më tepër i kishte ngjallur kureshtje me tërë atë madhështi dhe të gjitha ato relike të lloj-llojshme  nëpër mure. Shpata, parzmore, përkrenare, ushta të gjata e të mprehta, lëkura arinjsh e luanësh, brirë dreri, koka ujqish e dhelprash. Në anën afër mbretit pëlhura të pastra me shumë ngjyra. Ishte tërë një pallat e konservuar me gjësende që krijonte përshtypjen e forcës, shtrirjen e sundimit mbi njerëzit mbi kafshët dhe mbi armët. Mbi të gjitha qëndronte sundimtari, ulur në fronin e tij, për të cilin thoshin se ishte sjellë fillimisht nga Egjipti në Bizant e prej andej në Pallat.


Mbreti po e vështronte me kujdes, duke hetuar shqetësimin në fytyrën e tij, një shqetësim i përzier me frikë e ndoshta edhe me dilemë.


-Eja këtu afër, ne edhe ashtu tashmë jemi një familje, i drejtohet mbreti, duke parë se ai po qëndronte në këmbë dhe po priste urdhrin.


Ishte ulur pranë Mbretit, për të cilin një kohë të gjatë kishte menduar  se ishte daja e tij.


-oborrtari im besnik më ka treguar se ke kontaktuar një tregtar hebre, i cili të ka thënë se ti nuk je nipi im, por djali i një hebreu.


-Po hirësi ishte përgjigjur shkurt, por me një shprehje dyshimi që nuk e fshihte dot.


-I ke besuar hebreut?


-Nuk di çfarë të them.


-Kush tjetër të ka thënë se ti je biri i një tregtari hebre?


Elezari ishte zënë ngushtë. Nuk donte në asnjë mënyrë ta tradhtonte priftin dhe mësuesin e tij. Ishte habitur, por e kishte marrë veten.


-Askush tjetër, kishte thënë dhe  kishte ulur shikimin.


-Tani ka ardhur koha të bisedojmë shtruar. Je rritur tashmë dhe puna jote në Pallat çmohet shumë. Ti ke pasur fat, që ke rënë në duart tona. Rrëmbyesit e pashpirt kanë mundur edhe të të vrasin, por të ka shpëtuar lakmia e tyre, duke menduar se po të mbajnë peng, një ditë ati yt do të sjellë arin dhe do të shpëtojë. Elezari ishte bërë sy e veshë. Kur ishte nisur për të rezidencë kishte menduar se biseda do të ishte krejt e thjeshtë, por tani e kuptonte se Mbreti donte të bindej për shumë gjëra.


-Prifti Sebastije të ka rrëfyer për Josifin, djalin e Jakobit, të cilin vëllezërit nga mëria e kishin futur në një pus. Po ashtu të ka treguar edhe rrëfimin për Mojsiun.


-Po hirësi, e di rrëfimin për Josifin, edhe për Mojsiun…


-E pra në njëfarë mënyre edhe ti je sikur ai Josifi i Biblës, por i rrëmbyer djallëzisht nga lakmitarët dhe jo i gjuajtur në pus nga vëllezërit ziliqarë.


-Edhe po të mos kishte rrëfyer hebreu dhe prifti, për të cilin ti nuk pranove se të ka rrëfyer, unë e kam pasur ndërmend të të tregoj origjinën tënde.


-Atin Sebastije e kam si at të vërtetë, u frikësova mos po i ndodh ndonjë e keqe.


-Si mund t i ndodh një e keqe, një njeriu aq të mirë, një mësuesi të denjë, i cili të ka edukuar dhe të ka mësuar dituritë, numrat, fshehtësitë e zejes?


Elezari kishte rrudhur krahët, pa arritur të kuptonte qëllimin e mbretit.


-Kjo tregon se ti më frikësohesh dhe më vjen keq që ke fituar një bindje të tillë, përndryshe do ta zbuloje mësuesin. Asgjë nuk bën të mbash të fshehtë nga unë, nga të tjerët edhe mund të mbash fshehtësi.


-Të gjithë njerëzit në Pallat të frikësohen, hirësi, këtë e bëjnë nga respekti që kanë.


-Pak janë ata që e bëjnë nga respekti e dashuria, shumica e tyre  më respektojnë nga frika dhe përfitimet që marrin nga thesari i Mbretërisë. Respekti që shpreh ti, Ati Sebastije, dhe disa oborrtarë është i një natyre tjetër, andaj edhe të kam ftuar të të tregoj se ti je nipi im, i përvetësuar e do bëhesh edhe dhëndër i Nemanjidëve.


-Nuk shkojnë këto dy bashkë, hirësi!


-Te njerëzit e prejardhjes tënde nuk ka pengesa në këtë drejtim.


Elezari nuk po e merrte veten. Biseda hipotetike e mbretit po e dërrmonte dhe pse nuk frikësohej, as parashihte ndonjë befasi.


-Si e ndien veten Elezar apo Llazar, hebre apo rashjan?


-Jam i krishterë, hirësi, kishte thënë dhe kishte bërë kryq.


-Nuk të pyeta për fe. Kjo nuk më bën asnjë përshtypje.


Elezari prapë kishte ngecur. Nuk mund të përgjigjej prerë, jo vetëm nga frika e paparashikuar e mbretit. Më në fund mori zemër dhe tha:


-Gjatë tërë kësaj kohe kam qenë nipi yt, ashtu sikur më kanë thënë i tillë do të jem, qoftë edhe dhëndër i Nemanjidëve!


-Kam dëshirë të besoj, por i fshehe fjalët e Atit Sebastije.


-E pata nga frika hirësi.


-Tani nuk frikësohesh?


-Nuk kam pse të frikësohem, thotë prerë.


-Pse të frikësohesh nga mësuesi që ka parashikuar se ti do të trashëgosh një mbretëri?


Eleazari kishte mbledhur supet dhe për herë të parë një jetë ishte ballafaquar me një njeri, me një mbret të cilit, megjithatë i frikësohej deri në palcë. I dukej vetja si një lepur që kishte rënë në kurth dhe fati tij varej nga njeriu që kishte përgatitur kurthin…

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …