Memfis Muça: Nikollë Gjetani, fragment nga romani në dorëshkrim “Mirush Kopiliqi”

Murgu, Gjerasim Gjetani, 10 vjet kishte shërbyer në Manastirin e Dozhanit, i cili më herët ishte quajtur Manastiri i Dukagjinit. Në kohën kur Dozha i madh i Venedikut e kishte meremetuar pas një tërmeti, që kishte tronditur vendin   rreth vitit 1300, priftërinjtë kishin propozuar që Manastiri të merrte emrin e tij, meqë ai e kishte ringritur dhe i kishte përforcuar kupolat dhe të gjitha shtyllat e dëmtuara.


Disa vite më vonë,  kur kalorësit rashjanë kishin pushtuar këto anë, manastirin katolik e kishin shndërruar në manastir ortodoks, duke bërë ndërrime të shumta sidomos në pikturimin e ikonave dhe rindërtimin e ikonostasit. Qysh prej asaj kohe, për murgjit dhe priftërinjtë katolikë kishte filluar një periudhë e demonizmit dhe çkrishërimit, mallkimit dhe dëbimit të murgjve, që nuk konvertoheshin në ortodoksi. Rreth vitit 1330, Manastiri ishte emëruar Manastiri i Deçanit, me emrin e mbretit rashjan, Stefan Deçani.


Gjerasim Gjetani, nga Korpiliani i Drenisës   kishte shfaqur haptas pakënaqësinë lidhur me trajtimin e keq që i kishte bërë kryeprifti, Aleksej, i cili përgjithësisht i përdhunonte murgjit vendorë, të gjithë ata që në bisedat e tyre të përditshme nuk flisnin gjuhën e vjetër sllave apo greke, por gjuhën e vendit, një gjuhë ku dominonin fjalët arbërisht e vllahisht.


Ja tbja skazall njeskolka raz, çto pastoji adin jazik, bozhiji jazik, nash slovenskij, tak?… i kishte thënë me qortim dhe cinizëm Gjerasim Gjetanit, derisa ai po bisedonte me një murg nga krahina e tij, i cili sapo kishte ardhur në  manastir nga Malësia e Gurashit, ku kishte shërbyer për një kohë dhe nuk e kuptonte si duhet gjuhën kanonike të kishës sllave.


-Lingua latina, lingua di Nostro Deus est, ia kishte kthyer latinisht kryepriftit, duke qenë se po  largohej përgjithmonë nga Manastiri, meqë një muaj më parë  Sinodi i priftërinjve  i kishte  premtuar se do ta caktonte për të shërbyer në Kishën e Devianës.


Kryeprifti e kishte shikuar me urrejtje të papërmbajtur,  ish nxënësin dhe murgun, i cili tashmë nuk ia varte fare dhe kjo e tmerronte. E kishte kuptuar se ai po largohej dhe pikërisht për këtë  edhe po i hakmerrej, për shkak se me vite të tëra e kishte përdhunuar, e kishte dënuar sa e sa herë, por edhe e kishte mallkuar. I ndodhur përballë, Gjerasimit, i cili kishte vendosur mbi shpinë një trastë me rroba, ikona të vogla e disa libra, në kohën kur po bëhej gati të largohej, kryeprifti Aleksej, e kishte mallkuar për të fundit herë, në dalje të portës së Konakut të Manastirit.


-“Vo imja otca, i sina i svjatava duha, ja praklinju taj diavolih jazik, ja praklinju tbja…”


-Per emnit t’ Atit, Bierit et Shpirtit t’Shenjt, e mallkuome klofte gluha qi mallkon pa as ndonja  arsyet, ia kishte kthyer Gjerasimi në gjuhën, të cilin e dinte se e kuptonte mirë edhe At Aleksej.


Gjerasim Gjetani kishte shpejtuar hapat nga frika se mos kryeprifti  i tërbuar do t’ia ndërsente murgjit e dëgjueshëm dhe servilë.


Dielli po kalonte në zenit.


Vapa e gushtit kishte kapluar rrugën tërë pluhur, nëpër të cilën po ecte këmbëzbathur. Ishte nisur nga Manashtiri i Dozhanit në drejtim të vendlindjes, në Kopiliq, ku jetonte familja dhe farefisi i tij. Duheshin bërë pesë apo gjashtë orë rrugë, në pikë të ditës, madje edhe i ngarkuar me një peshë të rëndë mbi supe. Kishte veshur kacarretën e zhgunit, e cila ishte e rëndë, e trashë dhe tejet e nxehtë. Ishte larë në djersë, mirëpo, largimi për shumë vjet i pritur i kishte ardhur  ashtu sikur tokës shiu, në verën e thatë, andaj edhe kishte ecur rrëmbimthi, me qëllim që sa më parë të largohej nga ai vend, që për të kishte qenë një skëterrë e vërtetë e kësaj bote.


Nuk ishte larguar as njëmijë hapa kur dëgjon kambanat e Manastirit. E mori me mend se At Aleksej kishte thirrur priftërinjtë e murgjit për t’ ua kumtuar lajmin e largimit, por edhe  mallkimit, që i kishte bërë, Gjerasimit ashtu sikur iu kishte bërë edhe sa e sa të tjerëve para tij.


-Kurrë mos u ndjefsha ma, kishte thënë me vete duke bërë  kryq dhe  duke e lutur Zotin, që tani e tutje të mos vuante nga njerëz të ligj, nën petkun dhe në emrin e fesë.


Pas tri katër  orë rrugëtimi, duke ecur këmbë,  kishte ndaluar te burimi, afër lumit të Klinës. Lëndina e zverdhuar,  lulet e shumta, dhe freskia që lëshonte lisi i madh i ahut, i kishin kthyer  në kujtesë kohën e fëmijërisë. Sillte në mend kur kishte ruajtur delet, së bashku me xhaxhanë, i cili kishte qenë  po ashtu një mug i përjashtuar nga Kisha e Rashkës, për mosbindje…


Kishte hedhur ngarkesën në tokë dhe ishte afruar për të pirë ujë. Nxjerrë nga trasta një kore buke të misrit, një qepë, të cilën ia kishte dhënë në mëngjes kuzhinieri i Manastirit dhe kishte filluar të hante. Gjatë rrugës kishte marrë disa dardha të pjekuar në një vend, afër lumit  për të cilin kishte menduar se ishte pronë e përbashkët e fshatit. Më pas ishte ulur nën hijen e dendur të një shkurreje dhe kishte filluar të pushonte nga lodhja dhe pagjumësia e një nate më parë…


10 vjet më parë, së bashku me të atin kishte kaluar nëpër të njëjtën rrugë, drejt Manastirit, me dëshira të pashprehura për përkushtimin ndaj Zotit dhe fesë, derisa tani, pas tërë asaj kohe ku kishte qëndruar  në konaqe dhe qeli të ngushta e të zymta, po kthehej në vendlindje, i zhgënjyer, i keqtrajtuar, por me besim të patundur në fenë e vërtetë të Krishtit.


Në Kopiliq kishte prindërit, tashmë të moshuar e të sëmurë si dhe vëlla, Dimitrin me të shoqen dhe bijtë e bijat. Kohë pas kohe, kur murgjit shkonin në Pejë, ai kontaktonte ditën e pazarit me anasit e tij dhe merrte lajme për familjen.


Kishte mbushur 40 vjet, por flokët dhe mjekra iu kishin thinjur dhe në pamjen e tij fizike dukej shumë më i moshuar. Kishte përballuar me sukses dhunën, sa e sa ndëshkime fizike, dënime e ndëshkime me mungesë uji e buke, për ditë e muaj të tërë gjatë shërbimit në manastir. Atje, ai ishte trajtuar si një i burgosur, për shkak të bindjeve të tij dhe animit, nganjëherë edhe haptas në krishterimin katoliko-roman. Ai madje ishte akuzuar si përhapës i idesë së rikthimit në katolicizëm, duke zbuluar edhe faktin se Manastiri, ku po shërbenin, kishte qenë Manastir i fesë katolike, por me rastin e shkizmës ishte ndërruar forma e jashtme, ikonostasi dhe tërë struktura e brendshme artistike e tablove me motive nga bibla. Ishte ndërruar edhe struktura ndërtimore e konaqeve, ose në shumë raste edhe ishte adaptuar, me qëllim që të mos përngjanin me stilin e konaqeve latine. Ishin ndërruar edhe disa freska ku paraqiteshin figura të njerëzve të veshur me rroba dhe plisa të bardhë, që venin mbi kokë popullata vendëse, arbërore e vllahe.  Gjerasimi kishte akuzuar kryepriftin, Aleksej se  kishte ndërruar edhe emrin dhe nga Manashtiri i Dozhanit,  të cilën e kishte ndërtuar Dozha i madh i Vendikut,  ishte emërtuar Manastir Deçanski, në emër të prijësit sllav, Stefan Deçanskij.


Kisha rashjane kishte ndërruar edhe emrat e vendeve, duke i zhdukur ose duke i adaptuar emërtimet dardane, duke u vënë prapashtesa të gjuhës sllave.


Duke sjellë në kujtesë kohën, që e kishte varrosur me tymin e temjanit dhe me zorrët e grira nga uria në manastir, ai ndiente një lehtësim në shpirt, edhe pse e dinte se edhe  në Manastirin e Devianës, ndikimin vendimtar e kishte kisha sllave. Sido qoftë, do të ishte më afër familjes dhe  kishte shpresë mos e emëronin prift, në vendlindjen e tij, ku ndodheshin tri kisha  dhe  ku  mes tjerësh shërbimet priftërore i kryente edhe  një prift rashjan.


Ishte ngritur nga vendi, kishte ngarkuar barrën mbi shpinë dhe kishte bërë tutje nëpër hijen e shkurreve e të shelgjishteve duke ecur në një rrugë të ngushtë, e cila shtrihej bregut të lumit. Nga larg, dëgjonte zëra barinjsh dhe melodinë magjepse të gajdeve . Për një çast trupin ia përshkuan drithërima dhe iu zgjuan kujtimet e largëta të fëmijërisë, kur edhe si kishte qenë bari dhe i kishte fryrë gajdes…


Ndërkohë, kishte dëgjuar trokëllimën e galopit të kuajve, që i dukej se vinin diku larg, nga prapa. Kishte ndalur hapin,  mbështet veshin e djathtë në dorë, mbi shkop, dhe konstaton se kalorësit nuk ishin më larg se 1000 hapa.


-Kush mundet me klenë ndë kët vapë, tha me zë të ulët dhe për të qenë më i sigurt, lëshoi rrugën u fut në pyllin e dendur, për të përcjellë lëvizjet e kalorësve dhe me qëllim për t’i ikur ndonjë befasie, meqë ishte kohë turbullirash e kryengritjesh mes feudalëve dhe ushtrive të ndryshme, që shtegtonin poshtë e përpjetë…


 


Pas një kohe, kishte vërejtur pluhurin, që po ngrihej si re nëpër rrugë, nga kalërimi me galop i kuajve. Kishte pritur derisa ata ishin afruar te burimi, ku mendonte se ata doemos se do të ndaleshin për të pirë ujë dhe për të pushuar. Ishte strehuar mirë dhe nuk kishte frikë se do ta zbulonin.


Kur kalorësit ishin afruar, ai kishte njohur disa fytyra  dhe përnjëherë ishte nisur ne drejtim të tyre…


-Kloftë lavduemun Krishti,  i  kishte përshëndetur kalorësit, që po i lironin kuajt nga zengjitë duke iu dhënë ujë dhe duke i lëshuar në kullosë.


-I lavduom per jetë e mote! ia kishin kthyer përshëndetjen fetare tre kalorës, që as i njihte, as e njihnin. Ndërkohë ai kishte vërejtur kushëririn e tij,  Nikollë Danai, me të cilin nuk ishte parë një kohë të gjatë.


-Kloftë lavduom Krishti, o kusho!- m’ njeh apo jo?- i drejtohet prijësit të kalorësve, i cili pasi kishte pirë ujë ishte shtrirë për të pushuar nën hijen e lisit, ku kishte vendosur helmetën, mburojën dhe pancirin.


– Gjerasim?  Zot i madh, sa paske ndryshuomun, thotë Nikollë Dana duke shfaqur habi me rastin e takimit me kushëririn, për të cilin e dinte  se ishte murg në manastirin e Dozhanit. Ishin kushërinj të afërm.


– E pa, si mos me pas’ ndryshuemun o kusho, kur ma mire gjallojne gjindja neper burgje, sesa una qi kam jetuo ndë Manashtirin e Dozhanit?


Rreth prijësit ishin tubuar edhe kalorës së tjerë, të cilët dëgjonin me kureshtje fjalët e murgut Gjerasim.


– Pse pra  me klen’ njashtu, nuk e kuptonj…


– Kan’ ndryshuo kohet… Koh’ edhe ma t’  veshtira pa na vijne. Popat e Rashkës na xune vendet dhe neve na trajtojnë si skllavë. Nuk lejojnë ta flasim gluhën tonëh, nuk i njohin shenjëtorët tanëh, as festat tona. Besës  sonëh të moçme pa i vjen fundi…


-Mor kusho, po ne të gjith’ të Krishtit  jemi!


-Jemi edhe nuku jemi. Krishti asht nja, ashtu sikur edhe Zotynë, por besa e Krishtit ka kohe qi asht ndamun ne dysh, n’ Lindje e ne Perëndim. E ndau Roma dhe ne na mori pusi, pasi kto troje i moren rashjanët. Manashtiri i Dozhanit, qi dikur ka klenë  Manashtiri i Dukagjinit  tash ansht Manastiri i Deçanit, sipas Stefan Deçanskit. Janë ndërruo afreskat, janë ndërruo shenjëtorët, kalendari… U mbushne katunet me rashjanë, derisa gjindja jonëh po dyndet drejt viseve andej e kendej. Jemi bamun lypsarë ndë fushat e malet tona…


Kalorësit kishin dëgjuar me vëmendjen vërejtjet e priftit, të gjakut e të gjuhës së tyre dhe secili sillte në kujtesë mosmarrëveshjet e tij me rashjanët, të cilët nuk duronin dot të flitej në asnjë gjuhë tjetër, por në gjuhën e tyre, e cila dallonte shumë nga gjuha e vendësve…


 


Nikollë Dana, Gjetani ishte kalorës i nivelit të lartë në ushtrinë mercenare të Dushan Stefanit, (birit të mbretit Millutin),  i cili jetonte në rezidencën e tij afër Prizrendit.


Dushani i përkiste familjes mbretërore të Nemanjve  të Rashkës, të cilët pas disa fitoreve, kundër ushtrisë së Bizantit ishin lëshuar në Rrafshin e Dardanisë dhe në tokat e Dukagjinasve, të cilat deri atëherë kishin qenë nën sundimin e Perandorisë së Romës e më vonë të Bizantit, që kishte filluar të shthurej qysh në shekullin XII. Nën gërmadhat e kësaj Perandorie ishte ngritur Mbretëria Latine, Mbretëria e Selanikut, Despotati i Epirit, Mbretëria e Trapezunit, Mbretëria e Nikejes, Principatat e Arbrit, e Artës  e të tjera. Asokohe Bizanti ishte shkatërruar edhe nga plaçkitjet e tetarëve, nga hordhitë e fiseve sllave, të cilat fillimisht kishin themeluar Mbretërinë e tyre në Rashkë.


Duke shfrytëzuar rënien e Perandorisë, e cila ishte rrudhur dhe po priste vdekjen e madhe, në një pjesë të Azisë së Vogël, rreth qytetit të Konstandinopojës, fiset sllave, të cilat disa shekuj më parë kishin pushtuar tokat e veriut të Ballkanit, kishin filluar të zgjeroheshin në tokat e Perandorisë, që po hiqte shpirt. Gjatë kësaj kohe edhe prijësit e Arbrit  kishin krijuar Principatat e tyre, por në kushte dhe rrethana të sistemit feudal, ata luftonin për të zgjeruar zotërimet e tyre mbi kurriz të njëri tjetrit. Shpeshherë kur dobësoheshin, duke luftuar ndërmjet veti, ndonjëri prej tyre kërkonte ndihmë nga sunduesit  sllavë, të cilat e shfrytëzonin rastin, derisa e mundnin një prijës të ndonjërës nga  principatat, pastaj e nënshtronin edhe prijësin, të cilin e kishin ndihmuar.


Në një gjendje të tillë të organizimit të dobët, principatat e Arbrit nuk i rezistonin dot pushtimeve të prijësve sllavë e bullgarë, të cilët kishin filluar invadimin në të gjitha trevat ku jetonte popullata autoktone arbërore, vllahe e greke. Mbreti serb Dushan, i  kishte pushtuar viset e Arbrit dhe disa vise të Greqisë. Ai kishte përforcuar sundimin e tij në Dardaninë e Epërme ndërsa rezidencën e kishte vendosur në Prizrend.


Mbreti Dushan, me rastin e marrjes së kurorës mbretërore në vitin 1346, në Shkup, ishte emërtuar Mbret i sllavëve, arbërve, grekëve, vllehve e popujve të tjerë të Ballkanit.


Në ushtrinë e tij pushtuese bënin pjesë edhe shumë prijës nga trevat e ndryshme të Arbërisë, Maqedonisë e Greqisë.


Në radhët e kësaj ushtrie mercenarësh të popujve me fe e zakone të ndryshme, kishte shërbyer me besnikëri edhe Nikollë Danai nga fshati Kopiliq, i cili kishte tubuar rreth vetes qindra kalorës arbër e vlleh nga Drenisa dhe nga trevat e Dukagjinit.


Ai po kthehej në Kopiliq, duke qenë se kishte marrë lajme se ushtarë të panjohur kishin depërtuar malet e Kopanit dhe kishin plaçkitur banorët e fshatrave të jug të Dhimitrisë…


Gjatë rrugës, në malet e fshatit Likian kalorësit kishin takuar një bareshë trupmadhe, e cila për nga bukuria fizike, të gjithëve u kishte bërë një përshtypje të veçantë, Asnjëri prej tyre, asnjëherë në jetë nuk kishte parë femër aq të bëshme, por edhe të bukur. Ajo, mbante veshur të linjta të bardha, belin e kishte lidhur me brezorën e dredhur prej lini, ndërsa kraharori i bëshëm i lëvizte sa majtas e djathtas. Flokët e kuqërremta i kishte ndarë në mes dhe i kishte lidhur në dy kacidhe  të gjatë e shumë të dendur.


Çobaneshën, kalorësit e kishin takuar  në një fushë malore duke kullotur delet, në malet afër Likianit.


Nikollë Danës i kishte pëlqyer jashtëzakonisht, sidomos bukuria e saj, po mbi të gjitha edhe shëndeti, fuqia fizike, trupi i bëshëm, meqë edhe  ai ishte i gjatë me trup  dhe  mjaft i zhvilluar fizikisht.


Kishte zbritur nga kali, ndërkohë që kalorësit kishin ndalur, duke mos kuptuar qëllimin e prijësit, mbase edhe duke menduar se ai e njihte bareshën, apo donte ta pyeste për ndokënd.


– Si ta thon’ emnin, oj kopile?


Ajo nuk kishte folur, por e kishte shkuar idhshëm.


-Do t’ marr  nuse, në kloftë se ke me m’ pelqyemun, e n’ klofte se nuk je e fejuome, i kishte thënë para kalorësve, të cilët kishin qeshur me qesëndi, duke dyshuar në fjalët e prijësit, pa besuar në qëllimin e tij, por duke menduar se ai thjesht bënte shaka.


Vajza ishte zënë ngushtë nga befasia, ishte skuqur në fytyrë, por nuk kishte folur.


– Mor Niko, i drejtohet shoku i tij, Miran Gjylani, ku asht pamun komandanti i kalorsise me marrë për gruo njaj çobankë gërdallë, sa njaj pelë.


-Praj mor ti, njaj kopile  si kjo e merr edhe mbreti, qesëndis Mark Elusiani, i cili po ashtu ishte ndër trimat e njohur të Nikollë Danait, që ishte magjepsur nga paraqitja dhe bukuria e çobaneshës.


– Do e marr more, por jo me zori, apor duket se ksaj kopiles nuk po i pëlqej, iu kishte drejtuar  duke i shikuar në sy, sikur donte ta përpinte.


Me të dëgjuar këto fjalë, çobanesha ishte skuqur edhe më tej dhe kishte shpërthyer e mllefosur.


– Liromani Udhën e Madhe ta dergoj kopenë e dhenve, në katun, u thotë kalorësve me zë të lartë, urdhërues dhe pa droje.


– E në klofte qi nuk e lirojmë?


– E liroj una vet, -thotë dhe papritur  heq një hu nga  gardhi, që ndodhej pranë.


Nikollë Dana dhe kalorësit ishin befasuar nga vendosmëria e saj për ta sulmuar të parin, që do t’ i afrohej, ndërsa mënyra si e kishte shtrënguar hurin jepte për të kuptuar, jo vetëm vendosmërinë, por edhe fuqinë e zhdërvjelltësinë e saj  fizike.


– Hej, ti, Mark dhe ti, Miran, rrmejani hunin, por mos e prekni me dor’, urdhëron prijësi dy kalorësit e tij.


– Eja ti vet ma rrme, po ta mbajti, ia kthen vajza truphedhur si shtojzovalle, e cila kishte  vendosur për të goditur pamëshirshëm çdonjërin që do të merrte guxim për t ‘iu afruar.


Nikolla ishte befasuar dhe meqë tashmë i pëlqente edhe më shumë duke u bindur edhe për trimërinë e saj, ai kishte vendosur mos ta lëndonte. E nxori shpatën e gjatë nga milli dhe duke buzëqeshur u nis në drejtim të saj.  Kalorësit kishin mbetur të hutuar dhe po shikonin të habitur “dyluftimin” e paralajmëruar.


-Jo me shpatë, o prijës, nuk ka me t’pasun  hije...i drejtohet Kolë Mati, luftëtari më i vjetër i kohortës së tij.


Nikolla e kishte kuptuar seriozisht qortimin, por kishte menduar që sapo ta merrte shpatën në dorë, çobanesha e bëshme do të frikësohej dhe do ta gjuante hurin. E kishte futur shpatën në mill dhe ishte nisur shpengueshëm në drejtim të saj.


Me një befasi, që kishte lënë të habitur kalorësin, çobanesha kishte sulmuar me tërë fuqinë, mirëpo kalorësi i zhdërvjellët i kishte shpëtuar goditjes, ndërkohë që ajo ishte sulur si e çartur. Nikolla kishte shfrytëzuar momentin dhe kishte kapërcyer gardhin.  Ajo kishte mbetur me hurin në dorë, ndërsa kalorësit i kishin brohoritur, duke e cytur të mos dorëzohej. Nga të qeshurat dhe brohoritjet e tyre, vajza kishte sulmuar kalorësin tjetër, që po i afrohej. Ai ishte përplasur për tokë dhe  kali ishte ngritur me revan, duke shkaktuar tollovi në mesin e kuajve të kalorësve të tjerë.


Nikollë Dana dhe kalorësit e kishin kuptuar se kishin rënë në kurthin e një çobaneshe të egër, të cilën nuk do ta bënin zap edhe për faktin se e kishin kuptuar simpatinë e prijësit. Ata tashmë po argëtoheshin nga sulmet e saj duke qeshur e duke ngacmuar me fjalë njëri tjetrin.


-Ma shpengoni udhetë, se po u nderseva qentë, ata do t iu shklyejnë si ulku, u thotë kërcënueshëm.


Shumica e kalorësve po shkuleshin së qeshuri duke parë prijësin përtej gardhit, një kalorës të rrëzuar për tokë dhe të tjerë që po shikonin me habi atë shfaqje krejt të papritur.


– E po ç’ na gjeti me ket ergercinë!


– Ansht ma trime se krejt na…


– Qe si na punoi, pa pritun e pa u kujtuomun, tha Gjerasim Gjetani, të cilin  gjatë rrugës për në vendlindje e kishte marrë në kalin e tij kushëriri, kalorës, Gjel Gjetani.


Vajza ishte djersitur dhe aq shumë iu kishte skuqur fytyra sa dukej se do t’ i shpërthente gjaku.


  Si e ke emnin oj bilë, i drejtohet më plaku prej kalorësve.


  Janina, jam bila e Kol’ Nikonit…


  O Krisht, pa ti tek je bija e mikut tim ma t’ mirë, thotë Nikollë Mati duke bërë kryq.


  Eja te una se nuk t’ perket kush me dor’ i thotë dhe niset drejt saj, duke u munduar ta bindte se ia njihte mire të atin dhe tërë familjen.


  Eja o prijës, se una merrem vesh me Kolen, edhe pse na bjen me pranuo si burrat  se kjo kulshedra e Kol’ Nikonit na zhburrnoi sot!


“Shfaqja” kishte mbaruar me të qeshura, ndërkohë që kalorësit kishin liruar rrugën. Janina kishte nisur kopenë, duke i shikuar vëngër, me plot zemërim e urrejtje. Derisa po e tubonte bagëtinë, shikonte anash në mos po e sulmonte ndokush, në befasi.


  E po ç na punoi, mir’ ma bani, kishte thënë  Nikolla Danai  duke buzëqeshur, por edhe krenar për bashkëshorten e ardhme. Ai ishte sigurt se babai i saj nuk do t’ ia kthente dorën, një autoriteti ushtarak nga një familje e njohur, sikur ishte Nikollë Gjetani. Ishte po ashtu i sigurt se çobanesha nuk ishte e fejuar, përndryshe do të tregonte dhe nuk do ta përkiste askush…


  Kjo gruo ka me lindun njaj draguo, thotë  Gjerasim Gjetani. Kshtu kam niguo prej gjyshës sime, ndjesë pastë. Ajo ka pas’ thamun  se ktune, , nji  gruo me trup të madh si të Zanës së malit  ka me lindun dragonin, qi ka me mbytë këlshedrën, bash sikur bani  Shen Gjergji.


  Lej prrallat e gjyshës o murg, po nesret, ti dhe Kolë Mati keni me shkuo te Kol’ Nikoni dhe me kerkuo doren, a m’ nigoni?


  E thane e bame o prijës, kujt i përket kjo këlshedër  veç teje


Terri po lëshohej mbi fshat kur kalorësit kishin arritur te Lendina e Madhe. Aty ishte vendi ku ndaheshin, pasi paraprakisht njoftoheshin nga prijësi lidhur me kohën e takimit të sërishëm. Secili prej tyre merrte rrugë për në fshatin dhe  shtëpinë e tij.


Nikollë Dana me tre truprojat dhe një kushëri, hipur mbi kalë niset në drejtim të shtëpisë së gurit, të cilin e kishte ndërtuar stërgjyshi. Edhe rrethoja e oborrit ishte bërë me gurë, të cilët ishin tërhequr nga lumi i Klinës, që sillte gurë të përshtatshëm dhe të lehtë për ndërtimin e kullave.


Tri vjet nuk kishte qenë në shtëpi, as kishte marrë ndonjë lajm. Nënën e kishte lënë të sëmurë, babai mbahej, por ishte shkallmuar nga puna e rëndë. Disa vjet më parë në një betejë me bizantinët iu kishte vrarë vëllai, Gjoni, ndërsa motra e vetme, Mara, ishte martuar në fshatin fqinj, Mburojë. Meqë familja ishte e pasur, babai i Nikollës, Gjergj Dana mbante dy shërbëtorë të cilët kujdeseshin për bagëtinë dhe punët e shtëpisë.


 


Arritja e kalorësve në Drenisë ishte komentuar në mënyra të ndryshme nga fshatarët. Flitej se ata kishin ikur nga Dushani, i cili kishte liruar nga radhët arbrit e vllahët, ndërkohë që kishte marrë kalorës, në Rashkë e gjithandej kah veriu. Flitej po ashtu se  Nikollë Danai me kohortën e tij  do të shkonte në Bizant, te kundërshtarët e Mbretit. Po ashtu flitej edhe për telashet që kishte pasur ai dhe kalorësit e tij me çobaneshën, Janina Nikoni, trimërinë dhe bukurinë e së cilës e kishin krahasuar me ato të shtojzovalleve…

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …